
Në këtë shkrim do të trajtohet forma e flamurit shqiptar të ngritur më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ky simbol akoma vazhdon të ketë disa diskutime dhe çështje të padefinuara, pasi nuk është zbuluar se cili ishte personi që e solli flamurin në Vlorë dhe ia dha Ismail Qemalit për ta valëvitur në shpalljen e pavarësisë. Kjo është arsyeja përse gjendemi sot përballë aq shumë hipotezave apo fakteve që lënë vend për dyshim, se kush e solli flamurin dhe nëse mund të zbulohet e vërteta historike.
Nga publikimet e bëra shohim se studiuesit flasin për disa rrugë të mbërritjes së flamurit kombëtar të ngritur në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, që shkojnë deri në dhjetë mendime. Një prej këtyre mendimeve është edhe flamuri i Eqrem Bej Vlorës, i cili në kujtimet e veta pohon që flamuri i ngritur nga Ismail Qemali në këtë ditë në Vlorë të ketë qenë dhuratë nga një stërnip i Skënderbeut, Gjin Aladro Kastrioti, i cili sa ishte në një takim në Paris t’ia ketë dhuruar atij. [Nipi i Ismail Beut, Eqrem Bej Vlora, shkruante në kujtimet e tij se gjatë një takimi të vitit 1908 me Aladron në Paris, Aladro i kishte dhënë një flamur Ismail Beut dhe ky flamur do të bëhej flamuri zyrtar i shtetit të sapothemeluar shqiptar me pranimin e tij si kryeministër. (E. Vlora, f. 215)] Edhe babai i tij, Syrja Vlora, e pohon të njëjtën gjë, duke na treguar se në shtëpinë e tij ndodhet ky flamur që nga viti 1905. [S. Vlora, f. 70, 252]
Për ta përforcuar akoma më tej këtë mendim, duhet që të ndalemi pak për të folur për Gjin Aladro Kastriotin, veprimtarinë e tij, i cili aspironte për ardhjen e tij si princ në krye të Shqipërisë si shtet që po krijohej. [Aladro Kastrioti jetoi në vitet 1845-1914. Gjin Aladro Kastrioti ose Don Aladro (Konica, 1907) ishte një fisnik nga Andaluzia – Spanja, ish-diplomat i shquar e njëherësh tregtar që zotëronte një kompani të madhe verërash në Spanjë (800 dynymë tokë), i cili, me idenë se rridhte nga heroi kombëtar shqiptar (nga nëna Markeza Auleta) – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – hodhi pretendimin e tij për fronin e Shqipërisë në kapërcyell të shekullit XX.
Varianti i shqipëruar i emrit Juan me autor Faik Konicën e bindi aristokratin spanjoll që të përdorte variantin në shtypin shqiptar. “…Kur i keshillova Aladros t’a shciperoje emerin e tij, “Juan de Aladro”-n e bera “Ghini i Aladros. (Konica)
Pasi kreu fakultetin juridik në Marsej, ai e filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1867. Më 1868 në ambasadën e Vjenës, më 1869 në Paris, më 1870 në Bruksel, më 1872 në Hagë dhe më pas më 1881 në Bukuresht. Gjatë kësaj periudhe ai shfrytëzoi rastin që të njihej me shumë shqiptarë. Pema e familjes së Aladro Kastriotit, në të cilën bëhet ndërlidhja e tij si pasardhës i Skëndërbeut, është publikuar në vitin 1907 nga H. F. Helmolt në librin “The World’s History: A Survey of Men’s Record V”, London: William Heinemann, 1907, f. 225] Në këtë shkrim do të ndalemi te veprimtaria e tij që ndërlidhet me temën tonë.
Shtypi i kohës në Evropë fliste për Gjin Aladro Kastriotin si një ndër pretendentët për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe me të si monark i këtij shteti.
Në gazetën “El Correo” të 26 marsit 1902, Aladro dha një intervistë, duke pretenduar titullin mbretëror për familjen e tij, i cili pretendonte se e kishte prejardhjen nga Skënderbeu dhe jetonte jashtë vendit për shekuj. Aladro, si trashëgimtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut mendonte për Shqipërinë ditë e natë, duke u dhënë shqiptarëve një mesazh emocionues se “Dhimbjet tuaja janë dhimbjet e shpirtit tim dhe aspiratat tuaja janë aspiratat e mia”. Ai argumentoi se Fuqitë e Mëdha do të lejonin që të ndodhte skenari ku Shqipëria të fitonte pavarësinë e saj me të që do të shërbente si mbret i shtetit të pavarur. “Diplomacia evropiane nuk do të na luftojë, sepse puna që po bëjmë është punë paqeje. Ne nuk duam t’i heqim asgjë askujt. Ne duam vetëm një vendlindje siç e kanë të gjithë popujt e botës. Vëllezër shqiptarë, thirrja jonë është: Zoti është me ne! – Emri i lavdishëm i Skënderbeut është flamuri ynë i shenjtë. Me këtë unë qaj, nën hijen e këtij flamuri, ‘Të bashkohemi të gjithë, myslimanë, ortodoksë dhe katolikë’. Unë, shërbëtor i përulur i Atdheut të Madh Shqiptar, kërkoj nderin të luftoj pranë jush në betejën e shenjtë”. [Atdhe Thaçi, “The Spanish Adventurer”: Ottoman Surveillance of Aladro Kastrioti, the Pretender for the Albanian Throne, Journal of Balkan Studies, 4 (1), 2024, ff. 35-53; Arkivi Osman i Shtetit – Stamboll – BOA, HR. SYS. 130-2/ 17]
Pas shfaqjes së këtyre artikujve të gazetave, Aladro filloi të vihej nën vëzhgimin osman. Më 8 prill, vetëm pak ditë pasi gazetat spanjolle i botuan këto shkrime, ministri i Jashtëm osman, Tevfik Pasha mori informacion nga Madridi se Aladro ishte larguar nga Parisi më 7 prill dhe po shkonte në ishullin e Korfuzit. [BOA. HR. SYS. 130-4] Korfuzi u bë një vend i rëndësishëm për Aladron, pasi ishte afër Shqipërisë kontinentale dhe ai zhvillonte takime me bashkëpunëtorët e tij atje.
Ngjashëm me intervistën në gazetat spanjolle, gazeta franceze përsëriti thirrjen e Aladros për bashkimin e shqiptarëve pavarësisht fesë që ata nderojnë, por tani ai pohoi gjithashtu se sulltani osman i kishte ofruar të bëhej guvernator i krahinave osmane të Shkodrës, Janinës dhe Shkupit, por Aladro pohoi se e kishte refuzuar këtë ofertë. [BOA. HR.SYS. u130-5; Doğukan Oruç, “Arnavutluk Tahtının Endülüslü Talibi: Don Aladro Kastrioti (1845-1914)”, Kadim, nr. V, prill, Sakarya, 2023, ff. 19-45]
Në fillim të vitit 1904, Tevfik Pasha u dërgoi telegrame ambasadave osmane në Paris, Romë, Madrid dhe Vjenë, duke kërkuar që ambasadat të dërgonin gjithë informacionin që kanë për Aladron dhe të ndërtojnë një profil të tij. [BOA. HR.SYS. 130-132]
Por Gjin Aladro Kastrioti këtë rrugëtim nuk mund ta realizonte si i vetëm. Ai u takua me shumë personazhe me ndikim, si: Ismail Qemalin, Eqrem Bej Vlorën, Faik Konicën [Botimi i hartës së parë të trevave shqiptare me toponomastikë në gjuhën shqipe më 1902 shënon një moment të madh historik pasi themeloi fushën e hartografisë shqiptare. Ky punim merr në shqyrtim rëndësinë historike, gjeografike, gjuhësore dhe kulturore të kësaj arritjeje. Harta qe fryt i një bashkëpunimi të begatë gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare midis spanjollit Don Juan Pedro de Aladro Kastrioti, i mbiquajtur nga shqiptarët Gjin Aladro Kastrioti, dhe Faik bej Konicës, themeluesit edhe redaktorit të revistës rilindëse “Albania”. Ky bashkëpunim nxjerr në pah edhe lidhjet e dyshes A. Kastrioti – Konica për të çuar përpara një nga pikat më kryesore të çështjes shqiptare që ishte rilindja intelektuale-kulturore e popullit shqiptar. A. Kastrioti ishte njëri ndër financuesit e shkollës shqipe të Korçës. Xherardo Nikjari, “Aspekte të hartës së parë të Shqipërisë me toponomastikë në gjuhën shqipe (1902)”, Journal of Balkan Studies, Vëllimi IV, 2024, Shkup, ff. 29-52.], Luigj Gurakuqin etj. [Disa nga bashkëpunëtorët e Aladro Kastriotit kanë qenë Ismail Qemal Bej Vlora, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Dervish Hima, Zefi i Vogël, Nuri bej Frashëri, Babatasi Korça, Melik Bej Frashëri, Hajredin Aga, Jahja Aga, Kristaq Daka, Pandeli Durmishi, Gjin Mati Koka, Bektash Çankirli, Timur Ferdi, Dr. Temo, Beshir Sadiku, Filip Karajina, Princ Albert Gjika, Ahmet Frashëri, Asdreni, Sotir Peci, Nikolla Naço, Ibrahim Mehmeti, Ahmet Darijusi, Qazim Kokoni, Shahın Kolonja etj.]
Referuar dokumentacionit arkivor dhe publikimeve të bëra, njohja e tij me Ismail Qemalin dokumentohet që në vitin 1901. Takimet e tyre vazhduan edhe më tej, nga ku më 10 qershor 1903 u organizua një kongres kombëtar në Napoli me arbëreshët nga këta të dy dhe të tjerë. [BOA, I.HUS., 106/55] Pas këtij rrugëtimi dhe moshës së tij të thyer A. Kastrioti u bë një ndër mbështetësit kryesorë të Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë. Sipas një dokumenti të datës 12 shtator 1912 shohim se Aladro Kastrioti me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Timur Ferdin dhe të tjerë për çështjen kombëtare vazhdonin të takoheshin edhe në prag të pavarësisë, ku më këtë datë u takuan në Korfuz. [Doğukan Oruç, po aty, f. 34]
Si ishte flamuri shqiptar që u publikua nga Gjin Aladro Kastrioti?
Referuar arkivit osman shohim se Gjin Aladro Kastrioti u bë ndër protagonistët kryesorë të çështjes kombëtare me publikime, kartolina me flamurin kombëtar, fotografi të Skënderbeut dhe të tij, harta, revista etj., nëpër qendra të ndryshme evropiane dhe mesdhetare, në ato vende ku kolonitë shqiptare ishin të vendosur, duke filluar nga vendi prej nga vinte ai, Madridi, Parisi, Napoli, Sicilia, Bukureshti, Vjena, Stambolli, Korfuzi, Janina, Dubrovniku, Kotorri e deri në Tivar dhe duke ia dërguar edhe sekretarit të tij në Cetinë etj. [BOA, HR.SYS, 130/29; BOA, HR.SYS, 130/36/38; BOA, HR.SYS. 130/43; BOA, HR.SYS,149/40]
Sipas disa dokumenteve të arkivit osman, këto kartolina dërgoheshin nga Parisi në ishullin e Korfuzit dhe prej andej u dërguan ilegalisht në territoret e Perandorisë Osmane në Shqipëri. Personi përgjegjës për shpërndarjen e këtyre kartolinave ishte Nuri Frashëri. Një ditë (30.06.1902) kur Nuri po nisej për në Athinë, një pjesë e postës së tij që ishte dërguar në Korfuz u kap. [BOA. HR.SYS. 130-14] Posta e tij përmbante kartolina me fotografitë e Aladro Kastriotit, si dhe një kalendar të shkruar në gjuhën shqipe. Këto u dërguan në Stamboll si dëshmi. [BOA, BEO. 1879-140894] Po kështu, më 12 mars 1903 në Janinë u konfiskuan kartolina me flamurin shqiptar. [BOA, HR.SYS, 130/20] Njëjtë më 9 shtator 1902 A. Kastrioti dërgoi në Shkodër kartolina me fotografinë e tij dhe flamurit shqiptar. [BOA, HR.SYS, 130/18]
Referuar kartolinës me flamurin shqiptar të Gjin Aladro Kastriotit, i konfiskuar nga autoritetet osmane dhe që ndodhet në Arkivin Osman të Shtetit në Stamboll, shohim se flamuri shqiptar i ngritur më 28 nëntor 1912 në Vlorë duhet të kenë ngjashmëri me flamurin e paraqitur në këtë kartolinë, me fushë të kuqe dhe shqiponjë dykrenore të zezë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u bë nën mbikëqyrjen e fuqive evropiane. Në këto rrethana kancelaritë evropiane kishin bërë marrëveshje për emërimin e një princi në Shqipëri, pasi shtetet e reja të Ballkanit që kishin fituar pavarësinë në shekullin XIX posedonin princat e tyre, por edhe shtetet e tjera në Evropë akoma ruanin mbretërit e tyre, nëpërmjet së cilës pasja e një mbreti në këtë kohë ishte shenjë e sovranitetit. Prandaj edhe Gjin Aladro Kastrioti, duke e ditur rrugëtimin që duhet të ndjekë një shtet i ri në Gadishullin e Ballkanit dhe Evropë, vizioni i tij për hapat që duhet të ndjekë Shqipëria që po pavarësohej, shto edhe pretendimin për prejardhjen e tij nga gjaku i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e vunë në lëvizje atë drejt një ideali, duke shpenzuar nga pasuria e tij e trashëguar në Evropë. Për ardhjen e tij në kurorën e Shqipërisë u përfol në kancelaritë evropiane, por mosha e thyer e cila pason me vdekjen e tij në marsin e vitin 1914 i hapi rrugë Princ Vidit për ardhjen në krye të kurorës së Shqipërisë. Duhet shtuar që argument për ardhjen e një princi në krye të Shqipërisë të ketë qenë që në Konferencën e Londrës, pasi një prej ideve ishte edhe ardhja e djalit të Sulltan Abdylhamidit II në krye të Shqipërisë, por që u mohua.
Njëherit, pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria ishte nën presion të madh diplomatik dhe ushtarak pasi filloi Lufta I Botërore. Më pas skenën politike e dominoi Ahmet Zogu, duke mos lënë hapësirë për pretendime të jashtme dinastie. [Sa për ilustrim në këto vite mund të përmendim edhe një figurë tjetër si pretendent për fronin shqiptar. Ai ka qenë Albert Gjika (1869-1928) nga familja e njohur Gjika, një shkrimtar dhe aristokrat rumun me prejardhje shqiptare nga Mati. I pari i tij, Gjergj Gjika, pasi u vendos në Stamboll u caktua si vali (guvernator) në Moldavi nga administrata osmane, nga ku kjo familje dinastie do të bëhej me ndikim. Albert Gjika u përfshi në lëvizjet për krijimin e një shteti shqiptar dhe u propozua si pretendent për fronin e Shqipërisë në fillim të shekullit XX. Një Komitetit në Paris, i udhëhequr nga Dervish Hima me disa bashkëpunëtorë e propozuan si princ të Shqipërisë, në përpjekje për të krijuar një shtet të pavarur shqiptar. Mbante marrëdhënie të mira me Ismail Qemalin e të tjerë patriotë. Sipas disa të dhënave të Arkivit Osman të Stambollit, vërejmë se A. Gjika pati lidhje edhe me Gjin Aladro Kastriotin. Në disa udhëtime të Aladro Kastriotit nëpër disa qytete, përfshirë edhe Kotorrin, mori pjesë edhe vetë Albert Gjika si pretendent për fronin mbretëror të Shqipërisë. Albert Gjika në vitin 1908 shkroi librin në frëngjisht, i cili u përkthye në gjuhën shqipe me titull “Shqipëria dhe çështja e Lindjes” dhe u botua në vitin 2001 nga Shtëpia Botuese “Plejad” në Tranë] Jo më kot në fillim, për të legjitimuar veten e tij në krye të kurorës pati ambicie të lidhej simbolikisht me Skënderbeun, duke përdorur simbole dhe gjeste për të krijuar vazhdimësi dinastie.
Pas çlirimit pason periudha komuniste, e cila rrodhi si rezultat i një rendi të ri botëror duke mënjanuar mbretërit dhe protagonistët e kaluar. Shteti shqiptar u përqendrua në identitetin kombëtar laik dhe modern, jo në trashëgimi aristokratike. Kjo bëri që të harrohej e gjithë sakrifica e Gjin Aladro Kastriotit dhe historia e vërtetë e flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë.
Aktualisht, figura e tij mbetet një kuriozitet historik, më shumë e njohur në qarqe akademike sesa në shkolla dhe kujtesën kolektive shqiptare.
