Guri “i çuditshëm” me fytyrën e njeriut të skalitur

Duke qenë para një zbulimi të rrallë, vendosëm të telefonojmë Anton Lulgjurajn, arkeologun e Muzeut të Ulqinit, i cili na udhëzoi që gurin e gjetur ta çojmë menjëherë në muze, sepse ekziston rreziku që të bjerë në duar të padëshiruara dhe mos ta shohim kurrë më!

Sami Flamuri

Më 21 tetor 2024 u nisa drejt Shasit që të njihem për së afërmi me punën e Amir Taganit për ndërtimin e një kabine prej druri, që do të shërbejë si pikë informuese në hyrjen e lokalitetit arkeologjik të Shasit. Për fat të mirë, aty gjeta edhe Valon Kovaçin, i cili në bisedë e sipër më tha: “Kam hasur në një gur të çuditshëm, që në shikim të parë u duk fare i rëndomtë. Por mbasi e mora ta preki dhe ta sjelli në anën tjetër, papritmas e skalitur në gur ishte një fytyrë njeriu që më bëri shumë përshtypje”.
Të tre vendosëm të nisemi drejt Kishës së Shën Mërisë dhe ta preknim edhe vetë këtë gur me kokën e njeriut. Kur mbërritëm te vendi, s’kishte dyshim se kishim të bënim me një gur me fytyrë njeriu, me një vrimë të thellë që tregon se ishte pjesë e portës hyrëse me elementin e vet gotik.
Duke qenë para një zbulimi të rrallë, vendosëm të telefonojmë Anton Lulgjurajn, arkeologun e Muzeut të Ulqinit, i cili na udhëzoi që gurin e gjetur ta çojmë menjëherë në muze, sepse ekziston rreziku që të bjerë në duar të padëshiruara dhe mos ta shohim kurrë më!
Pa humbur kohë, e morëm gurin, ndonëse ishte i rëndë, por nuk ngurruam ta mbanim në krah me qëllim që më në fund të ekspozohet në Muzeun e Ulqinit.
Falënderimet për këtë zbulim i takojnë Valon Kovaçit, që e gjeti gurin, bashkë me Amir Taganin. Edhe vetë pata fatin që rastësisht t’u bashkohem, duke u bërë pjesë e zbulimit të këtij guri mbi portën e kishës sot gërmadhë, tash e mbi 400 vjet të Shasit, i cili mrekullisht shpëtoi pa u humbur, siç kanë humbur shumë artefakte të tjera me vlerë në Shas.
Ky gur sot gjendet në Muzeun e Ulqinit dhe është konservuar nga arkeologu Anton Lulgjuraj.

Për studiuesit e Shasit vlen të përmendim edhe hulumtimin e arkitektit të njohur serb të fillimit të shekullit të kaluar, Aleksandar Deroko dhe udhëtimin e tij në Shas, nga ku për lexuesin shqiptar për të parën herë po sjellim në gjuhën shqipe pjesë të asaj çfarë ai shënoi dhe skicoi, në fq. 150 të librit të tij “U Bodinovoj prestonici” (Starinar, Beograd, 1930).
Në vizitën e tij në Shas (Svacium) në vitin 1929, ai bëri disa vëzhgime dhe vizatime të hollësishme, të cilat vërtetojnë se megjithëse për një kohë të caktuar rajoni sundohej nga mbretërit serbë, kisha ishte nën dominimin katolik romak, domethënë është e stilit gotik.
Deroko shkruan: “Nava e bazilikës ishte e ndarë në një shenjtore dhe një narteks, ku pjesa e narteksit ishte më e madhe. Absida e altarit është drejtkëndëshe, e ngjashme me atë që kemi parë tashmë në katedralen e Shkodrës të Shën Stefanit. Qemeri i saj dhe ‘harku triumfal’që e ndan atë nga shenjtorja janë në formë harku të mprehtë. Portali është romanik (Fig. 18) dhe poshtë lintelit, në qoshe janë konzolat në formën e kokave njerëzore, me një afresk mbi të (sipas Degrandit, i Virgjëreshës Mari, së cilës i ishte kushtuar shenjtorja). Mbi këtë portal ndodhet një dritare e lartë gotike (Fig. 20). Në pjerrësinë veriore të çatisë perëndimore, kisha kishte një kambanare të hapur.
Si Ippen (konsulli austriak Theodor Ippen, v. j.), ashtu edhe Degrandi (baroni francez Aleksander Degrand, v. j.) lexuan mbi mbetjet e një pllake varri të ngulitur në të majtë të portalit, emrin e Peshkopit Mark dhe vitin 1262.
Brenda vetë fortesës, menjëherë pas hyrjes (Fig. 18), gjenden mbetjet e një tjetër bazilike, gjithashtu e ndërtuar me gur si ajo e mëparshmja, por më e varfër (Fig. 18 dhe 19). Kjo ishte gjithashtu e mbuluar me dru dhe kishte një navë të ndarë nga një narteks dhe një shenjtore më të vogël.
Një veçori interesante e kësaj kishe është se, mbi absidën gjysmërrethore të altarit, kishte një kullë të lartë katrore (Fig. 18). Pjesa përdhese e kësaj kulle ishte me qemer të ‘thyer’, të mprehtë mbi gjysmën e kupolës së absidës së altarit. Katet e sipërme të kësaj kulle – ndoshta kambanarja – nuk janë ruajtur.
Degrandi ia kushtoi këtë kishë Shën Gjonit. Shtegu i ngritur dikur kalonte, lehtësisht i pjerrët, përpara portalit të kësaj kishe. Megjithatë, tani është i braktisur dhe ka degraduar aq sa porta ka mbetur lart mbi terrenin e erozionuar.
I gjithë qyteti i Svaçit (Shasit) ishte tashmë në rrënoja në vitin 1610, kur u vizitua nga kryepeshkopi i Tivarit. (Marino Bizzi 1565-1625, kryepeshkop i Tivarit nga 4 shkurt 1608 deri më 16 shtator 1624, v. j.)
Me këtë, përfundoi vizita rrethore të zonës së Shkodrës. Nuk është qëllimi im të jap një përmbledhje përfundimtare, aq më pak të klasifikoj ose të datoj monumentet. Qëllimi im ishte kryesisht të paraqes vetë skicat arkitekturore, të cilat shpesh flasin në mënyrë më elokuente se çdo përshkrim. Thjesht, kujtoj që i gjithë ky rajon, që serbët e mbanin nga mesi i shekullit të 11-të deri në mesin e shekullit të 15-të, ishte qartësisht katolik romak, siç dëshmohet nga arkitektura e tij. Kjo është e vërtetë si gjatë mbretërimit të mbretërve katolikë të Duklës të kurorëzuar nga Roma, ashtu edhe të sundimtarëve ortodoksë të Nemanjiqëve.
Jiriçek (Konstantin Jiriçek, historian austro-hungarez me prejardhje çeke, themelues i Ballkanologjisë, v. j.) vëren se mbretërit serbë gjithmonë respektonin dhe mbronin të drejtat e Kishës Katolike të Tivarit dhe papët rekomandonin kryeipeshkvët e rinj të zgjedhur, duke iu drejtuar atyre me ‘bir i dashur në Krishtin, mbret i ndritur i Serbisë” (Carissimo in Christo filio nostro, regi Serviae ilustri”).
Për Kishën e Shën Mërisë ai pohon se: “Struktura e çatisë ishte prej druri dhe ndoshta e dukshme nga poshtë, pasi në majat e çatisë nuk shihen gjurmë të pjesës horizontale, ndërsa ende janë ruajtur pjesë të kalbura të trarëve të pjerrët (Fig. 20). E ngjashme me kishën e Shën Dominikut në Trogir (1300–72).”

Të fundit

më të lexuarat