Shkolla “Fol Shqip”, e cila është hapur para disa ditësh në Queens të Nju Jorkut, është nisma më e re e bashkatdhetarëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë dhe për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar.
Shkolla është hapur me nismën e Shoqatës “Besi”, e themeluar vitin e kaluar nga një grup i mërgimtarëve nga fshati Bes i krahinës së Krajës, të cilët kanë emigruar në SHBA.
Në deklaratën për gazetën “Dielli”, kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës “Besi”, Mirsad Hasani ka thënë se hapja e një shkolle të tillë përbën një festë të trashëgimisë sonë shqiptare dhe nisjen e një udhëtimi drejt ndriçimit dhe edukimit kulturor kombëtar shqiptar.
“Hapja e shkollës shqipe është një ditë e veçantë e mbajtjes gjallë të gjuhës sonë të bukur shqipe dhe vazhdimësisë së saj si trashëgimi historike”, është shprehur ai, duke shtuar se ky përbën një gëzim të madh qoftë për përfaqësuesit e kësaj shoqate, por edhe për prindërit e fëmijëve dhe mbështetësit e Shoqatës “Besi”.
Ai ka treguar se si fillim kjo shkollë do të shërbejë për mësimin e gjuhës shqipe për shumicën e fëmijëve dhe për përvetësimin më të mirë të shqipes nga fëmijët me njohuri më të avancuara, ndërsa më pas do të vazhdohet me lëndë të tjera mësimore. Mësimi do të zhvillohet fillimisht vetëm ditën e diel, mësuesit janë profesionistë, kurse do të punohet me tekstet mësimore të siguruara nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Përpos kësaj, në këtë shkollë fëmijët do të ndjekin edhe orë vallëzimi me instruktorë profesionistë.
Krahas prindërve të fëmijëve, pjesëtarëve të komunitetit shqiptar nga fshati Bes dhe trevat tjera shqiptare, i pranishëm në ceremoninë e hapjes së shkollës “Fol Shqip” ishte edhe imami në xhaminë shqiptaro-amerikane në Glendale – Queens, Edin Gjoni.
Kjo shkollë i shtohet shkollave të tjera shqipe të hapura më parë në Nju Jork dhe qytete të tjera të SHBA-së.
(Kohapress)