Guci – Më në fund, pas një sërë peripetishë të parapara dhe jo të parapara, në Guci kanë filluar punimet në adaptimin dhe rikonstruktimin e stacionit shëndetësor. Fjala është për shndërrimin e një pjese hapësinore të tij në stacion të Ndihmës së Shpejtë, i cili që moti është dashur të ekzistojë në Guci.
Ndihmë dhe mbështetje të madhe në këtë drejtim, padyshim ka ofruar drejtori i Entit shtetëror për Ndihmë të Shpejtë, Dr. Vuk Nikoviq, i cili ka pasur durim, vullnet dhe besim ta mbështesë dhe përkrahë këtë projekt, duke shpallur katër herë tenderin publik gjithnjë derisa përfundimisht është siguruar kryerësi i sigurt dhe cilësor i punëve të parapara ndërtimore. Tenderi në fjalë është shpallur për adaptimin e një pjese të objektit në Stacionin e Ndihmës së Shpejtë, i cili kap vlerën prej 39.000 eurosh. Mjetet investuese i ka siguruar Enti shtetëror për Ndihmë të Shpejtë, ndërsa ato në shumën prej 20.000 euosh për pajisje të stacionit në fjalë i ka siguruar Agjencia Turke TIKA. Punët ndërtimore i janë besuar firmës private “MULTIVERSE” e pronarëve gucianë, Mirza dhe Eto Bektesheviq.
Mbështetja dhe përkrahja për gjithë këtë, që nga dita e parë, është ofruar nga Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi. Përfundimi i punimeve është planifikuar deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti.
“Edhe pse nuk ka pasur detyrim, Enti shtetëror për Ndihmë të Shpejtë ka financuar edhe adaptimin e pjesës tjetër të objektit të Stacionit shëndetësor, respektivisht rikonstruksionin e tij në të cilin janë ordinancat e mjekëve të zgjedhur dhe laboratoriumet”, ka thënë në deklaratën për media dhe portale ish-mjeku i këtij institucioni shëndetësor, pediatri Dr. Ellvis Omeragiq. Ai në fund të prononcimit, ka theksuar se në objektin e deritanishëm shëndetësor në Guci, paralelisht do të funksionojë edhe Stacioni i Ndihmës së Shpejtë, dhe se e gjithë kjo padyshim do të kontribuojë në ofrimin sa më të mirë të shërbimeve në mbrojtjen shëndetësore të qytetarëve gjatë 24 orëve, dhe me këtë do të krijohen kushte për punësimin e kuadrove të reja profesionale mjekësore në Guci.
Shaban Hasangjekaj