Tuz – Të enjten e kaluar (2 mars 2023) në Rakiq, u bë hapja solemne e fabrikës së përpunimit të fruta-perimeve “Frudo”, themelues i të cilës është sipërmarrja “Red Commerce”.
Në prani të një numri të madh të qytetarëve, të figurave politike e publike në vend dhe të zyrtarëve më të lartë shtetëror, në fjalën e rastit drejtoresha e kësaj fabrike, Emina Mushoviq, bëri një prezantim të shkurtër të sipërmarrjes e cila siç tregoi, merret me importin, eksportin e tanimë edhe me përpunimin e fruta-perimeve.
“Ideja ka qenë të ndihmojmë prodhuesit tonë bujqësorë, ndërsa konsumatorëve t’u ofrojmë para së gjithash prodhime natyrale me kualitet të mirë”, tha ndër të tjera Mushoviq.
Ajo shtoi se e gjitha skuadra punëtore e angazhuar në prodhimin e këtyre produkteve qëndron fuqishëm pas prodhimtarisë së vet, duke garantuar produkte natyrale njëqind përqind, pa konservanse, ujë, sheqer shtesë dhe ngjyrues.
“Ne planifikojmë që të prodhojmë edhe reçele dhe marmelata të ndryshme gjithashtu pa sheqer, si dhe fruta dhe perime të thata dhe çaj, theksoi në mes tjerash Mushoviq.
Në të njëjtën kohë, pronari i fabrikës së sapo hapur “Frudo”, Edin Mushoviq, tha se ka nder dhe kënaqësi që mbi supet e firmës që ai drejton po vazhdon zhvillimi i qëndrueshëm i shtetit.
Ai bëri një restrospektivë të veprimtarisë së sipërmarrjes që drejton, duke thënë se resurset me të cilat disponon Mali i Zi janë të mëdha.
“Bujqësia dhe përpunimi i prodhimeve tona krahas turizmit, përbëjnë moton e zhvillimit të shtetit të Malit të Zi”, tha në mes tjerash Mushoviq.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj tha se hapja e kësaj fabrike është një ditë e madhe për Komunën e Tuzit, por edhe për Malin e Zi duke e konisideruar atë si një investim të së ardhmes për të rinjtë që, siç tha, jo shumë kohë më parë të vetmen perspektivë për krijimin e kushteve të jetës e kishin braktisjen e vendit.
“Fabrikat e hapura do të thotë një familje më shumë të mbetet në Malësi”, tha ndër të tjera Gjeloshaj.
Në të njëjtën kohë, kryeministri në mandatin teknik, Dr. Dritan Abazoviq tha se siç ka filluar Tuzi do të eliminojë plotësisht papunësinë në Mal të Zi.
“Që të prodhosh nuk është vetëm çështja që punëson vetëm njerëzit të cilët punojnë në fabrikë, por është çështje e shumë bizneseve që do të jenë kompatibilë dhe që do të ndihmojnë zinxhirin e prodhimtarisë”, theksoi ndër të tjera Abazoviq.
Për të, të prodhosh nuk do të thotë të ndihmosh vetëm bujqësinë, por edhe turizmin.
“Jam i sigurt që prodhimet që do të dalin nga fabrika “Frudo” do të përfundojnë edhe në bregdetin tonë, edhe në veriun e vendit, dhe që numër i madh i vizitorëve të Malit të Zi do të kenë rastin të kënaqen me produktet tona vendase”, u shpreh Abazoviq.
Ai shtoi se hapja e fabrikave flet se “jemi në rrugën e drejtë dhe se përfundimisht po punojmë në krijimin e vlerave të reja që do të thotë më shumë vende të reja pune, më shumë taksa, më shumë kontribute, e më pak braktisje të këtyre hapësirave”.
t. u.