
Periudha e gjatë e paqes dhe prosperitetit që nga viti 1718, bënë që ulqinakët në fund të shekullit XIX të mos jenë më të vetëdijshëm për përgatitjen e një stuhie të re në rajon, për nacionalizmat e popujve të Ballkanit dhe idetë e tyre megalomane, për interesat e Fuqive të Mëdha dhe për ndërrimin e hartës gjeopolitike në Evropën Juglindore. Luftërat u dukeshin shumë të largëta; askush as që mendonte se pozita e tyre mund të ndryshohet.
Por, kështu nuk menduan fqinjët e tyre. Që në vitin 1844, në “Naçertanije” (planet për krijimin e Serbisë së Madhe) ministri serb i Punëve të Brendshme Ilija Garashanin thekson se shteti i tij përmes Ulqinit mund të dalë në det. “Vetëm një rrugë e këtillë tani për tani është e mundur, e cila përmes Shkodrës të çon në Ulqin”, shkruante ai dhe shtonte se mu për këtë arsye do të ishte mirë që të emërohet një agjent tregtar serb në Ulqin.
Deti dhe jeta i afruan ulqinakët me shtetet dhe kulturat evropiane. Ata vërtet që me shekuj ishin të lidhur për Turqinë, lojalë të sulltanit dhe nuk kishin dëshirë që këtë ta vinin në pikëpyetje, por edhe më shumë, në dekadat e fundit, ishin lidhur për Perëndimin. Për ndryshim prej osmanlinjve, ulqinakët nuk u vonuan të kapin hapin me sistemin e ri botëror. Konsulli francez në Shkodër Aleksandër Degran shkruante se në Ulqin ka “ndërtesa të ndërtuara me shumë shije dhe pamje evropiane që habisin”.
Se stuhia e re ishte e mundur, tregon dhe episodi tragjik i spastrimit etnik të myslimanëve në Peloponez (More), kur disa dhjetëra arvanitas, si refugjatë, arritën në Ulqin. Vendasit morën vesh për konfiskimin e pasurive të tyre si dhe të pronave dhe objekteve fetare, shumë njerëz i përndoqën nga vatrat e veta, shumë edhe i vranë. Kjo edhe më tepër forcoi bindjen e ulqinakëve se duhen ruajtur suazat ekzistuese shtetërore, sepse ky u kishte ofruar mjaft liri. Rreth kësaj, në qytet ekzistonte pajtueshmëri e plotë, andaj edhe nuk u mbetej tjetër veçse të përpiqeshin që ta mbrojnë statusin e vet kur malazezët, kah fundi i vitit 1877, sulmuan Tivarin, ndërsa më vonë edhe Ulqinin. Rreth 300 ulqinakë, të udhëhequr nga Mehmed-beg Resulbegu dhe shkodranë në krye me Shaban-beg Bushatin, u erdhën në ndihmë tivarasve.
Me rënien e Tivarit, Ulqini praktikisht iu la fatit të vet. Ushtria turke mbante në Ulqin katër batalione me rreth 1900 nizamë (nga të cilët njërin e përbënin rekrutët nga Siria), por ishin edhe rreth 1400 vullnetarë shqiptarë.
Pas përleshjes së shkurtër por të përgjakshme njëditore, më 19 janar të vitit 1878, qyteti u dorëzua. Sipas të dhënave malazeze, u vranë 400 ushtarë turq, ndërsa 500 u zënë robër. Malazezët patën 70 të vdekur dhe 110 të plagosur.
Me të hyrë në Ulqin malazezët, nën komandën e popit Ilija Pllamenac, dogjën Çarshinë dhe një pjesë të qytetit nën Malin e Bardhë i cili quhej Qafë Larje, ndërsa prej atëherë Mëhalla e Re. Mehmed-begu ia dorëzoi qytetin knjazit Nikolla, i cili e njohu atë si major dhe e emëroi në pozicionin e duhur në ushtrinë malazeze. Knjazi urdhëroi ushtrinë të shuante zjarrin dhe të mbrohet qyteti nga dëme të mëtejshme.
Një ditë më vonë, ai i thirri të gjithë muhamedanët e shquar nga Ulqini, të cilët i njoftoi se po emëronte Pllamencin guvernator.
Ulqini në të gjitha këto shqetësime, megjithatë, kaloi shumë më mirë nga qyteti i vjetër dhe i famshëm i Tivarit, të cilin udhëheqësit e rinj gjatë dy muajve rrethimi e shndërruan në hi dhe rrënoja. “Kam parë shumë rrethime të tjera, por kurrë nuk kam parë diçka kështu të tmerrshme si këtë qytet të mjerë, Tivarin, ku asnjë shtëpi nuk mbeti e ruajtur”, shkruante gazetari francez Ogist Majlan, ndërsa një historian më vonë konstaton: “Rrënojat, të shkapërderdhura nëpër kodër si fantazma, të dala nga toka, krijojnë përshtypjen e një foleje të mallkuar”.
Edhe pse Perandorinë Turke e tronditi kriza e rëndë, ajo në vitin 1876 lehtë e mundi Serbinë dhe Malin e Zi. Vitin në vijim, këto dy shtete u lidhën me Rusinë dhe së bashku hynë në luftë kundër Turqisë. Mirëpo, Perandoria nga Rusia përjetoi humbje katastrofale dhe ishte e detyruar që, me Marrëveshjen paqësore të Shën Stefanit të 3 marsit 1878 dhe në tavolinën e gjelbër të dorëzojë Ulqinin, pastaj Podgoricën, Plavën dhe Gucinë.
Të pakënaqur me ndryshimin e raporteve në mes fuqive në Ballkan, i cili shkonte në favor të Rusisë, fuqitë evropiane tre muaj më vonë thirrën konferencën e re paqësore. Kongresin në Berlin (që u mbajt prej më 13 qershor deri më 13 korrik) e organizoi kancelari gjerman Oto fon Bizmark.
Në të njëjtën kohë u themelua Lidhja e Prizrenit, me të cilën shqiptarët u munduan që Evropës t’i tregonin se ishin unikë në qëndrimin e tyre politik se duhet të bashkohen vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës dhe të krijohet territori autonom ku ata do të ishin shumicë. Kjo nënkuptonte guvernatorin e regjionit, kuvendin, nëpunësit shtetërorë të cilët flasin gjuhën e popullit, shërbimin ushtarak në kufijtë e Shqipërisë dhe kontrollin e të ardhurave në këtë territor, si dhe hapjen e shkollave popullore në gjuhën shqipe. Mirëpo, sulltani Abdyl Hamidi II e hodhi poshtë kërkesën e Lidhjes për federalizmin e Perandorisë, duke e vlerësuar si “ide të turbullt” (fikr-i fesad).
Përfaqësuesi turk në Kongresin e Berlinit, Aleksandar Karatheodori Pasha insistoi të dokumentojë se jo vetëm Ulqini por edhe Tivari janë shqiptarë dhe se “malazezët këtu mund të rrinë vetëm me dhunë, kundër dëshirës së popullatës shqiptare”. U arrit zgjidhje kompromisi dhe u shkrua në protokoll numër 12: “Tivari me bregdetin do t’i dorëzohet Malit të Zi në bazë të këtyre kushteve: regjionet të cilat ndodhen në jug të këtyre viseve deri në Bunë, duke përfshirë edhe Ulqinin, do t’i kthehen Turqisë”. Andaj dhe malazezët u desh që të tërhiqen nga Ulqini, gjë që edhe e bënë më 8 shkurt të vitit 1879.
Me marrëveshjen e Berlinit ishte paraparë që Mali i Zi të fitojë Plavën dhe Gucinë, gjë që pranoi edhe princi Nikolla, sepse do ta sillte atë më pranë ëndrrës së tij – Kosovës. Mirëpo, nën komandën e Ali Pashë Gucisë vendasit e këtyre krahinave, të përkrahur nga Lidhja e Prizrenit, u kundërvunë me armë. E njëjta gjë ndodhi edhe në pranverë të vitit 1880 kur u bë marrëveshja, me propozimin e ambasadorit italian në Stamboll, grofit Luigji Korti, që Malit të Zi, si zëvendësim për Plavën dhe Gucinë, t’i dorëzohet Hoti dhe Gruda. Andaj Fuqitë e Mëdha, me propozimin e konsullit britanik dhe atij austriak në Shkodër, Kirbi Grin dhe Fridrih Lipih, i sugjeruan Portës që Malit të Zi t’i jepet Ulqini me rrethinë deri në grykën e Bunës “aq më parë sepse popullata e atjeshme është sllovene, e jo e kombësisë shqiptare”. Propozimin ambasadorët e Fuqive të Mëdha ia dorëzuan Portës së Lartë më 26 qershor, të cilin sulltan Abdul Hamidi II e refuzoi. Shefi i diplomacisë turke Abedin Pasha u përgjigj se “popullata e Ulqinit është tërësisht e fesë islame dhe se Porta nuk mund të pranojë këtë propozim”. “Ulqini dhe rrethina e tij me popullatën e cila tërësisht është me fe myslimane, gjithmonë janë njohur si pjesë të Shqipërisë Veriore dhe prandaj është tërësisht e natyrshme se ky qytet edhe për shqiptarët është shumë më i rëndësishëm sesa zona e Hotit dhe Grudës, e cila do të duhej t’i lihen Malit të Zi sipas marrëveshjes së 18 prillit”, theksohet në notën e cila iu dërgua ambasadorëve të Fuqive të Mëdha.
Për pesë muaj, Ulqini ishte një temë kryesore në kryeqytetet evropiane dhe në shtyp. Antropologu dhe arkeologu i njohur anglez, Sir Artur Evans (Arthur John Evans, 1851-1941), i cili, sipas fjalëve të tij, ishte i vetmi i huaj që qëndroi në këtë qytet gjatë “Krizës së Ulqinit” në shtator 1880, dëshmon për këtë.
“Qyteti i vogël bregdetar i Dulcignos kohët e fundit ka tërhequr më shumë vëmendje sesa meriton madhësia e tij”, vëren Evans. Ai raportonte për dorëzimin e këtij qyteti, tërësisht shqiptar, pothuajse çdo ditë për gazetën “Manchester Guardian”.
“Ulqini sot, e do të mbetet edhe disa kohë, u bë vendi ndaj të cilit e ka drejtuar shikimin tërë bota politike”, shkruante gazeta e Cetinës “Glas Crnogorca”, më 30 gusht 1880. (vazhdon)
