Në ambientet e Hotelit “Nobel” në Ulqin, të enjten (26 qershor 2025) u zhvillua seminari me temë “Përfshirja e grave në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave lokale gjinore dhe barazisë gjinore”, organizuar nga Instituti Punta në kuadër të projektit “Perspektiva gjinore e Ulqinit”, me mbështetjen financiare të Komunës së Ulqinit.
Seminari kishte për qëllim të fuqizojë kapacitetet institucionale dhe të shoqërisë civile në drejtim të promovimit të një qasjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të barabartë gjinore në të gjitha nivelet e vendimmarrjes në nivel lokal. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të fushës së barazisë gjinore, përfaqësues të mediave, si dhe qytetarë të interesuar, edhe pse në numër jo të madh.
Në fjalën hyrëse, koordinatorja e projektit, Hadixha Gjoni, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në jetën publike dhe politike në komunën e Ulqinit.
“Ky projekt synon të krijojë kushte më të mira për përfshirjen e grave në jetën publike dhe politike të komunës sonë, duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe demokratike”, ka thënë ajo.
Në seminar, pjesëmarrësve iu drejtua edhe kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq, e cilat theksoi se barazia gjinore nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe një faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm.
“Barazia gjinore nuk është vetëm një çështje drejtësie, por edhe e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Roli i gruas duhet të jetë i pandashëm në proceset politike dhe vendimmarrëse në nivel lokal”, ka nënvizuar ajo.
Popoviq prezantoi një analizë të detajuar të gjendjes aktuale në Komunën e Ulqinit, me titull “Gjendja e barazisë gjinore në Komunën e Ulqinit – sfida dhe perspektiva”, ku evidentoi mangësitë aktuale në përfaqësimin gjinor, nevojën për politika të qëndrueshme dhe rolin strategjik të aktorëve vendorë në avancimin e barazisë gjinore.
Buxhetimi gjinor, integrimi i perspektivës gjinore në politikat lokale dhe zbatimi i strategjive për arritjen e barazisë gjinore në Komunën e Ulqinit
Në këtë pjesë të seminarit, Alldina Koliq – Nikoçeviq, përfaqësuese nga Sekretariati për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore i Komunës së Ulqinit, foli për domosdoshmërinë e përfshirjes së analizës gjinore në procesin e planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit komunal.
Ajo theksoi se “përdorimi i buxhetimit gjinor nuk është vetëm një teknikë financiare, por një mjet i rëndësishëm për të siguruar që burimet publike shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me nevojat e grave dhe burrave. Përfshirja e barazisë gjinore në politikat lokale duhet të jetë një standard, jo përjashtim.”
Ajo gjithashtu ka treguar se Komuna e Ulqinit tashmë ka filluar hapat e parë drejt zbatimit të strategjive të barazisë gjinore, por theksoi nevojën për përfshirje më të madhe të të gjitha strukturave institucionale.
Roli i sektorit civil në promovimin e barazisë gjinore
Për rolin e sektorit civil në promovimin e barazisë gjinore ka folur Hadixha Gjoni, koordinatore e projektit, paneliste dhe aktiviste me përvojë në fushën e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
“Shoqëria civile luan një rol thelbësor në promovimin e barazisë gjinore, duke vepruar si zë i qytetarëve, si faktor presioni ndaj institucioneve dhe si partner në zbatimin e politikave. Ne kemi nevojë për një rrjet më të fortë ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve lokale për të ndërtuar bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv”, ka theksuar ajo.
Seminari u përmbyll me diskutime të hapura mes pjesëmarrësve, ku u ndanë përvoja dhe u theksua rëndësia e zhvillimit të planeve të veprimit konkret për përmirësimin e përfaqësimit të grave në institucionet lokale. U propozuan një sërë rekomandimesh praktike, ndër të cilat: Zhvillimi i mekanizmave të qëndrueshme për integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes lokale; Krijimi i kuotave të përfaqësimit për gratë në strukturat vendimmarrëse të Komunës; Fuqizimi i bashkëpunimit me sektorin civil për zbatimin dhe monitorimin e politikave gjinore; Hartimi i buxheteve të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore; Organizimi i fushatave vetëdijësuese dhe trajnimeve të rregullta për administratën lokale.
D. Teliqi
