Mali i Zi nuk ia doli ta sllavizonte Ulqinin

Në atë ditë të madhe, në Vlorë ndodhej edhe një ulqinak - Ismail Shurdha, djali i kapedanit të lundrimit të gjatë Bet Shurdhës, me anijen e tij tregtare Hulusije. Kjo navë mbante 1100 tonë dhe kishte 22 anëtarë ekuipazhi, të cilët po ktheheshin nga Tripoli. Hulusije ishte barka më e madhe që ndodhej në portin e Vlorës. Kur dëgjuan se pritej të merret vendimi për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, ata u ankoruan në Vlorë dhe sapo u mor vendimi, të enjten, më 28 nëntor 1912, rreth orës 17:00, në direkun e anijes së tyre, ata ulën flamurin turk dhe ngritën lart flamurin shqiptar. “Pata nderin ta çoj flamurin me simbol kombëtar në Vlonë“, deklaroi kapedan Ismaili, i gëzuar pa masë për faktin se Shqipëria më në fund u bë më vete, e lirë dhe e mosvarme

Mustafa Canka

(vijon nga numri i kaluar)
Synimi kryesor i politikës dhe i Ushtrisë malazeze ishte të hynte në mënyrë triumfale në Shkodër, prandaj batalioni i majtë i Brigadës së Bregdetit kishte grumbulluar forca të mëdha drejt Muriqanit dhe Taraboshit.
Para sulmit të Ushtrisë malazeze, valiu i Shkodrës Hasan Riza Pasha urdhëroi mobilizimin e motovelierave. Pa ngurruar, nën komandën e tij u vu edhe kapedani ulqinak Abdullah Dul Bilali me anijen e tij Bilalina. Komanda turke e pajisi me dy topa me qitje të shpejtë dhe i caktoi një pozicion në liqenin e Shkodrës, prej ku ajo i bombardonte pozitat e malazezëve në Tarabosh. Rëndësia e saj ishte posaçërisht në betejën e Krajës, më 11 tetor 1912.
Studiuesi gjerman Hugo Grote, i cili qëndroi në Ulqin gjatë luftës, dëshmon në librin e tij “Përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi” se zhurma e luftës nuk u ndie në këtë qytet. E vetmja provë e fushatës luftarake malazeze ishte fakti se disa dyqane ishin të mbyllura, pronarët e të cilave ishin në front, dhe fakti që flamuri rus dhe flamuri i Kryqit të Kuq valëviteshin nga një ndërtesë shkolle ku punonin disa rusë. Posta dhe shërbimi telegrafik ishin gjithashtu të mbyllur, sepse nuk kishte punonjës të mjaftueshëm.
Grote na informon gjithashtu se në fund të tetorit 1912, Mbreti Nikolla arriti në Ulqin me jahtin e tij nga Tivari dhe qëndroi në kështjellën në Sukë për disa ditë.
Gjenerali serb Atanackoviq dhe gjenerali bullgar Paprikov mbërritën në Ulqin me të. Në Ulqin, ata morën lajmin e trishtueshëm se jo shumë larg Shkodrës, ushtria malazeze ra në një kurth dhe pësoi humbje të mëdha – 80 të vdekur dhe më shumë se 300 ushtarë të plagosur rëndë.
Më 1 nëntor 1912, ai shkoi me kalë deri në Muriqan, ku Ushtria malazeze nën komandën e gjeneralit Martinoviq kishte ngritur një kamp, për të parë gjendjen e vërtetë në front. Përndryshe, Ushtria malazeze përparoi shumë lehtë në veri të vendit dhe në pjesën qendrore kah Malësia, por jo në këtë pjesë përgjatë bregdetit. E koha punonte kundër planeve të krajl Nikollës.
Humbjet serioze që pësoi Ushtria malazeze në sektorin drejt Shkodrës bënë që euforia të shndërrohej në një pritje të padurueshme se kur do të mbaronte kjo luftë jashtëzakonisht e vështirë dhe rraskapitëse për Malin e Zi. Zyrtarët në Cetinë u zhgënjyen veçanërisht kur në mesin e nëntorit u bë e sigurt se krijimi i një shteti shqiptar do të ndodhte së shpejti. Krijimi i një Shqipërie të pavarur nuk u konsiderua si një rend natyror i lëvizjes kombëtare dhe i aspiratave politike të shqiptarëve, por një pasojë e intrigave austro-hungareze në Ballkan. U theksua se në këtë mënyrë Mali i Zi pengohej të ushtronte të drejtat e tij shtetërore dhe historike.
Mbreti Nikolla madje deklaronte se krijimi i një Shqipërie autonome do të ishte goditja më e rëndë për sllavët, sepse në këtë mënyrë dalja e serbëve në ato vende të kërkuara nga aspiratat e tyre do të mbyllen përgjithmonë. Edhe nga Beogradi u porosit se Serbia nuk mund të pajtohej me krijimin e një shteti të pavarur të Shqipërisë në fqinjësinë e saj.
Në shtypin malazez përsëritej thënia: “E kujt është Shkodra, atij i takon edhe Cetina!” Megjithatë, Shkodra nuk ishte vetëm qendra e Shqipërisë veriore, por edhe qendra ekonomike dhe kulturore e të gjithë Shqipërisë.
Rusia atëherë e paralajmëroi Malin e Zi – dëshira e Mbretit Nikolla për të pushtuar Shkodrën është e kotë dhe do t’i jepte një goditje fatale interesave të dinastisë së tij. Kjo do të ndodhë disa vite më vonë, por për shqiptarët, situata në terren që nga mesi i nëntorit 1912 ishte më shumë se dramatike.
Ushtria malazeze hyri në Shëngjin më 16 tetor 1912 e dy ditë më vonë edhe në Lezhë, gjë që e bëri Shkodrën objektivin kryesor të Malit të Zi në luftë, plotësisht të izoluar nga zonat e thella. Pas kësaj, qyteti përjetoi gjashtë muajt më të vështirë në historinë e tij.
Më 29 nëntor 1912, Serbia pushtoi Durrësin dhe ushtarët serbë bënë fotografi në detin serb. Zonat jugore të Shqipërisë u pushtuan nga Greqia, kurse rrethi i Shkodrës i përkiste Malit të Zi. Në sytë e publikut serb, kjo ishte një përpjekje për të rivendosur perandorinë e Car Dushanit. Sigurisht, Fuqitë e Mëdha e kundërshtuan menjëherë daljen e Serbisë në det, sepse kishin frikë nga përhapja e ndikimit rus, i cili bëhej përmes Serbisë.
Mizoritë shumëfishoheshin në këtë luftë të egër. Serbet që, duke pushtuar Kosovën dhe Shqipërinë e veriut masakruan banorë të fshatrave të tëra, shkaktuan indinjatën ndërkombëtare.
Sipas marrëveshjes së mëparshme për një aleancë të ndërsjellë, kufiri serbo-grek duhej të ishte vendosur në lumin Shkumbin, që do të thoshte se të gjitha territoret e shtetit shqiptar do t’i nënshtroheshin ndarjes nga aleatët ballkanikë. Edhe pse Fuqive të Mëdha nuk u pëlqeu kjo, ushtritë e këtyre vendeve as nuk menduan të tërhiqeshin. Përkundrazi, ata u sollën sikur do të rrinin në Shqipëri për shekuj me radhë. Shteti i saposhpallur shqiptar kishte nën kontroll efektiv vetëm Vlorën dhe rrethinën e saj.
Prandaj me shpalljen e Pavarësisë, Ismail Qemali dhe delegatët në Vlorë, më 28 nëntor 1912, shpresonin se ky vend nuk do të ndahej si plaçkë lufte. Me këtë akt ata treguan se shqiptarët e duan lirinë dhe respektin nga Evropa.
Në atë ditë të madhe, në Vlorë ndodhej edhe një ulqinak – Ismail Shurdha, djali i kapedanit të lundrimit të gjatë Bet Shurdhës, me anijen e tij tregtare Hulusije. Kjo navë mbante 1100 tonë dhe kishte 22 anëtarë ekuipazhi, të cilët po ktheheshin nga Tripoli. Hulusije ishte barka më e madhe që ndodhej në portin e Vlorës.
Kur dëgjuan se pritej të merret vendimi për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, ata u ankoruan në Vlorë dhe sapo u mor vendimi, të enjten, më 28 nëntor 1912, rreth orës 17:00, në direkun e anijes së tyre, ata ulën flamurin turk dhe ngritën lart flamurin shqiptar.
“Pata nderin ta çoj flamurin me simbol kombëtar në Vlonë“, deklaroi kapedan Ismaili, i gëzuar pa masë për faktin se Shqipëria më në fund u bë më vete, e lirë dhe e mosvarme.
Në anije me Ismailin ishte edhe një djalë i vogël nga Afrika. Kur Ismaili u largua nga Tripoli për në Shqipëri, një djalosh 12-vjeçar me emrin Ali i kërkoi ta merrte me vete. Ai ishte pa familje dhe kishte frikë se mos përfundonte si skllav. Ismaili e mori djalin e zgjuar dhe e çoi në Shkodër, ku jetonte familja e tij pasi u zhvendos nga Ulqini pas vitit 1880.
Ismaili nuk kishte fëmijë meshkuj dhe e paraqiti Aliun si djalin e gruas së tij. Ali Harapi, siç e njihnin të gjithë në Shkodër, u rrit dhe u martua në shtëpinë e kapedan Ismailit dhe ai nuk e ndau kurrë nga vëllezërit e tij – Reshiti dhe Iljazi.
Ulqinakët e traditave mijëravjeçare të detarisë, që ishin nën pushtetin e Malit të Zi, gjetën një mënyre origjinale për të shprehur entuziazmin e lajmit të shpalljes së Pavarësisë. Anijet dhe barkat e ulqinakëve ngritën flamurin me shqiponjën dykrenore. Kapiteni i anijes ulqinake, Ymer Fazlija, e shpuri anijen e tij me flamurin kombëtar shqiptar në portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë.
Lufta e përgjakshme për Shkodrën vazhdonte. Komandanti i qytetit Hasan Riza Pasha, një gjeneral osman i aftë, organizoi mbrojtje të shkëlqyer dhe rezufoi të dorëzohet edhe kur trupat osmane u thyen në të gjitha frontet.
Mali i Zi refuzonte t’i respektojë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila filloi më 17 dhjetor 1912. Krajl Nikolla i porositi ambasadorët në fillim te janarit se të gjithë malazezët janë të vendosur të vdesin për Shkodrën. Mbretit të moshuar nuk i interesonte fare se për shekuj me radhë, Shkodra nuk ishte vetëm qendra e Shqipërisë veriore, por me të vërtetë qendra e të gjithë Shqipërisë. Pa Shkodrën, Shqipëria do të ishte një trup pa kokë!
Për ta treguar vendosmërinë e tyre, Fuqitë të Mëdha nisën më 5 prill 1913 demonstrimin detar para Tivarit dhe Ulqinit deri në Shëngjin. Bregdeti u bllokua dhe Ushtria serbe së shpejti u tërhoq. Mbreti Nikolla, i cili nuk donte të pranonte se planet e tij për të zgjeruar territorialisht Malin e Zi në zonën e Shqipërisë veriore kishin dështuar, refuzoi ta bënte këtë. Por, për shkak të mungesës së ushqimit, Esat Pashë Toptani vendosi t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi.
Princi Danillo, djali i krajl Nikollës, hyri në Shkodër më 23 prill 1913, por ai s’qëndroi dot aty për shumë kohë. Komisioni Ndërkombëtar dhe Komiteti i Kontrollit do të largohen më 14 maj 1913 dhe do t’ua lënë qytetin për administrim forcave ndërkombëtare, nën udhëheqjen e një koloneli britanik.
“Refuzimi i ultimatumit të Fuqive të Mëdha në këtë moment do të thoshte t’i jepej Austrisë mundësia për ta pushtuar Tivarin dhe Ulqinin, gjë që do të ishte vetëvrasje për Malin e Zi“, tha kryeministri, gjenerali Martinoviq, në Parlamentin e Malit të Zi, duke e arsyetar vendimin për tërheqjen e trupave malazeze nga Shkodra.
Edhe majori Lipovina, i dëshpëruar konstaton: “Të zemërlëshuar, të tradhtuar dhe të braktisur ushtarakisht nga vëllezërit tanë serbë, të tradhtuar nga aleatët tanë dhe të mposhtur si fitimtarë, kthehemi në shtëpitë tona, duke lënë dhjetë mijë ushtarët malazezë më të mirë e më trima në varrezat rreth Shkodrës“.
Së shpejti nisi edhe Lufta e Dytë Ballkanike, pastaj Lufta e Parë Botërore. Ulqinakët nuk e kishin aspak të lehtë të mbijetonin në vatrat e tyre në rrethana të tilla, posaçërisht kur dihet se gjatë tërë historisë së tyre ishin mbështetur në Shkodrën. Mirëpo, me besim, durim dhe tolerancë, ia arritën që të mbijetojnë në këtë vend të bekuar.
Shkrimtarja dhe humanistja e famshme britanike Mary Edith Durham, e cila në fillim të shekullit XX e vizitoi Ulqinin disa herë, i akuzoi Fuqitë e Mëdha për vendimin e padrejtë për t’ua dhënë Ulqinin fqinjëve të tyre, i cili, siç pohon ajo, ishte tërësisht shqiptar. Në veprën e saj “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike“, e cila u botua në vitin 1920, ajo thotë se forca e vërtetë e natyrës shqiptare të Ulqinit mund të shihet në faktin se në Nikshiq, Podgoricë dhe Shpuzë ata ua morën të gjithë pasurinë myslimanëve, serbëve dhe shqiptarëve dhe i detyruan të vdisnin nga uria. Por atyre, malazezëve, nuk u lejua ta keqtrajtonin popullsinë e madhe dhe armiqësore të Ulqinit dhe nuk ia dolën mbanë në sllavizimin e tyre. “Ulqini ende kërkon të ribashkohet me Shqipërinë“, shkruan Durham.
Që nga korriku i vitit 1916, gjenerali Martinoviq ishte në robëri të austro-hungarezëve. Dy vjet më vonë, atij iu lejua të vinte në Ulqin për kurim.
Në vitin 1919, Mbreti Nikolla në Nej, pranë Parisit, në Francë, ku ishte refugjat, i tha shefit të kabinetit të tij, vojvodës Simo Popoviq: “Ti po kthehesh në Ulqinin e bukur, por ku do të shkoj unë?“
Të gjithë ata – gjeneralët, mbretërit dhe vojvodët kaluan, kurse Ulqini ynë i vogël dhe krenar mbeti në lavdinë e tij si entiteti më i vjetër urban në Adriatik.
Dhe ne qëndruam për të dëshmuar këtë vazhdimësi mijëvjeçare – për atë që ishim dhe atë që jemi.(Fund)

Të fundit

më të lexuarat