Në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të martën e kaluar (6 janar 2026) është mbajtur orë përkujtimore me rastin e vdekjes së Osman Rexhës, ish-kryetar i Komunës së Ulqinit dhe i Partisë së Prosperitetit Demokratik.
Ora përkujtimore ka filluar me një minutë heshtjeje.
Për jetën dhe veprimtarinë e tij kanë folur gazetari Zenel Katana dhe e bija Mirlinda Rexha.
Në fjalën e tij, Katana ka thënë se Osman Rexha ishte një personalitet që i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët dhe u sprovuan gjatë tërë jetës.
“Në të gjitha vendet në të cilat punoi, la gjurmë, si një figurë e matur, racionale dhe me autoritet të natyrshëm. Në takimet e shumta që ka pasur me autoritetet shtetërore, me diplomatë, me ambasadorë, dinte të shprehej shkëlqyeshëm, me seriozitet dhe të parashtronte përherë dhe të mbronte kërkesat në dobi të popullit të tij”, ka theksuar ai.
Gazetari ka vijuar duke thënë se edhe pas pensionimit, Osman Rexha i përcillte me vëmendje rrjedhat në qytetin e Ulqinit.
“I gëzohej të arriturave dhe sukseseve dhe çdoherë ishte i gatshëm të jepte këshilla dhe sugjerime të vyera për secilin kur i kërkohej. Po ashtu ai vlerësohej nga bashkëvendasit tanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Evropës Perëndimore”, ka pohuar Katana.
Respektin që ai gëzonte, sipas gazetarit Zenel Katana, e dëshmojnë më së miri mesazhet e dërguara me rastin e vdekjes së tij, të cilat kanë një emërues të përbashkët – “se Osman Rexha ishte dhe do të mbetet intelektual i përmasave të mëdha dhe personalitet i nderuar i popullit shqiptar”.
Me mall dhe emocione ka folur për babain e saj të ndjerë, Dr. Mirlinda Rexha.
“Për mua ai nuk ka qenë vetëm një emër i respektuar nga komuniteti, por ka qenë e gjithë bota, ka qenë krahu im i djathtë. Ka qenë një njeri me vizion, me mendje të kthjelltë dhe me një zemër të madhe”, ka thënë ajo.
Rexha ka thënë se babai i saj punoi pa u lodhur për të mirën e të gjithëve, pa asnjë dallim.
“Fjala e tij ka pasur peshë, sepse buronte gjithmonë nga e vërteta dhe nga e drejta. Respekti që ai ka gëzuar nuk ishte i imponuar, por ishte i fituar me përkushtim dhe me sakrificë. Gjithmonë ka qenë i gatshëm të dëgjojë dhe të ndihmojë në momentet e vështira”, ka thënë mjekja.
Sipas saj, trashëgimia më e madhe që i ka lënë babai nuk janë vetëm kujtimet, por edhe vlerat që do të mundohet t’i mbaj më vete tërë jetën.
“Babi im, ti nuk do të jesh më fizikisht me mua, por gjithmonë do të jesh i pranishëm në hapat që do të marr në vazhdimin e jetës”, është shprehur vajza Mirlinda Rexha, duke falënderuar në emër të familjes së saj – bashkëshortit dhe dy fëmijëve – të pranishmit në orën përkujtimore.
Osman Rexha u lind në Klleznën e Poshtme të Anës së Malit, më 3 maj 1939, në një familje fisnike dhe me tradita. Arsimin fillor e kreu në Anë të Malit dhe që në bankat e shkollës fillore u dallua si nxënës i gjeneratës. Më pas i vijoi mësimet në Normalen e Prishtinës, një vatër nga ku kanë dalë një numër i madh i intelektualëve në hapësirën mbarëshqiptare. I etur për dije, u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në qytetin e Nishit, të cilin e kreu me sukses. U dallua si ekonomist i formuar dhe me vizion. Aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale për vite të tëra i vuri në shërbim të disa institucioneve të rëndësishme të Kosovës. Ai kishte një dashuri të veçantë për Kosovën dhe vendlindjen e tij Ulqinin, ku do të zhvillojë një aktivitet të dendur politik dhe shoqëror pas kthimit të tij në vitet ’90 të shekullit të kaluar. U angazhua në jetën politike, në Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, kurse më pas themeloi dhe ishte kryetar i Partisë së Prosperitetit Demokratik. Në vitet 1996-1998 ushtroi postin e kryetarit të Komunës së Ulqinit. Më pas ishte këshilltar dhe nënkryetar i Komunës së Ulqinit deri në pensionimin e tij në vitin 2006. Vdiq në Prishtinë, më 1 janar 2026.
Ora përkujtimore, ku kanë marrë pjesë miq, kolegë, bashkëpunëtorë të të ndjerit dhe qytetarë të Ulqinit, është organizuar nga familjarët e Osman Rexhës.
i. k.
