Ulqini (Dulcigno) ishte një qytet bregdetar nën administrimin osman, por me ndikime të forta veneciane dhe me traditë të fuqishme detare. Lidhjet e tij tregtare dhe lundruese me portet italiane, si Ankona dhe Venecia, e bënin çdo shpërthim sëmundjeje në këtë qytet një kërcënim serioz për gjithë Adriatikun.
Këtë e dëshmon gazeta Giornale di Foligno, nr. 37, e vitit 1761, një fletë informative e rrallë e shekullit XVIII, e dokumentuar në katalogë antikuarë. Një pjesë e konsiderueshme e këtij botimi i kushtohet “infelice notizie” – lajmeve të pafatshme – mbi rishfaqjen e një sëmundjeje ngjitëse – murtajës, në Ulqin.
Sipas raportimeve që i mbërritën Konsultës së Shenjtë të Shteteve Papnore, sëmundja kishte marrë përmasa shqetësuese dhe po përhapej me rrezik të madh edhe për zonat fqinje. Përmendet rasti i Zubçit, një fshat i Antivarit (Tivari i sotëm), ku një i ri i larguar nga zona e prekur vdiq me shenja të qarta të murtajës, ndërsa familja e tij pësoi të njëjtin fat.
Megjithëse banorët e Lastës (Petrovacit të sotëm) tentuan t’i ruanin kufijtë e tyre, autoritetet papnore reaguan menjëherë. Konsulta e Shenjtë, duke vepruar si organ i posaçëm për shëndetin dhe me miratimin e drejtpërdrejtë të Papës, vendosi një karantinë 28-ditore (contumacia).
Kjo karantinë u aplikua për anijet, mallrat dhe personat që vinin nga Gjiri i Kotorrit (Bocche di Cattaro), Castel Nuovo (Herceg Novi), Ragusa (Dubrovniku) dhe brigjet e Shqipërisë Turke. Asnjë mjet lundrues apo person nuk lejohej të hynte në portet e shtetit kishtar pa përfunduar më parë karantinën në Ankonë ose Civita Vecchia.
Edhe pse shpërthimi i vitit 1761 nuk ishte pjesë e një pandemie të madhe evropiane, ai u trajtua me seriozitet maksimal për shkak të rolit strategjik të Ulqinit si port adriatik. Ky dokument e vendos Ulqinin në hartën e historisë evropiane të shëndetit publik dhe dëshmon se qyteti ishte një nyjë kyçe në rrjetet e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe, në raste fatkeqe, edhe të sëmundjeve.
S. Flamuri
