
Shqiptarët merrnin pjesë në jetën politike edhe në Principatë dhe në Mbretërinë e Malit të Zi, që nga fillimet e parlamentarizmit në këtë vend. Edhe pse numri i shqiptarëve në parlamentin malazez ndryshonte, fakti që në Principatë dhe në Mbretërinë e Malit të Zi shqiptarët kishin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin Popullor, tregon se qeveria njihte veçantinë e tyre kombëtare. Këtë të drejtë atyre ua mundësoi Kushtetuta e Principatës së Malit të Zi nga dhjetori i vitit 1905, kur Parlamenti i Malit të Zi si organ shtetëror, në kuptimin formal dhe material u krijua me emrin Kuvendi Popullor, si përfaqësues i popullit dhe organ i pushtetit legjislativ që ushtron me Princin.
Zgjedhjet e para parlamentare për Kuvendin Popullor në Mal të Zi u mbajtën në bazë të Ligjit për Zgjedhjen e Deputetëve të Popullit, të miratuar më 24 qershor (7 korrik) 1906. Kuvendi Popullor zgjidhej për katër vjet dhe çdo qytetar malazez mbi moshën 21 vjeç kishte të drejtë të votonte “pavarësisht se sa paguan taksa”. Në përputhje me Kushtetutën, mund të zgjidhej deputet vetëm një shtetas malazez i cili në ditën e zgjedhjeve është 30 vjeç, jeton përgjithmonë në Mal të Zi, duke i përjashtuar ata që janë të angazhuar në punë qeveritare, që gëzojnë të gjitha të drejtat civile dhe që i paguajnë shtetit të paktën 15 korona në taksa dhe detyrime çdo vit, ose detyrime dhe taksa të kombinuara. Përveç deputetëve të zgjedhur nga njësitë zgjedhore, një numër deputetësh erdhën në Kuvend sipas pozicionit – të ashtuquajturit deputetë virilë.
Zgjedhjet u mbajtën më 27 shtator, ndërsa Kuvendi Popullor u mblodh për herë të parë në Cetinë, më 31 tetor 1906. Kjo ishte mbledhja e parë e Kuvendit dhe ajo datë llogaritet si data e fillimit të parlamentarizmit në Mal të Zi.
Siç shkruan “Glas Crnogorca”, revistë javore për politikë dhe letërsi, organ zyrtar i Principatës së Malit të Zi, 19 nëntor 1905, në zgjedhjet e para për Kuvendin Popullor, të mbajtura më 27 nëntor 1905, u zgjodhën katër shqiptarë: Dedë Lekë Gjelosheviq (kapitenia e Trieshit, Mehmed beg Resulbegoviqi qyteti i Ulqinit, Brahim Bet Likoviq (kapitenia e Krajës) dhe Osman Can Oxhiq (kapitenia e Shestanit). Meqenëse disa deputetë u zgjodhën në dy vende zgjedhore, si dhe procesi zgjedhor nuk u përfundua në disa vende, në zgjedhjet e përsëritura më 20 nëntor (3 dhjetor) zgjedhja e Dedë Lekë Gjelosheviq (kapitenia e Trieshit) u anulua. Në vend të tij u zgjodh brigadieri Velisha Llazoviq, shkruan “Glas Crnogorca”, më 26 nëntor 1905.
E njëjta revistë, që mban datën 16 shtator 1906, shkruan se i vetmi deputet me kombësi shqiptare në parlamentin malazez ishte Adem Brahim Koliqi (kapitenia e Krajës).
Referuar revistës së përmendur, të datës 20 tetor 1907, deputet i Ulqinit u zgjodh tregtari Jusuf Resulbegoviqi, Petar Lekë Dobrecoviq (bujk) në kapiteninë e Ulqinit dhe Adem Koliqi në kapiteninë e Krajës.
Po ashtu në “Glas Crnogorca”, 17 shtator 1911, thuhet se Jusuf Resulbegoviqi dhe Petar Lekë Dobrecoviq u zgjodhën deputetë në Komunën e Ulqinit.
E njëjta revistë, më 4 janar 1914 shkruan: “Në zgjedhjet e mbajtura më 29 dhjetor 1913 (11 janar 1914), i vetmi shqiptar në parlament ishte Dr. Filip Dobreçiq, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (kapitenia e Ulqinit)”.
Nga ajo që thamë dhe dokumenteve të tjera arkivore që posedojmë, rezulton se në Kuvendin Popullor të Malit të Zi (1906-1914) janë zgjedhur 7 deputetë shqiptarë.
Në zgjedhjet e para parlamentare në Mal të Zi, të mbajtura më 14 dhjetor (27) 1906, u zgjodh një shqiptar midis deputetëve të Kuvendit Popullor të Malit të Zi.
Vitin pasardhës (1907), në zgjedhjet e parakohshme për parlamentin malazez, u zgjodhën tre deputetë me kombësi shqiptare.
Në zgjedhjet për përbërjen e tretë të Kuvendit Popullor, të cilat u mbajtën më 27 shtator 1911, u zgjodhën dy deputetë shqiptarë.
Në zgjedhjet e fundit në Mbretërinë e Malit të Zi, të mbajtura më 11 janar 1914, vetëm një shqiptar u zgjodh në Kuvendin Popullor.
Kuvendi Popullor i kësaj përbërjeje u mblodh për herë të fundit më 25 dhjetor 1915 dhe i përfundoi punimet më 4 janar 1916, duke mos u mbledhur më.