Guci – Banka Hipotekare e Malit të Zi, më 26 qershor 2024, në Guci hapi filialin e vet. Në përurimin solemn të këtij institucioni të rëndësishëm ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Gucia me rrethinë, por edhe i personaliteteve të shquara shoqërore e politike nga Gucia, Plava e më gjerë, ndër të cilët edhe kryetarët e komunave të Plavës e Gucisë, Nihad Canoviq dhe Sanell Balliq. Me rastin e hapjes solemne të filialit, përfaqësuesit e stafit drejtues të bankës, të pranishmit i kanë njoftuar se ambientin, plotësisht të ri dhe modern ia kanë përshtatur nevojave të përditshme të gjithë qytetarëve të Gucisë me rrethinë dhe të atyre të qyteteve fqinje, duke theksuar se me hapjen e filialit të parë të bankës në fjalë në Guci, padyshim, të gjithë klientët, por edhe turistët e shumënumërt, të cilët e vizitojnë Gucinë do të kenë mundësinë që shpejt, lehtë dhe thjeshtë t’i kryejnë nevojat e veta bankare.
Drejtoresha e rrjetit të punës së Bankës Hipotekare të Malit të Zi, znj. Tamara Braunoviq, në fjalën e rastit, me admirim ka përshëndetur dhe falënderuar kryetarët e komunave të Plavës dhe Gucisë për pjesëmarrje, pronarët dhe menaxhuesit e bankës, klientët, mysafirët dhe kolegët që i janë përgjigjur ftesës që së bashku të shënojnë në mënyrë solemne hapjen respektivisht inaugurimin e objektit të filialit të bankës në fjalë, mu në afërsi të Parkut të bukur dhe atraktiv të Bjeshkëve të Nëmura.
“Hapja e filialit paraqet rast të pamohueshëm për mbështetjen dhe përkrahjen ekonomisë dhe qytetarëve, do të ndikojë në zhvillimin dhe avancimin e ekonomisë lokale, do të i kontribuojë turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të afarizmit vendor. Besojmë që qytetarët e Gucisë me rrethinë këtë lajm e kanë pranuar me gëzim e kënaqësi, nga se në këtë mënyrë do të mund t’i shfrytëzojnë ofertat e volitshme të shumënumërta të kartelave dhe produkteve financiare”, ka thënë drejtoresha Braunoviq dhe në vazhdim ka shprehur besimin se hapja e filialit do të ketë rëndësi të madhe edhe për diasporën guciane, e shpërndarë anë e kënd botës, e cila siç ka thënë ajo, ka treguar dhe dëshmuar se pa dyshim beson në shërbimet e mirëfillta dhe cilësore të filialit të bankës dhe njëherazi ka falënderuar klientët e pranishëm, duke u premtuar ofrimin e shumë mundësive për transaksione financiare, kursim dhe depozitim. E gjithë kjo, shtesë do të ndikojë në rritjen e lidhjeve ekonomike ndërmjet diasporës guciane dhe bashkësisë së tyre amëz, që do të mund të rezultojë në zhvillimin e projekteve të reja të punës dhe të investimeve”, ka deklaruar në fund të elaborimit konstruktiv drejtoresha Tamara Braunoviq.
Drejtoresha e filialit të bankës në fjalë në Guci, ish kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, në fjalën e rastit ka falënderuar përfaqësuesit e aksionarëve dhe menaxhuesëve të Bankës Hipotekare, mysafirët dhe të gjithë gucianët pjesëmarrës në hapjen solemne të filialit të bankës.
“Banka Hipotekare e Malit të Zi, është njëra prej bankave udhëheqëse në tregun malazez si për nga shuma e bilancit që kap shumën mbi 920 milionë euro, e po ashtu edhe sipas dispozitave të klientëve hë bazë të të cilëve jemi në maje të piedestalit, me shifër prej mbi 780 milionë euro, por edhe sipas produkteve dhe shërbimeve të shkëlqyera, ashtu që nuk bartim rastësisht sloganin “Përkushtuar juve”, ka konfirmuar drejtoresha Anella Çekiq, e cila në vazhdim të elaborimit ka theksuar se ky ambient plotësisht i ri dhe modern është i përshtatur në plotësi nevojave të të gjithë qytetarëve të Gucisë dhe të qyteteve në rrethinë dhe se me hapjen e filialit të parë të një banke në Guci, të gjithë klientëve, por edhe turistëve të shumënumërt të cilët e vizitojnë këtë qytet, do t’u jepet mundësia që shpejtë, lehtë dhe thjeshtë t’i kryejnë të gjitha shërbimet bankare.
“Dëshiroj që posaçërisht t’i falënderoj aksionarët dhe menaxhuesit e bankës, të cilët kanë njohur rëndësinë e hapjes së filialit në qytetin tonë, nga se të gjithë qytetarët e Gucisë me dekada kanë pritur këtë moment kaq të rëndësishëm, i cili vërtetë është i madh dhe me shumë vlerë, mu ashtu siç tha drejtoresha Braunoviq në fjalën e rastit, jo vetëm për ekonomi dhe qytetarë të Gucisë e të qyteteve në rrethinë, por edhe për të gjithë investuesit e ardhshëm dhe diasporën tonë të shumënumërt.
Me hapjen e këtij filiali, qyteti ynë do të jetë më i begatë për një hapësirë të re bankare bashkëkohore dhe reprezentuese, në të cilën klientët do të ndihen të kënaqur, ku do t’i marrin shërbimet cilësore bankare. Dhe mu për këtë dëshiroj që edhe një herë t’u falënderoi dhe premtoj shërbime profesionale nga ana jonë” ka përfunduar fjalimin e vet të rastit drejtoresha e filialit të porsahapur në Guci, Anella Çekiq.
Shaban Hasangjekaj