Ish-punëtorët e Kripores së Ulqinit kanë vazhduar protestat e tyre për të kërkuar realizimin e të drejtave të fituara me dekada punë. Për të gjashtën herë radhazi, ata kanë bllokuar të shtunën (21 qershor 2025) rrugën magjistrale Ulqin – Tivar, duke ndaluar për dy orë qarkullimin në këtë aks rrugor.
Ata thonë se janë të vendosur të vazhdojnë me aksione të ngjashme deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së tyre, duke u shprehur se nuk kërkojnë mëshirë, por atë që iu është marrë.
Përfaqësuesi i punëtorëve të Kripores, Sasha Mitroviq, theksoi se punëtorët nuk po kërkojnë më shumë se të drejtën e tyre të grabitur, duke akuzuar institucionet shtetërore për bashkëpunim në, siç e quajti ai, “vjedhjen e organizuar”.
“Ne kërkojmë atë që na është vjedhur nga pronari i shumicës. Ne nuk jemi viktima të tranzicionit, ne jemi viktima të një plaçkitjeje që na ka marrë paratë tona, na i ka vjedhur, i ka nxjerrë nga Kriporja me ndihmën e shtetit. Asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse shteti, përkatësisht Gjykata Ekonomike, do ta bënte punën e vet. Ne kërkojmë që të zgjidhet çështja jonë – bëhet fjalë për një borxh prej një milion eurosh dhe pesë vite përvojë pune të paregjistruara. Vetëm atëherë do të largohemi nga rruga”, deklaroi ai.
Në protestën e fundit, punëtorëve u është bashkuar edhe ish-drejtori i Kripores, Dragisha Rosandiq, i cili i ka mbështetur plotësisht kërkesat e tyre.
Ai ka theksuar se Kriporja është një nga ndërmarrjet më të suksesshme që, përkundër rezultateve pozitive, përfundoi në falimentim pa i shlyer detyrimet ndaj punëtorëve.
“Protestat janë të drejta. Kriporja është ndërmarrja e vetme në Jugosllavi, në Mal të Zi, që ka punuar pa humbje dhe megjithatë ka përfunduar në falimentim. Kjo është absurde! Vetëm shteti mund ta zgjidhë këtë problem. Kriporja ka qenë një pasuri kombëtare dhe është e papranueshme që punëtorët të mbesin pa pagat e tyre dhe pa pranimin e viteve të punës”, ka deklaruar Rosandiq.
Punëtorët kërkojnë që t’u paguhen borxhet në vlerë prej rreth një milion euro, si dhe t’u njihet pesëvjeçari i stazhit të punës që nuk është regjistruar gjatë periudhës kur ndërmarrja ka qenë në procesin e falimentimit. Ata thonë se do të vazhdojnë me protestat dhe bllokimin e rrugës derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
Kjo situatë ka vënë nën presion institucionet përgjegjëse, veçanërisht Gjykatën Ekonomike dhe Ministrinë e Ekonomisë, të cilat deri më tani nuk kanë ofruar një zgjidhje konkrete. Me çdo protestë që kalon, rritet tensioni dhe presioni publik për një ndërhyrje efektive të shtetit.
D. Teliqi
