Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli listën e ngushtë në 10 kategori për edicionin e 94-të të “Academy Awards”.
Është shpallur lista e ngushtë për kategoritë: dokumentar i metrazhit të gjatë, dokumentar i metrazhit të shkurtër, film ndërkombëtar i metrazhit të gjatë, grim dhe stil flokësh, muzikë (rezultati origjinal), muzikë (këngë origjinale), film i shkurtër i animuar, film i shkurtër Live Action, efekte zanore dhe vizuale.
Në listën e ngushtë të nominimeve “Ocsars” është edhe filmi kosovar “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.
Në filmin “Zgjoi” paraqitet historia e vërtetë e Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur i shoqi u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh gra të tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes me ajvarin me salcë me piper të kuq. Së bashku ato gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.
Në prononcimin për “Deadline’s Contenders Film: International”, regjisorja Basholli tha: “Unë mund të bëja shumë filma për jetën e Fahrijes dhe për rrugëtimin e saj të vështirë gjatë luftës dhe pas luftës, por në fakt ishte karakteri dhe personaliteti i saj që me të vërtetë pati një ndikim të madh tek unë dhe te të gjithë ne”.
Filmi “Zgjoi” fitoi 3 çmime në festivalin “Sundance”, duke u bërë filmi i parë që fitoi të tre çmimet kryesore në historinë e këtij festivali. Pas këtij festivali, “Zgjoi” mori pjesë edhe në shumë festivale të tjera, ku mori çmime të shumta.