Gëzuar 25 vjet liri!

“Faleminderit gjithësecilit që ka kontribuuar që ne ta gëzojmë ditën e sotme, nga secili qytetar, nga secila familje, sepse nuk ka qytetar, nuk ka shtëpi në Kosovë që nuk ka dhënë kontribut për liri në një mënyrë apo në tjetrën. E deri te secili mik i yni, nga ata që kontribuuan në vitin ’99 e deri tek këta që i kemi sot me ne dhe nuk na lënë vetëm as në ditët e sotme, përderisa Kosova ecën e fortë, demokratike dhe si një shembull i jashtëzakonshëm i një populli stoik e të qëndrueshëm që asnjëherë nuk do të heqë dorë nga liria, por përkundrazi do t’u dalë ndihmë edhe të tjerëve që kanë nevojë për këtë ndihmë në çdo cep të botës”, ka thënë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu

Në kuadër të aktiviteteve dhe ngjarjeve në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, të mërkurën e kaluar (12 qershor 2024) në “Grand Events” në Prishtinë është organizuar pritja shtetërore nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e saj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka uruar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar për lirinë e saj.
“Gëzuar për 25 vite liri! Gëzuar për 25 vite që ne mund të marrim frymë! Gëzuar për aleancat dhe miqësitë tona! Dhe mbi të gjitha, gëzuar për këta fëmijë të jashtëzakonshëm që ne i shohim çdo ditë e që na përkujtojnë që liria, edhe pse me çmim shumë të lartë, e gjithë ajo sakrificë vërtet ia ka vlejtur që ta shohim gëzimin dhe lumturinë në fytyrat e fëmijëve të sotëm”, ka thënë ajo.
Presidentja ka falënderuar të gjithë kontribuesit për lirinë e Kosovës.
“Faleminderit gjithësecilit që ka kontribuuar që ne ta gëzojmë ditën e sotme, nga secili qytetar, nga secila familje, sepse nuk ka qytetar, nuk ka shtëpi në Kosovë që nuk ka dhënë kontribut për liri në një mënyrë apo në tjetrën. E deri te secili mik i yni, nga ata që kontribuuan në vitin ’99 e deri tek këta që i kemi sot me ne dhe nuk na lënë vetëm as në ditët e sotme, përderisa Kosova ecën e fortë, demokratike dhe si një shembull i jashtëzakonshëm i një populli stoik e të qëndrueshëm që asnjëherë nuk do të heqë dorë nga liria, por përkundrazi do t’u dalë ndihmë edhe të tjerëve që kanë nevojë për këtë ndihmë në çdo cep të botës”, është shprehur Osmani – Sadriu, duke e përfunduar fjalën e saj me urimin “Gëzuar 25 vite liri! Festofshim përherë së bashku me miq, me dashamirë dhe me aleatë!”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar se javët e muajt e pranverës së vitit 1999 ishin shumë të vështira e të rënda, porse lotët e pikëllimit të qytetarëve të Kosovës u shndërruan në lot gëzimi në ditën e çlirimit të saj.
“Një çerekshekulli më parë, operacionet e tokës së djegur dhe plani gjenocidal ‘Patkoi’ i Serbisë sollën humbje, vuajtje dhe shkatërrim pa masë në mbarë Kosovën. Por kur ushtarët e parë të NATO-s hynë në Kosovë, fytyrat e mbuluara nga pikëllimi dhe sytë që kishin parë ditët më të errëta në jetën e tyre, filluan të shkëlqenin me lot gëzimi. Populli i Kosovës i priti ushtarët e NATO-s me krahë dhe zemra të hapura, me buzëqeshje dhe me brohoritje, si çlirimtarë, njësoj sikurse luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kudo ushtarëve u ofruan lule, gjersa valëviteshin flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe shteteve të tjera krahas flamurit kombëtar shqiptar”, ka thënë ai.
Sipas tij, liria e Kosovës erdhi falë sakrificës së popullit, rezistencës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit – NATO-s.
“Prandaj, sot themelet e shtetit tonë janë të forta, sepse ato u ndërtuan mbi gjakun e dëshmorëve, nga qëndresa e popullit dhe me mbështetjen e aleatëve”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se lista e falënderimeve ndaj atyre të cilët kanë kontribuuar për çlirimin dhe lirinë e Kosovës është e gjatë. Megjithatë, ai ka veçuar katër figura të politikës ndërkombëtare të cilët kanë luajtur rol kyç në momentet vendimtare për Kosovën.
“Dua të veçoj katër figura me të cilët kemi emërtuar sheshe dhe rrugë dhe u kemi ngritur shtatore në qytetet e Kosovës. Presidentin Bill Clinton, Kryeministrin Tony Blair, Sekretaren Madeleine Albright dhe gjeneralin Wesley Clark, për të cilët historia e Kosovës do të ruajë faqet më të ndritura për kontributin dhe rolin e tyre në lirinë tonë”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka folur për të arriturat e Kosovës në fusha të ndryshme, si në fushën e sundimit të ligjit, ekonomisë, kulturës, sportit etj.
“Një çerek shekulli pas largimit të forcave të armatosura okupatore të Serbisë, Kosova është kampione në Ballkanin Perëndimor për progres në demokraci dhe në sundim të ligjit, për respektim të të drejtave të njeriut dhe luftim të korrupsionit. Ekonomia e Kosovës apo Bruto Produkti Vendor sivjet do të jetë pesë herë e gjysmë më i madh sesa në vitin 2000, gati tri herë më i madh se në vitin e shpalljes së pavarësisë, 2008, dhe 50% më i lartë sesa para katër vjetëve. Çlirimi i vendit, shpallja e pavarësisë dhe qeverisja e mirë ia kanë vlejtur fort për demokracinë qytetare e ashtu edhe për rritjen ekonomike”, ka thënë ai, duke nënvizuar se “Kosova çdo herë e më shumë po lartësohet me arritje në sport e në kulturë që na kanë vendosur në hartën botërore të sukseseve”.
Me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve u është drejtuar edhe ish-Presidentja e Konfederatës zvicerane, Micheline Calmy-Rey.
Në pritjen shtetërore kanë marrë pjesë ndër të tjerë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, ish-Presidenti i Republikës të Kroacisë, Stjepan Mesiq, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Evropiane të Republikës të Kroacisë, Mate Graniq, Ambasadori William Walker, ish-udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës, kryetarë të subjekteve politike e përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Shqipëria dhe mërgata, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, përfaqësues fetarë etj. Nga shqiptarët në Malin e Zi në pritjen shtetërore kanë marrë pjesë ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe drejtori i Drejtorisë për Pakicat pranë kësaj ministrie, Arben Xhurreta, deputeti i Alternativës Shqiptare, Artan Çobi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti, aktivistët shoqërorë Ali Daci, Zylfije Gjoni – Duraku, Ismet Kallaba etj.
Në programin e pritjes shtetërore është shfaqur edhe një klip i realizuar nga Presidenca e Kosovës, si dhe janë kënduar këngë dhe luajtur valle nga Kori i fëmijëve “Okarina”, Baleti Kombëtar i Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” etj.
Të mërkurën gjatë gjithë ditës ka pasur me dhjetëra organizime me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, përfshirë seancën solemne të Kuvendit të Kosovës dhe paradën e ushtarëve dhe policëve të Kosovës në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

i.k.

Të fundit

më të lexuarat