“Interkulturalizmi – ilaç për zvogëlimin e tensioneve etnike dhe i gjuhës së urrejtjes”

Guci – Në ambientin e Hotelit “Mountain View Inn” në Guci, të premten më 23 qershor 2023, është mbajtur tryeza e tretë e rrumbullakët (e para në Ulqin – jug dhe e dyta në pjesën qendrore të MZ – Tuz), me temën: “Interkulturalizmi – ilaç për zvogëlimin e tensioneve etnike dhe i gjuhës së urrejtjes”, për realizimin e projektit “Diagnoza dhe terapia e shprehjes së lirë, të gjuhës së urrejtjes dhe tensioneve etnike”.
Moderatorja e programit, gazetarja e Redaksisë në gjuhën shqipe RTV në Mal të Zi, Dijana Dukaj pas përshëndetjes së të pranishmëve theksoi se kjo është tryeza e tretë e rrumbullakët që po mbahet në Guci, në të cilën do të trajtohet dhe realizohet projekti “Diagnoza dhe terapia e shprehjes së lirë, të gjuhës së urrejtjes dhe tensioneve etnike”, në organizimin e Qendrës për demokraci dhe të drejta të njeriut, në partneritet me Institutin për media dhe OJQ “UL info”, mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes Institutit Evropian të Demokracisë për të drejtat e njeriut.
Tryezën e rrumbullakët e hapi gazetari i mirënjohur dhe drejtori ekzekutiv i OJQ “UL info, Mustafa Canka nga Ulqini, i cili në fjalën e rastit theksoi: “Jemi mbledhur sot që të bisedojmë dhe bashkëbisedojmë për gjërat e mira këtu në Gucinë tonë. Plani im është që në veriun e Malit të Zi, të mblidhemi pikërisht këtu në vendin ku është nevoja të flitet shumë, por më shumë të komunikojmë dhe të jemi pranë njëri-tjetrit dhe t’i dëgjojmë brengat e interesat e tyre dhe çka së bashku mund të bëjmë diçka në të ardhmen. Sa i përket projektit, ne kemi bërë përpjekje që në një mënyrë tjetër të luftojmë kundër lajmeve të rreme, kundër gjuhës së urrejtjes përmes interkulturalizmit. Gucia është vendi ku bashkohen edhe popujt dhe kultura, religjioni dhe gjuhët. Ndaj, qëllimi ynë ka qenë të dëgjojmë si është tani në Guci dhe Plavë dhe të përpiqemi të kultivojmë projekte bashkëpunimi në mes të kombeve e kulturave ku ka qenë interesi primar, pastaj pas bashkëpunimit të ndërsjellë të biem konkludime”, ka konfirmuar në fund zotëri Mustafa Canka.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë dhe aktivisti i shumanshëm, Bujar Hasangjekaj në drejtimin e vet hyrës në rrjedhën e punës së tryezës dhe në fjalën e rastit si evokues i parë, pas fjalës përshëndetëse dhe mirëseardhjes së mysafirëve u shpreh: “Ndiej kënaqësi që sot në Guci organizohet kjo tryezë e rrumbullakët në temën “Interkulturalizmi – ilaç për zvogëlimin e tensioneve etnike dhe i gjuhës së urrejtjes”, dhe i falënderoj të gjithë organizuesit që janë përcaktuar që kjo tryezë e rrumbullakët të mbahet mu në komunën tonë”, ka thënë kryetari i KK-së Hasangjekaj. Ai më pastaj ka shtuar: “Mendoj që interkulturalizmi është një prej temave interesante dhe mjaft qenësore për shoqërinë tonë. Këtë e dëshmon edhe fakti se pranë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave para pak kohësh është hapur, respektivisht rihapur edhe Drejtoria për interkulturalizëm si njëra prej nevojave për promovimin dhe afirmimin mëtejm të të drejtave të barabarta për të gjithë, për fuqizim të tolerancës, respektim të ndryshmërisë, etj. Edhe ky fakt na gëzon dhe i jemi falënderues ministrit te dikasterit, Fatmir Gjeka dhe të gjithë të tjerëve në ministrinë në fjalë, të cilët kanë dhënë kontribut që kjo drejtori të themelohet”, ka thënë Hasangjekaj. Ai në vazhdim shtoi: “Komuna jonë është e njohur sipas atyre vlerave, gjegjësisht interkulturalizmit dhe lirisht mund të them se jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë dhe mendoj se jemi një ndër shembujt më të mirë. Natyrisht, gjithmonë ka vend për avancim të mëtejm dhe hapësirë për punë, se si edhe më shumë t’i promovojmë vlerat të cilat në vete të trashëgojnë interkulturalizmin”, ka konfirmuar Hasangjekaj. Ai në fund të elaborimit ka theksuar se të gjitha institucionet, qoftë në administratën lokale apo në institucionet shtetërore, kanë rol kyç dhe detyrim të promovojnë dhe avancojnë vlerën e interkulturalizmit pa marrë parasysh se sa interkulturalizmi është i pranishëm në shoqëri. Gjithmonë në institucione ka hapësirë për avancim dhe promovim të vlerave të interkulturalizmit.
Në tryezën e rrumbullakët në temën e projektit “Diagnoza dhe terapia a shprehjes së lirë, të gjuhës së urrejtjes dhe tensioneve etnike”, me elaborimet e veta koncize, konstruktive e shumë përfshirëse kanë marrë pjesë: gazetari i mirënjohur dhe redaktori i Redaksisë së programeve të pakicave në RTV të Malit të Zi, Senad Gilaj i cili ligjëratën e vet e kishte përgatitur me shkrim; gazetari dhe aktivisti vendas, Gjovalin Nikçi i cili një kohë të gjatë të punës dhe jetës së vet e ka kaluar në SHBA, në mënyrë koncize elaboroi për shikimet dhe qëndrimet e veta në Guci me rrethinë; aktivisti shoqëror e kulturor , filozofi Ferid Sharkinoviq në gjuhën boshnjake elaboroi dhe shprehu përjetimet e veta lidhur me temën në trevën e Plavë-Gucisë; si dhe gazetari dhe publicisti (autori i këtij materiali, SH.H.), gjerësisht foli për rrjedhat dhe qarqet e interkulturalizmit në trevën e Plavë-Gucisë në ca dekadat e fundit të shekullit paraprak dhe të këtij në vazhdim.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat