Në kuadër të projektit “Vlerësimi i zhvillimit gjuhësor dhe të folurit te fëmijët e nivelit parashkollor në komunën e Ulqinit”, më 19 dhe 20 shtator 2025, në sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit është organizuar seminari mbi identifikimin dhe mbështetjen e fëmijëve me vështirësi në zhvillim, dedikuar edukatoreve të kopshtit IPP “Solidariteti” dhe të kopshteve private në këtë komunë.
Ligjërues në këtë trajnim dyditor ka qenë logopedi i njohur Dr. Bojan Radiq, i cili është themelues dhe kryetar i OJQ “World in Pictures” në Zenicë (Bosnjë dhe Hercegovinë) si dhe anëtar i Bordit të Organizatës Botërore të Autizmit.
Ky ekspert i njohur punon që prej vitit 2018 edhe në Kosovë, ku fillimisht ka qenë i angazhuar si mbikëqyrës, kurse më vonë ka kaluar në rolin e udhëheqësit të Klinikës së Autizmit brenda Qendrës Multidisiplinare Heimerer. Kjo Qendër ka një staf të specializuar shumëdisiplinar, ku punojnë mjekë, logopedë, ergoterapistë, fizioterapistë, psikologë, infermierë etj., ku të gjithë së bashku bashkojnë ekspertizën për të krijuar një plan të personalizuar kujdesi, sepse çdo fëmijë meriton mbështetje të ndërtuar vetëm për të. Ajo është e specializuar në vlerësimin dhe ndjekjen e zhvillimit të fëmijëve në mënyrë profesionale dhe gjithëpërfshirëse. Kjo Qendër pritet të fillojë së shpejti me punë praktike edhe në komunën e Ulqinit, prandaj është një mundësi e mirë për kuadro të profileve përkatëse që të marrin pjesë në trajnime të specializuara nga stafi i Qendrës Shëndetësore Heimerer.
Radiq ka thënë se çdo fëmijë është i veçantë dhe ka nënvizuar, ndër të tjera, rëndësinë e identifikimit dhe mbështetjes sa më të hershme që duhet t’u ofrojmë fëmijëve me vështirësi në zhvillim.
Pse është me rëndësi ndërhyrja e hershme dhe cila është mosha më e përshtatshme për këtë? Vizioni i ndërhyrjes së hershme te fëmijët me NV është që fëmijët dhe familjet e tyre të marrin shërbime të individualizuara dhe të bëhen pjesë e planit të përgjithshëm në fazën shkollore.
Ndërhyrja e hershme është një sistem mbështetës dhe edukativ për fëmijë nga lindja deri në moshën 6-vjeçare, të cilët kanë pasur dëmtime gjatë lindjes, fëmijë që janë viktima të abuzimit ose moskujdesjes, si dhe fëmijët që kanë vonesa zhvillimore ose paaftësi.
Mosha më adekuate dhe më efikase për ndërhyrje është fëmijëria e hershme, domethënë mosha 2-6 vjeç, kur shumë nga shkathtësitë jetësore themelore mësohen dhe zhvillohen në vitet e para të jetës, siç janë: shkathtësitë konjitive-njohëse, socio-emocionale, komunikimi dhe gjuha si dhe vetëkujdesi.
Fazat normale të zhvillimit të fëmijëve janë:
- fëmija 3 muajsh duhet të buzëqeshë dhe të ketë kontakt me sy;
- fëmija 3-12 muajsh imiton tinguj, belbëzon dhe fillon të thotë fjalët;
- fëmija 18-24 muajsh zgjeron fjalorin, fillon e mëson fjalë të reja.
Kur duhet të shqetësoheni?
Nëse fëmija 3 muajsh nuk ka ndërveprim, kontakt me sy, mosbelbëzim dhe moseksperimentim me tinguj duhet të kërkoni ndihmë nga një staf shumëdisiplinar, i përbërë nga psikologu, logopedi, neurologu dhe neuropediatri.
Prandaj prindër, nëse te fëmija juaj vini re vështirësi në të folur, sjellje apo ndërveprim social, mos prisni por bëjeni hapin e parë drejt qartësisë dhe mbështetjes së duhur.
Lumnije Bisha
