Rrënojat e qytetit të vjetër si dëshmi e fundit të një epoke

Shkëputur nga vepra e Mary Edith Durham “Through the Lands of the Serb” (1904), Kapitulli VI “Antivari”. Emërtimi Antivari përdoret nga autorja; në shqip Tivar, në gjuhën malazeze Bar

“U nisëm herët në mëngjes për të parë Antivarin. Tezga vendase e kafesë – një arkë e kthyer përmbys, brenda së cilës ishte strukur një shqiptar – po bënte tregti të gjallë, dhe kampi rom aty pranë po zgjohej e po shtrihej. Antivari ndodhet rreth tri milje në brendësi të tokës. Nuk e sheh derisa je pothuajse duke mbërritur, sepse është fshehur midis dy kreshtave të mëdha malore. Rruga dredhon përmes ullishtave madhështore, ku trungje të mëdha e të thinjura shtrihen në forma të çuditshme; dhe papritur, pas një kthese, Antivari shfaqet befas, me një pamje tronditëse.
Mbi një lartësi shkëmbore, në mes të zgavrës, qëndron i zymtë qyteti turk i shkatërruar – bedena, mure, shtëpi pa çati dhe kisha të rrënuara – ashtu siç u la pas luftës, një relike e tmerrshme, kockat gri të një qyteti që kalbet nën diell e qiell. U ngjitëm nëpër rrugën e pjerrët të pazarit modern me dyqanet e vogla prej druri dhe banorët shqiptarë plot gjallëri, deri te porta e madhe e qytetit të vjetër. Një roje qëndronte gjithnjë në shërbim, por me fjalën ‘Engleske’ na lejoi të kalonim me buzëqeshje. Ishte një qytet i vdekur, rrëqethës, i mbytur nga hardhitë dhe ferrat që grisnin muret dhe mbështillnin dyer e harqe. Fiq dhe kumbulla të egra kishin mbirë nëpër dhoma e oborre, madje edhe mbi bedenat më të larta. Bari rritej deri në gju nëpër rrugë ende të mbuluara me fragmente të ndryshkura predhash; copa zbukurimesh dhe ndonjë dritare dëshmonin për qytetin e vjetër venedikas, ndërsa mbetje freskash zbeheshin mbi muret e kishave. Njeriu ishte larguar; natyra kishte hyrë dhe, në heshtje, po përfundonte shkatërrimin.
Antivari ra në janar 1878 pas një rrethimi të gjatë. Mbrojtësit bënë qëndresë të guximshme dhe, kur u detyruan të dorëzoheshin, ndezën barutin. Shpërthimi që pasoi e rrënoi qytetin përtej mundësisë së riparimit. Më 5 janar 1878, forcat malazeze hodhën në erë ujësjellësin e qytetit duke ndërprerë furnizimin me ujë; Ibrahim Beu u dorëzua më 9 janar. Në Kongresin e Berlinit (1878), me Traktatin përkatës (neni 29), Mali i Zi u njoh si shtet i pavarur dhe qyteti i Tivarit me zonën përreth iu cedua formalisht Principatës, me kufizime të rrepta detare të imponuara nga Austro-Hungaria.
Qyteti, megjithëse i shënuar në hartë, jep përshtypjen sikur nuk ekziston më; aq të shpërndara janë shtëpitë dhe aq e paktë popullsia. Ai flet tri gjuhë – turqisht, serbisht dhe shqip – dhe ndahet në tri fe: muhamedane (shqiptare), ortodokse dhe katolike romake (shqiptare); madje ka një kryeipeshkëv katolik romak vetëm për vete. Ipeshkvia është shumë e vjetër, e themeluar fillimisht në Dioklea dhe më pas e transferuar në Antivari. Antivari ishte venedikas deri më 1479; sot bashkësia katolike është reduktuar në rreth gjashtëqind shpirtra, të gjithë shqiptarë, të paktën kështu e quajnë veten. Ashtu si çdo muhamedan (shqiptar) thotë se është ‘turk’, çdo ortodoks se është malazez, ndërsa çdo katolik romak (shqiptar) thotë se është shqiptar; edhe kur tiparet fizike janë pothuajse identike. Shumica e banorëve janë muhamedanë (shqiptarë) dhe rrethi thuhet se është i goditur nga ethet.
Në fushën poshtë gjenden rrënojat e konakut të Selim Beut, tirania e të cilit kujtohet ende. Të krishterët ishin veçanërisht viktima të tij. Kur qyteti ra, ai kërkoi strehë pikërisht në shtëpinë e njërit prej atyre që kishte torturuar. Rrëfimi, me ngarkesë dramatike, thekson kodin shqiptar të mikpritjes dhe shenjtërinë e mikut që kërkon strehë”.


Çështja e Ulqinit (Dulcigno) e vitit 1880 lidhet drejtpërdrejt me pasojat e Kongresit të Berlinit. Fillimisht, Fuqitë e Mëdha i dhanë Malit të Zi krahinat e Plavës dhe Gucisë; por për shkak të rezistencës së fortë shqiptare, u vendos që në vend të tyre Mali i Zi të merrte Ulqinin si kompensim, për të shmangur konfliktin e mëtejshëm.
Nga ky këndvështrim historik, Tivari, pasi u pushtua nga malazezët dhe qyteti i vjetër humbi lavdinë e mëparshme, nuk e rimori më kurrë veten. Edhe pse shpesh edhe sot shkruhet se qyteti u ‘çlirua’ nga malazezët, realiteti historik dëshmon për një pushtim të arritur pas një rrethimi disamujor dhe një ndryshimi sovraniteti të imponuar nga rrethanat ushtarake dhe diplomatike. Rrënojat e qytetit të vjetër qëndrojnë si dëshmi se ai akt shënoi fundin e një epoke dhe jo ringjalljen e saj.

Përktheu dhe përshtati për botim: Sami Flamuri

Të fundit

më të lexuarat