Akt i mirorganizuar i akulturimit të trashëgimisë sonë kulturore

Sami Flamuri

(vijon nga numri i kaluar)
Fragmenti i tretë: Fragmenti i tretë u zbulua në mars 1970 në një shtëpi të rrënuar të Sylejman Bushatit në Qytetin e Vjetër.
Është një fragment kornize me një pjesë të mbishkrimit, i cili u publikua po atë vit. Pas pastrimit nga shtresat e gëlqeres, u vu re se në anën e majtë anësore kishte një fragment tjetër të mbishkrimit. Kjo vazhdimësi teksti identifikon këndin e majtë të anës harkore të fragmentit. Është i ekspozuar në Muzeun e Ulqinit.
Fragmenti i katërt: Fragmenti i katërt është një pjesë e fotografuar e kornizës nga ana anësore, e vendosur horizontalisht mbi një mur të një ndërtese, përballë këndit juglindor të saj. Në fotografinë e Đ. Bošković, realizuar në fillim të kërkimeve tona, shihen katër shkronja të mbishkrimit nga ana e përparme dhe sipërfaqja e gjerë e kornizës nga sipër, duke treguar se ky mbishkrim ndodhej në këndin e majtë të pllakës. Fragmenti humbi përpara se të ruhej ose të dokumentohej plotësisht, dhe fotografia është tani dokumenti i vetëm për këtë pjesë të ciboriumit. Ndryshe nga fragmentet e tjera, ky fragment ka një friz sipër fushës së mbishkrimit, të zbukuruar me grupe gjysmërrethore të shiritave trepalësh të ndërlidhur, çka tregon se frizët e kornizës nuk ishin të dekoruar njësoj.
Fragmenti i pestë: Fragmenti i pestë u zbulua në dhjetor 1983 në mbetjet e një muri të rrënuar nga tërmeti në Kullën e Balshajve. Përfaqëson një pjesë të anës së djathtë të pllakës harkore me figurën e një luani, në të njëjtin qëndrim dhe lëvizje si në fragmentin e Beogradit.
Edhe ky ka palma të stilizuara poshtë pjesës së kraharorit dhe barkut të kafshës, si dhe poshtë këmbëve të pasme, dhe në këndin ku përfundon shiriti vertikal i një thurjeje tripalëshe të dyfishtë. Rripi harkor i kësaj pllake është i mbushur gjithashtu me një thurje tripalëshe, dy herë më e gjerë se ajo vertikale, e kufizuar në të dyja anët me astragal.
Nga ana e djathtë, arkada është zbukuruar me një zbukurim bimor të stilizuar me kupa dhe vija që dalin nga njëra-tjetra. Kupa në majë është në pozicion të përmbysur, ndoshta pjesë e një krahu të poshtëm të kryqit, siç shihet në anën e majtë të pllakës së Beogradit.
Korniza e pllakës së Ulqinit është prerë saktësisht në vijën që e ndanë nga pjesa harkore. Është pak më e hollë se ajo në Muzeun Kombëtar dhe ka shirita trepalësh të dyfishtë pa “sy”, por as kjo nuk ka krahë harkorë plotësisht të ruajtur. Në anën e pasme ka një brazdë për vendosjen e një pllake tjetër. Është e ekspozuar në Muzeun e Ulqinit.
Fragmenti i gjashtë: Këtyre fragmenteve u shtohet një i gjashtë – një pjesë e një shiriti të dyfishtë me qarqe tripalëshe të lidhura dhe rombe, si ato të pllakës së Beogradit.
Në vend të astragalit, ky fragment ka një vijë të gdhendur zigzag në skajin e poshtëm. Ky ndryshim tregon se disa anë të ciboriumit të Ulqinit ishin të dekoruara ndryshe; vetëm dy anët për të cilat mund të flasim kishin përfaqësime figurative të ngjashme, me nga dy kafshë të mëdha që ndjekin një më të vogël, në frymën e ikonografisë së njohur të këtyre kompozimeve.
Dedikimi i Kishës së Ulqinit – Më e Vjetra në Mal të Zi: Pavle Mijović nxjerr një përfundim të rëndësishëm lidhur me kishën dhe ciboriumin: “Nëse, me ndonjë fat të lumtur, gjendet ndonjë fragment tjetër i mbishkrimit (me emrin e donatorit dhe datën), besoj se renditja e propozuar këtu nuk do të ndryshonte ndjeshëm. Duke e konsideruar për momentin përfundimtare, dëshiroj të theksoj një fakt të panjohur deri tani: dedikimi i kishës së Ulqinit – Shpëtimtarit të Shenjtë”.
Kjo është, pra, kisha më e vjetër në Mal të Zi (bazuar në datimin në dekadën e dytë të shekullit IX, për të cilin do të flitet më poshtë), për të cilën dimë dedikimin nga mbishkrimi epigrafik i ruajtur fillimisht. E dyta do të ishte kisha e Shën Mërisë në Budvë, me një mbishkrim për themelimin në vitin 840.
Mbishkrimi i Andreacit në sarkofagun e tij, nga koha e ndërtimit të Shën Tripunit në Kotorr, menjëherë pas vitit 809, nuk përmban emrin e shenjtorit; për të do të dihet vetëm nga një akt i dyshimtë i gjysmës së dytë të shekullit të XII.
Manipulimi i rezultateve: Sipas Mijoviqit, deri në vitin 1985, prezantimi shkencor dhe hulumtues i këtij thesari kulturor dukej se kishte vëmendjen dhe kushtet e nevojshme për valorizimin e potencialit të tij. Megjithatë, pas kësaj, rreth gërmimeve në Ulqin dhe ciboriumit të gjetur filluan të ndodhin ngjarje të pabesueshme, të cilat ngritën pyetje, por fatmirësisht ishin të dokumentuara.
Në librin e tij “Ipak nasljeđe”, Mijoviq shkruan: “Bëhet fjalë për një manipulim të rëndë të rezultateve të hulumtimeve tona tridhjetëvjeçare shkencore mbi të kaluarën e Ulqinit dhe rrethinës së tij në ekspozitën e re të Muzeut të Ulqinit të vitit 1985, për përvetësimin e fryteve të këtyre hulumtimeve nga një institucion i lartë shkencor-pedagogjik, Qendra për Kërkime Arkeologjike e Fakultetit Filozofik në Beograd (me ndihmën e plotë të institucioneve republikane dhe lokale të mbrojtjes dhe kulturës dhe mbështetësve të tyre në pushtet), dhe për një akt të mirorganizuar të akulturimit të trashëgimisë sonë kulturore.”
Falsifikimi i ciboriumit të Ulqinit: Mijović ofron një dëshmi tronditëse për ekspozitën e re, duke denoncuar falsifikimin e ciboriumit: “Çdokush që është sadopak i informuar do të çuditej se si Ulqini, i vetmi qytet bregdetar me gjetje të qeramikës sllave në një shtresë stratigrafike nga fundi i epokës justiniane të Qytetit të Vjetër (midis objekteve 221-225), nuk përfaqësohet me to, por, siç thuhet pranë vitrinës nr. 3, me fragmente të ‘qeramikës sllave mesjetare (shek. XIV-XVI)’ – pikërisht kështu, në dialektin ekav, a rastësisht? Do të mbetet i habitur edhe nga paraqitja e epokës së krishterimit të popullsisë pagane sllave. Duke ditur se që në vitin 1955 zbuluam në Qytetin e Vjetër të Ulqinit tempullin e dytë për nga rendi kronologjik në bregdetin malazez (pas kishës së rrumbullakët të Shën Tripunit në Kotorr, nga viti 809), a nuk është e qartë për të gjithë se elementet e tij kryesore duhej të ishin ekspozuar me kujdes në muzeun e qytetit? Këto janë: a) kuadratet e këndit që tregojnë se kisha katedrale e Ulqinit, nga fillimi i shekullit IX, kishte një kupolë tetëkëndore – ‘ të ekspozuara’ në tokë poshtë një harqeje turke; dhe b) pjesët e ciboriumit të saj – të ‘rikonstruktuara’ në mënyrë të pakujdesshme dhe të papërshtatshme.”
Rikonstruktimi “i pjesshëm i ciboriumit” me shpjegimin se “pjesa origjinale e ciboriumit në anën frontale ndodhet në Muzeun Kombëtar të Beogradit” dhe se “rikonstruktimin e kreu ekipi i Qendrës për Kërkime Arkeologjike të Fakultetit Filozofik nën drejtimin e mr. Svetozar Stanković – Nani”, paraqet një guxim të rrallë. Nuk shpjegohet, megjithatë, nga cili qytet apo epokë është ky ciborium, çfarë u rikonstruktua, apo si u shënua rikonstruktimi për vizitorët e muzeut, përveçse përdoret termi “i pjesshëm”. Për aq sa di, asnjë nga pjesëmarrësit e ekipit nuk mund të ketë lexuar apo nxjerrë nga burimet ekzistuese se është e mundur të kryhet një rikonstruktim i ciboriumit të Ulqinit – as tek studiuesit e mëparshëm (L. Mirković, J. Kovačević, J. Stojanović – Maksimović, I. Petrićoli), as në monografinë “Ulcinj I”.
Asnjëri prej tyre, qoftë edhe me anë të një sugjerimi, nuk ka përmendur mundësinë e rikonstruktimit të këtij ciboriumi, pavarësisht se për të është shkruar për më shumë se gjysmë shekulli.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat