Guci – Repartin e ri të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në Guci, të enjten më 23 shkurt 2023, në mënyrë solemne e kanë hapur ministri i Shëndetësisë në qeverinë me mandat teknik, Dragosllav Shqekiq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Malit të Zi, Dr. Vuk Nikoviq, ambasadori i Republikës së Turqisë në Mal të Zi, Barish Kallkavan dhe kryetarja e komunës së Gucisë, Anella Çekiq. Në hapjen e repartit në fjalë, ka qenë i pranishëm edhe koordinatori i Agjencisë të Turqisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Koordinim TIKA, Abdurrahman Toprak.
Vlera e tërësishme e projektit të adapcionit dhe pajisjes së repartit të ri të sipërpërmendur është 120 mijë euro. Enti ka siguruar mjetet për punë ndërtimore dhe për automjetin e ri sanitar plotësisht të pajisur, ndërsa pajisjen mjekësore dhe atë të zyrës në vlerë 25 mijë euro, i ka donuar TIKA.
Reparti i ri i Ndihmës së Shpejtë është hapur në bashkëpunim të Ministrisë së Shëndetësisë, Entit shtetëror për Ndihmë të Shpejtë dhe vetëqeverisjes lokale e cila me mjetet prej 7.000 euro ka ndihmuar në hapjen e repartit të ri bashkëkohor, i cili kurrë më parë nuk ka ekzistuar në këtë qytet.
“Ndihma e Shpejtë Mjekësore është pjesë specifike e sistemit shëndetësor dhe është domosdoshmëri që pas saj të qëndrojë shteti në kapacitet të plotë. Për këtë është detyrë dhe qëllim i Ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me menaxhmentin e Entin për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore, që të gjitha repartet në territorin e tërë shtetit maksimalisht të fuqizohen dhe të avancohen kushtet për punë dhe ofrim të ndihmës, në mënyrë që qytetarët të kenë shërbim më të mirë, më kualitativ e në radhë të parë shërbim të shpejtë shëndetësor”, ka thënë në fjalën e rastit në hapjen e repartit ministri Shqekiq. Ai ka përkujtuar se në periudhën e kaluar është rikonstruktuar objekti kryesor në Podgoricë, si dhe repartet e Ndihmës së Shpejtë në Tuz, Plluzhinë e në Cetinë, ndërsa së shpejti do të hapet reparti i Ndihmës së Shpejtë në Ulqin, e në plan është rikonstruktimi edhe i reparteve të tjera në tërë territorin e Malit të Zi.
“Përveç vizionit të qartë të shtetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë mbi avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe serviseve, rikonstruksionit të objekteve të ndihmës së shpejtë, të cilat janë kryer në afatin rekord, gjithsesi bartin nënshkrim shkathtësie, azhuriteti dhe diturie të menaxhmentit të Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore në krye me doktorin Vuk Nikoviq. Të gjitha këto projekte me sukses janë realizuar duke falënderuar edhe miqtë dhe partnerët tanë. Dëshiroj që sot t’i shprehi falënderim ambasadorit të Turqisë në Mal të Zi dhe Agjencionit TIKA, të cilët janë miq të dëshmuar të sistemit të shëndetësisë malazeze, si dhe vetëqeverisjes lokale dhe kryetares së komunës, Anella Çekiq, e cila qartë ka kuptuar rëndësinë e investimit në shëndetësi në këtë trevë”, ka theksuar ministri Dragosllav Shqekiq.
Drejtori i Entit për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore të Malit të Zi, Dr. Vuk Nikoviq në fjalën e rastit ka theksuar se sot hapin repartin e Ndihmës së Shpejtë në qytetin i cili kurrë më parë nuk e ka pasur.
“Qëllimi ynë është bashkë me ekipin e njerëzve me të cilët punoj dhe me ministrin e nderuar në krye, që të gjithë qytetarëve të Malit të Zi t’u sigurojmë shërbim adekuat të ndihmës së shpejtë medicinale dhe sistemin shëndetësor ta ngrisim në nivel më të lartë. Ajo që është mjaft karakteristike për Entin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore është që repartet një nga një të adaptohen, ndërtohen dhe të marrin standarde të medicinës urgjente bashkëkohore”, ka thënë drejtori i Entit, Dr. Vuk Nikoviq. Ai në vazhdim ka theksuar se ky është shembull i bashkëpunimit të vetëqeverisjes lokale, Ministrisë së Shëndetësisë, Entit dhe Agjencionit TIKA, të cilës i është falënderuar.
“Rasti është specifik, shpresoj se ata neve na i kthejnë edhe ne do t’ia kthejmë popullit të Turqisë për shkak të tërë situatës e cila atje ka ndodhur, e shkaktuar nga tërmete katastrofale. Uroj se ju qytetarë të Gucisë sa më pak të vini në repartin e Ndihmës së Shpejtë, por duhet të dini se shërbimin e ndihmës së shpejtë do ta keni në çdo moment e kjo edhe na është qëllim. Pas nesh mbeten veprat”, ka konfirmuar Dr. Nikoviq.
Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Barish Kallkavan, ka thënë se Gucia është komuna të cilën për herë të parë e viziton, dhe se në detyrën e ambasadorit ka startuar para një muaji dhe mjerisht e ka filluar në një periudhë të vështirë.
“Republika e Turqisë në dy javët e kaluara përjetoi ndoshta periudhën më të vështirë në historinë e vet. Me mijëra jetë kemi humbur, mijëra njerëz të lënduar, por njerëzve të lënduar kemi filluar t’u ndihmojmë që të jenë në gjendje më të mirë. Prej se kanë dëgjuar për katastrofë e cila e ka goditur Turqinë, shteti i Malit të Zi dhe populli i Turqisë menjëherë janë ngritur në këmbë dhe i janë përveshur punës si t’i ndihmojë shtetit mik. Kemi vërejtur se populli i Malit të Zi ka qëndruar mu pranë popullit të Turqisë”, ka theksuar ambasadori Kallkavan. Ai në vazhdim ka shtuar se edhe më tutje dërgohet ndihmë Turqisë nga ana e Malit të Zi, e ndoshta kanë marrë ndihmë edhe më shumë se sa është kapaciteti i këtij shteti, dhe pohoi se është i lumtur që hap repartin e ri të Ndihmës së Shpejtë në Guci.
“Më se 150 tonë ndihmë në rreth 10 shleperë të mëdhenj dhe kargo avionë kanë shkuar për Turqi si ndihmë. Edhe nga ana tjetër me ndihmën e TIKA-së, sot hapim këtë repart të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore. Kur krahasojmë këto dy gjëra, vërejmë që zemrat e popujve të Turqisë dhe Malit të Zi rrahin njësoj për shtetet e veta. Madje ndjej kënaqësi që janë në këtë pozitë dhe të shoh se si janë raportet e këtyre dy shteteve. Deri tani kemi realizua rreth 500 projekte”, ka thënë ambasadori turk duke shtuar se krenohet me raportet e Malit të Zi dhe Turqisë.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq u është drejtuar të pranishmëve duke theksuar se puna e Ndihmës së Shpejtë është me rëndësi të madhe për Gucinë, si për qytetarët, po ashtu edhe për diasporën e cila vjen në numër të madh në muajt e verës, por edhe për turistët, veçanërisht për bjeshkatarët të cilët vizitojnë Parkun Nacional “Bjeshkët e Nëmuna” dhe lokalitetet e tjera turistike.
“Punësimi i të rinjve të cilët do të mbesin të jetojnë dhe punojnë në këtë mjedis, është qëllim të cilin dëshirojmë ta realizojmë”, ka theksuar kryetarja Anella Çekiq duke shtuar se Komuna në harmoni me mundësitë e veta bën përpjekje të ndihmojë dhe investojë në të gjitha projektet të cilat strategjikisht janë të rëndësishme për zhvillim të Gucisë, ashtu që edhe në realizimin e këtij projekti kanë dhënë kontributin e vet.
Shaban Hasangjekaj