Plavë – Simboli i Plavës dhe njëri ndër destinacionet turistike më të vizituara të këtij qyteti, pas 30 vjetësh, sërish hapë dyert për turistë. Fjala është për hotelin “Liqeni i Plavës” (Plavsko jezero), renovimi i të cilit ka filluar në vitin 2018, është në përfundim e sipër.
Pronarja e hotelit në fjalë, znj. Hajrija Reçkoviq, gazetarët i ka njoftuar se punët në renovimin e hotelit janë në vazhdë, por janë në fazën përfundimtare.
“Objektet janë të mëdha dhe mjaft kërkuese. Kemi zgjedhur materialet më cilësore për montim dhe instalim, duke u përkushtuar kujdes standardeve të cilat duhet plotësuar. Investimet rinovuese janë të mëdha. Të gjitha instalimet elektrike, ujore dhe të kanalizimeve, si dhe pullazet në të dy objektet, plotësisht janë ndërruar dhe zëvendësuar me ato të reja, po ashtu është vendosur edhe një pjesë e orendive të reja”, ka bërë me dije zonja Reçkoviq. Punët në objektin e vogël, shton ajo, janë kryer rreth 70%.
“Hapjen e hotelit e presim këtë vit, nëse stabilizohet situata epidemiologjike me korona-virusin Covid-19. Kapacitetet e objektit të vogël të hotelit janë 31 dhoma, ndërsa e atij të madhit, 90 dhoma. Hoteli do të ketë dy restorante, sallën për konferenca dhe qendrën SPA. Në plan është edhe renovimi i terreneve sportive, të cilët dikur kanë ekzistuar në kornizë të këtij kompleksi”, ka konfirmuar zonja Reçkoviq.
Sipas fjalëve të saj, qëllimi është që të hapen vende pune për njerëz të rinj të cilët dëshirojnë të mbesin dhe të punojnë në Plavë.
“Në hotel do të punojnë 50 punëtorë. Në kohën kur në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar është ndërtuar hoteli, është planifikuar ashtu që pamja e tij t’i përshtatet ambientin natyror. Ne po ashtu edhe tani i kushtojmë kujdes dukjes së jashtme të objekteve të hotelit, duke i ruajtur pamjet e tyre të mëhershme. Hoteli kur të vihet në funksion, padyshim do të jetë objekt shtytës dhe nxitës i zhvillimit ekonomik të kësaj komune. Me hapjen e serishme të tij, shpresojmë se do të avancojmë jetën e qytetarëve të Plavës, si dhe sjelljen e turistëve në trevën e saj dhe në këtë mënyrë, ai sërish të bëhet i njohur si destinacion i dashur”, ka vlerësuar zonja Reçkoviq, duke shtuar në fund të prononcimit për gazetarë se në rinovimin e hotelit do të investohen pesë milion euro.
Shaban Hasangjekaj
