Flijimi i Ulqinit

Evropën e tronditi “kriza e Ulqinit”, sepse në këtë rast u komprometuan vendimet e Kongresit të Berlinit. Kjo vuri në pikëpyetje dinjitetin e fuqive evropiane që ishin garantuese të përmbushjes së vendimeve të Kongresit

Mustafa Canka

(vijon nga numri i kaluar)
Presioni ndaj Portës rritej. Anglezët dhe Fuqitë e Mëdha kërcënonin se do të dërgojnë flotën, ndërsa më vonë do të “pushtojnë Izmirin, madje edhe Selanikun, në qoftë se Ulqini nuk i dorëzohet Malit të Zi”. U rritën edhe problemet në lidhje me caktimin e kufijve në jug të Shqipërisë me Greqinë, prandaj Porta e Lartë në mbledhjen e datës 24 korrik mori këtë vendim: “Për të mos dhënë shkas për intervenim, e shohim të arsyeshme që kjo çështje të përfundojë dhe qeverisë malazeze t’i jepet Ulqini, siç kishin propozuar ambasadat”.
Tri javë më vonë, në letrën e Portës drejtuar Fuqive të Mëdha përsëritet se “vendimi për flijimin e një qyteti aq të rëndësishëm siç është Ulqini u mor vetëm dhe ekskluzivisht nga shkaku që të pengohen konfliktet e reja dhe mosmarrëveshjet e reja”.
Evropën e tronditi “kriza e Ulqinit”, sepse në këtë rast u komprometuan vendimet e Kongresit të Berlinit. Kjo vuri në pikëpyetje dinjitetin e fuqive evropiane që ishin garantuese të përmbushjes së vendimeve të Kongresit.
Ulqinakët nuk dëshironin “në shtetin me të cilin nuk kanë kurrgjë të përbashkët”. Disponimin e tyre e përcolli gazetari francez Leon Igone, duke cituar deklaratën e një ulqinaku: “Kur erdhën malazezët në këtë qytet, ata u sollën bukur, nuk rrënuan dhe paguan çdo gjë që merrnin për nevojat ushtarake apo shtetërore. Nëse na dorëzojnë tek ata, ne nuk do ta kundërshtojmë këtë, mirëpo ne në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë me dëshirën tonë t’i bashkohemi këtij shteti të varfër. Kjo tokë e mjerueshme nuk do të mund të ushqejë popullatën e vet, të cilët pjesërisht do të jenë barrë e jona. Dhe kjo do të na bëjë edhe më fatkëqinj”.
Posa morën vesh për planin e dorëzimit të qytetit, në Ulqin u formua Shtabi i Lidhjes së Prizrenit, i cili e mori pushtetin. Disa qindra shqiptarë nën komandën e Jusuf Agë Sokolit i morën, më 17 shtator, të gjitha pikat kryesore në qytet dhe u përgatitën për mbrojtjen e tij. Shtabi dispononte me rreth dy mijë njerëz, nga të cilët 800 ishin ulqinakë; pjesën tjetër e përbënin shkodranët dhe anamalasit. Ushtria turke mbeti e mbyllur në kazerma, ndërsa më vonë u tërhoq nga qyteti.
“Ne kemi vendosur të luftojmë kundër kujtdo qoftë që dëshiron ta ndajë qytetin tonë. Është e pamundur për ne që të jetojmë nën qeverisjen e shtetit për natyrën e të cilit nuk dimë asgjë dhe ligjet e të cilit nuk na pëlqejnë, në një shtet me të cilin nuk kemi kurrgjë të përbashkët”, thuhet në letrën e ulqinakëve dërguar zyrtarëve turq.
Më 3 gusht Fuqitë e Mëdha thirrën Portën që të shtypë rezistencën e ulqinakëve dhe që këtë qytet t’ia dorëzojë Malit të Zi. Porta dërgoi gjeneralin Riza Pasha në Shkodër me tri mijë ushtarë, por misioni i tij nuk dha rezultate. Në mbledhjen e mbajtur në Berlin, më 20 gusht, ambasadorët e gjashtë Fuqive të Mëdha vendosën, me propozimin e kryeministrit britanik Gledston, që në fillim të shtatorit të ndërmarrin aksionin detar në ujërat e Ulqinit. Nën komandën e admiralit anglez Sejmur u gjendën tri anije franceze, nga dy angleze, austriake dhe italiane, si dhe nga një anije e madhe luftarake ruse dhe gjermane. Ky ishte demonstrimi i parë ndërkombëtar i këtij lloji!
Dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin, më 15 shtator u dërgoi një peticion konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, të nënshkruar nga paria e Ulqinit, të cilin ia dorëzuan diplomatit anglez Grin, me të cilin protestonin ashpër kundër lëshimit të qytetit të tyre. Ata shprehnin gatishmërinë për ta mbrojtur Ulqinin dhe rrethinën e tij deri në fund.
Protestat e popullit të Ulqinit u nxitën edhe nga shteti osman, prandaj autoritetet malazeze, megjithëse pa prova të drejtpërdrejta, dyshuan se pas tyre qëndronte ndikimi i ambasadorit turk në Cetinë, Halid-beut.
E ballafaquar me presionin e Fuqive të Mëdha dhe me kërcënimin e tyre për të marrë Izmirin dhe Selanikun, Porta, kah fundi i tetorit të vitit 1880 ndërroi guvernatorin e Shkodrës Riza Pashën dhe në vend të tij emëroi vezirin e deriatëhershëm në Selanik, mareshalin Dervish Pasha.
Ai ishte i vendosur. Me vete mori ushtrinë prej dy mijë ushtarësh dhe 900 rekrutësh. Me dy fregata, “Stamboll” dhe “Mexhidije”, më 4 nëntor u paraqit përballë Ulqinit. Mirëpo Lidhja nuk e lejoi që të ndalet, prandaj dhe u largua për në Shëngjin ku trupat e tij zbarkuan dhe vazhduan në drejtim të Shkodrës. Menjëherë porsa erdhi në Shkodër, shpalli gjendje lufte dhe urdhëroi që vullnetarët, të cilët e mbanin Ulqinin, të tërhiqen nga qyteti.
Komiteti i Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit, në letrat drejtuar konsujve të huaj në Shkodër shprehu gatishmërinë që qyteti të mbrohet, ndërsa ata, njëkohësisht, u përpoqën që të fusnin përçarje në mes Komitetit Krahinor të Shkodrës. Dhe në këtë patën sukses sepse, në tubimin e Lidhjes Shqiptare në Dibër, që u mbajt nga 20 deri më 23 tetor, me shumicë votash u vendos që mos të dërgohet ndihmë në Ulqin. Disa javë më vonë, me 17 nëntor shumica e anëtarëve të Komitetit të Shkodrës njoftuan se heqnin dorë nga rezistenca me armë në rastin e Ulqinit. Këtë e shfrytëzoi Dervish Pasha dhe më 22 nëntor urdhëroi njësitë që të lëvizin drejt Ulqinit.
Ulqini, praktikisht në luftë me të gjithë botën, u flijua edhe nga Lidhja Shqiptare dhe “bashkësia ndërkombëtare”. Lidhja Shqiptare me këtë lëshim mendonte se do të fitojë përkrahjen e Perëndimit për krijimin e Shqipërisë Autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, ndërsa Fuqitë e Mëdha më nuk dëshironin të durojnë turpin që përjetuan rreth Gucisë dhe Malësisë.
Të lënë pa ndihmë, mbrojtësit, të prirë nga Mehmet Beci, Mehmet Gjyli dhe myftiu hafiz Sali Hyli, e patën të vështirë të rezistojnë ndaj ushtrisë së rregullt të Dervish Pashës, i cili, me urdhrin e Portës, u përpoq që tërë operacionin ta kryejë “pa derdhur gjak”. Përpjekjet për të bindur prijësit e mbrojtjes së qytetit që në qetësi të pranojnë dorëzimin e tij, u refuzuan. Pas një lufte të shkurtër afër Klleznës, në të cilën mbrojtësit patën 50 të vdekur, ndërsa turqit 9 të vrarë dhe 32 të plagosur, ushtria turke, më 23 nëntor hyri në Ulqin. Duke thirrur ulqinakët që t’i binden urdhrit të Portës, Dervish Pasha në urdhëresën e vet theksonte se dorëzimi i qytetit nuk mund të jetë i revokueshëm, si dhe do të dënohen ashpër të gjithë ata të cilët nuk i binden këtij akti. Në fshatin Kunje, Niko Matanoviqi dhe Bedri Begu, më 25 nëntor arritën marrëveshjen për mënyrën e pranim-dorëzimit i cili do të bëhej ashtu që trupat malazeze do të marrin territorin duke lëvizur me trupa turke në një largësi prej 500 metrash. Një ditë më vonë, të premten, më 26 nëntor (23. zul-hixhde 1297 sipas hixhrit), në orën katër pas dreke, ushtria malazeze hyri në Ulqin.
Pas hyrjes së trupave malazeze, Ulqinin e braktisën 413 familje me rreth tri mijë anëtarë, që përbënte madje 40 për qind të popullatës qytetare, të cilët kryesisht u shpërngulën në Shkodër dhe Durrës. Pronat e tyre i morën malazezët. Autoritetet e reja konfiskuan dhjetë shtëpi nga banorët e Ulqinit për nevojat e veta. Disa ardhacakë merrnin gurët nga bedenat e Kalasë për të ndërtuar shtëpitë e tyre.
“Vija kufitare tërësisht në rregull ia dha Tivarin Malit të Zi, por për këtë hapësira e Ulqinit u nxor me dhunë nga thurjet ekonomike të rajonit të Shkodrës dhe iu bashkëngjit krijesës së huaj shtetërore”, shkruante shkencëtari çek Viktor Dvorski, duke theksuar që për malazezët Ulqini ishte “i largët, i huaj për nga gjuha, feja dhe mundësitë ekonomike”.
Në letrën që në mesin e dhjetorit ia dërgoi Qeverisë nga Shkodra, Dervish Pasha shkruan se nga pikëpamja ushtarake rëndësia e Ulqinit është më e vogël se Gucia, Plava apo Tuzi, por është shumë më e madhe nga pikëpamja ekonomike. “Për këtë, fakti që ky qytet nuk gjendet më në duart tona, pa dyshim, është shumë i hidhur”, përfundon ai.
Turqia iu ofroi ulqinakëve një gji në Detin Marmara, ku ata do të mund të shpërnguleshin dhe të vazhdonin të merren me detari. Vetëm 88 galera ulqinake u regjistruan në vitin 1881 në regjistrin e anijeve të Malit të Zi. “Ulqini me anijet do të thotë shumë, ndërsa pa to asgjë”, shkruante vojvoda malazias Simo Popoviq.
Pas pak më shumë se një muaji, Popoviqi shpërndau dy batalione ushtarësh dhe e ruajti rendin në Ulqin me 14 xhandarë, e më vonë i shkarkoi edhe gjashtë të tjerë. Fakti që ai e bëri këtë në një kohë kur nuk kishte malazezë që jetonin në Ulqin tregon se Popoviqi donte t’u tregonte shqiptarëve me këtë gjest se ndihej absolutisht i sigurt midis tyre, si në Cetinë, se Qeveria malazeze është tolerante dhe se nuk bën dallim midis nënshtetasve ortodoksë dhe joortodoksë.
Por, qyteti gjithnjë e më pak pulsonte. Një pas një i humbte atributet e fuqisë së vet të dikurshme. Shumë vendas i shitën shtëpitë e tyre në bregun e detit dhe u tërhoqën në vise më të qeta “që vajzat tona të jenë të thjeshta, që të mos dalin shumë shpesh, që, Zoti na ruajt, të mos prishen”. Sovraniteti në det, si dhe lundrimi në lumin Buna, ishin të kufizuara dhe vareshin nga ligji detar austro-hungarez.
Studiuesi Hajrullah Hajdari konstaton se “shqiptarët në luftën për mbrojtjen e Ulqinit luftuan edhe për mbrojtjen e Çamërisë dhe autonomisë së Shqipërisë në tërësi, që përfaqësonte konceptin themelor të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndonëse ishin përballuar përveç forcave të Dervish Pashës edhe me forcat malazeze dhe flotës dhe veprimeve diplomatike të Fuqive të Mëdha”. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat