Këtë vit, karnavale pa maska

Tuz – Manifestimi kulturor tradicional – “Karnavali Koret”, vijoi traditën e nisur 27 vjet më parë, pas një shkëputjeje vitin e kaluar për shkak të situatës së vështirë nga epidemia e koronavirusit.
Edicioni i njëzetegjashtë i këtij manifestimi, shpalosi aktivitete argëtuese për publikun në Malësi. Nata e parë e karnavaleve filloi me koncertin e organizuar në sheshin e qytetit të Tuzit, ku u mblodhën numër i konsiderueshëm i admiruesve të këngës së këngëtarit, Shkumbin Ismaili, i cili për disa orë performoi dhe argëtoi publikun nga repertori i tij muzikor.
Në fjalën përshëndetëse, duke i shpallur të hapura karnavalet e sivjetshme, nënkryetarja e Shoqatës “Karnavali – Koret”, Anita Junçaj, u shpreh se këtë vit vendosën që karnavalet t’i organizojnë në një formë ndryshe, për shkak të, siç tha ajo, të pranisë ende aktuale të koronavirusit në vend.
“Jam e sigurtë që maskat do të na mungojnë gjatë këtyre ditëve, por me yjet që do të shkëlqejnë në këtë skenë, shpresojmë se do t’i përbushim pritshmëritë tuaja. Vitin e kaluar për shkak të pandemisë, ne anuluam karnavalin, dhe natën e koreve siç e quajmë ne, në mënyrë simbolike shfaqëm filmin dokumentar”, theksoi ndër të tjera Junçaj.
Dita e dytë e karnavaleve iu dedikua fëmijëve, të cilët në një numër mjaft të madh, të veshur në kostume cirku, vallëzuan dhe u argëtuan.
Në ditën e tretë të karnavaleve, admiruesit e humorit u argëtuan nga afër nga mjeshtri i njohur i humorit shqiptar, Agron Llakaj, e më pas me tinguj të muzikës nga këngëtarja e re, Eliza Markiq.
Ndërkaq, në natën e katërt të karnavaleve u organizua nata e verës dhe saragave, ku të pranishmit u dëfryen nga këngëtari David Dreshaj dhe grupi muzikor, “Mars”.
Nata e fundit dhe përmbyllëse e karnavaleve në Malësi mblodhi një numër të madh të publikut në sheshin e qytetit të Tuzit, ku të pranishmit u argëtuan me muzikë nga këngëtarja, Gjyste Vulaj.
Kujtojmë që manifestimi “Karnavalet-Koret” ka për qëllim kultivimin dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore të Malësisë.
Shoqata “Karnevali – Koret” është anëtare e plotë e Shoqatës së Karnavaleve në Shoqatën Evropiane të Qyteteve të Karnavaleve (FECC).

t. u.

Të fundit

më të lexuarat