Folklori burimor dhe arti i bukur dramatik i anamalasve

Gjekë Gjonaj

Ana e Malit është zonë e vlerave kombëtare e cila zë vendin e duhur në botën e kulturës shqiptare. Që ta njohësh folklorin e kësaj zone duhet të hysh në jetën e banorëve anamalas, të përjetosh nga afër realitetin e saj. Kjo trevë në tërësi ka krijuar dhe vazhdon të ruaj vlera të trashëgimisë etno-kulturore të zonave autoktone shqiptare. Ana e Malit paraqet një venbdbanim me interes nga pikëpamja kulturore. Në këtë aspekt ajo është shumë e pasur. Ka një thesar të pasur popullor. Brenda gjithë atij thesari ka shumë trashëgimi. Këngët, instrumentet muzikore, vallet popullore, kostumet me ngjyra që rrezatojnë shpirtin e anamalasve, janë dëshmi e pasurisë shpirtërore të kësaj zone. Këto vlera kombëtare anamalasit i kanë ruajtur me fanatizëm nëpër shekuj pavarësisht rrethanave jo të favorshme historike dhe trysnive të vazhdueshme politike, maltretimeve e diskriminimeve që i bëheshin kësaj popullate. Për ta forcuar identitetin e tyre kombëtar dashamirët vullnetarë të folklorit të kësaj zone, siç shkruan njohësi i mirë i trashëgimisë folklorike të kësaj treve Haxhi Zeneli në librin e tij “Me këngë nga vendlindja në Amerikë”, organizimet e para kulturore artistike nisën pas Luftës së Dytë Botërore në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, ku drejtor i asaj kohe ishte Jonuz Divani i cili nga banorët e kësaj zone vlerësohet si njeriu me kontribute dhe merita më të mëdha në edukimin, arsimimin dhe emancipimin e tyre. Këto aktivitete me nxënës të drejtuesve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle i paraprinë një fillimi të mbarë të organizimit të jetës kulturore në Anë të Malit.

Shoqëria Kulturore Artistike “Buna”, pionere e kulturës folklorike në Anë të Malit
Këtë vit kalendarik do të mbushen 54 vjet nga krijimi i Shoqërisë Kulturore Artistike “Buna” ( sipas emrit të Lumit Buna), institucioni i parë amator kulturor i ngritur me nismën e disa veprimtarive dhe adhuruesve të shquar të asaj kohe të trashëgimisë kulturore, artistike të përcjellë ndër breza të cilët dolën nga shkolla fillore e Katërkollës. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje mendojmë se ka një rëndësi shumë të madhe për kulturën folklorike të anamalasve, sepse ky ansambël folklorik i vuri themelet e zhvillimit të jetës kulturore artistike në këtë trevë dhe bëri të mundur ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e folklorit anamalas përmes koncerteve e festivaleve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht nga kushtet shoqërore-historike në të cilat jetonin popullata e Anës së Malit në regjimin komunist – titist , i cili nuk i shihte me sy të mirë organizimet e këtilla kulturore të shqiptarëve në ish-Jugollavi, ky ansambël folklorik lindi si një nevojë jetike e organizuar vullnetarisht nga vetë anamalasit që bënë çmos që të ruajnë vlerat folklorike kombëtare. Sipas Haxhi Zenelit SHKA “ Buna “ u themelua në Katërkollë në vitin 1969 , kryetar i së cilës u zgjodh Elez Muça. “Kjo shoqëri ishte e para në Anë të Malit, ku pasi punoi për disa vite rrethanat e asaj kohe bënë që të pushojë deri në riaktivizimin e saj në janar të vitit 1978 me shfaqjen e një koncerti në hollin e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga“ në Katërkollë. Kjo shoqëri ka dhënë disa koncerte nëpër qendra të tjera gjatë kësaj kohe”, shkruan Zeneli.

Shoqëria Kulturore Artistike “Lipoja”
Me një lule nuk çelë pranvera, thotë një fjalë e urtë popullore. Prandaj gjashtë vite më pas u formua Shoqëria Kulturore Artistike “ Lipoja” në vitin 1975 , në fshatin Krythë. Ajo e mori emrin e malit të lartë Lipoja në Anë të Malit. Punën e saj, siç pohon Zeneli, e udhëhoqën Musa Pali, arsimtar i gjuhës shqipe dhe Ramazan Bërkani (aktor i teatrit të Gjakovës).
Artdashësit e tubuar në këtë ansambël më punën e tyre vullnetare dëshmuan vlerat e çmuara të trevës në fushën e artit, folklorik dhe kulturës sonë kombëtare, bukurinë dhe larminë e kostumeve popullore, simfoninë e instrumenteve popullore që dëshmojnë lashtësinë e shpirtit artistik të anamalasve.

Shoqëria Kulturore Artistike “Zgjimi”
Tri vite pas themelimit të shoqërisë së dytë kulturore artistike në Anë të Malit fillon punën edhe një shoqëri e re për ruajtjen e trashëgimisë folklorike. Në verën e vitit 1978 disa studentë që studionin në Universitetin e Prishtinës u organizuan dhe në dhjetor të atij viti themeluan SHKA “ Zgjimi”. Kryetar i kësaj shoqate u zgjodh Zija Kraja, nënkryetar Faik Avdiu dhe sekretar Junuz Ujkashi. Siç mësuam nga njëri prej bartësve të veprimtarisë dhe aktiviteteve të kësaj shoqërie Gjilaver Avdiu, këta të rinj entuziastë, plot vullnet e energji, pas shumë provave çdo pasdite në mjediset e shkollës fillore në vitin 1978 shfaqën koncertin e parë për banorët e Bashkësisë Lokale të Sukubinës. SHKA “Zgjimi” e përbërë nga grupi i djemve dhe i vajzave shfaqi me sukses koncerte në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi, si në Sukubinë, Katërkollë, Ostros, Tuz e Ulqin, pastaj në Festivalin Republikan Folklorik, në Festivalin Ballkanik të Folklorit në Ohër etj. Ajo i befasoi edhe përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse komunale dhe republikane, të cilat dolën me vlerësime se veprimtaria e saj nuk përkonte me frymën e vëllazërim-bashkimit jugosllav dhe si e tillë duhej hetuar nga Administrata e Sigurimit Shtetëror të UDB-së jugosllave e cila filloi t’i thërrasë në biseda informative themeluesit dhe anëtarët e kësaj shoqërie gjoja për të gjetur armiqtë e vërtetë të cilët ishin të indoktrinuar nga irrendentistët kosovarë”, shkruan Avdiu në librin e tij “Pishtarët e lirisë”.

Teatri për fëmijë “Zgjimi” ringjalli artin skenik
Në kuadër të SHKA “Zgjimi” nga Sukubina, nga viti 1996-2000 me mjaft sukses ka vepruar edhe Teatri për fëmijë, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në trevat shqiptare në Mal të Zi. Falë vullnetit dhe entuziazmit të Shefqet Lucës , regjisor i këtij teatri dhe aktor amator shumëvjeçar në trupat teatrore “Sandër Prosi” dhe “Aleksandër Mojsiu” të Mitrovicës, me rreth 50 fëmijë të moshës 5-13 vjeçare ringjalli artin skenik jo vetëm në këtë lokalitet kufitar, por edhe në Komunën e Ulqinit. Gjatë punës së vet, siç na njoftoi regjisori dhe aktori Luca, ky teatër ka vënë në skenë tri shfaqje premierë: “Me Lizën në pritje të Vitit të Ri” ( dhjetor 1996), “ Një zemër e humbur” ( maj 1997) dhe “ Klasa e çapkënëve” ( prill 1998) me të cilat është prezantuar para publikut vendas dhe mbarëshqiptarë.
Këto tri shoqëri kulturore artistike në atë kohë patën një veprimtari të dendur artistike. Koncertet e shfaqura në të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi u pritën shumë mirë nga publiku. Mirëpo pas vitit 1985 filloi rënia ose një pasivitet i këtyre shoqërive. Në pasivitetin e tyre ndikuan demonstratat e vitit 1981 në Kosovë pas të cilave edhe në Anë të Malit filluan të ashtuquajturat “diferencime” politike, nga e cila valë e pësuan edhe disa nga anëtarët e këtyre shoqërive, kurse disa të tjerë u detyruan ta pezullojnë ose ta pakësojnë veprimtarinë e vet.
Shtojmë se aktualisht në Anë të Malit në mënyrë aktive nuk vepron asnjë shoqëri kulturore artistike. Tri ansamblet e para f0lklorike bashkë me teatrin për fëmijë janë shuar, kurse dy shoqatat e fundit kulturore artistike “Tradita” dhe “Ana e Malit“ figurojnë vetëm në letër. Për ringjalljen e tyre duhet një mbështetje e qëndrueshme financiare.

Të fundit

më të lexuarat