Filloi manifestimi tradicional “Pranvera në Anë të Malit”

Edicioni i sivjetshëm shënon 20-vjetorin e këtij manifestimi, i cili ka nisur në vitin 2004. Ai ka filluar të dielën, me garat në shah dhe volejboll, për të vazhduar të hënën me turneun në futboll. Të martën ka filluar Logu i piktorëve “Shasi 2024”, me pjesëmarrjen e piktorëve shqiptarë nga Mali i Zi. Nesër mbrëma do të hapet ekspozita me punimet e realizuara gjatë kolonisë si dhe do të shfaqet dokumentari kushtuar 20-vjetorit të këtij manifestimi. Programi do të kulmojë me koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahet të shtunën mbrëma në Hajdari Family – Public Park në Zenelaj

Manifestimi tradicional “Pranvera në Anë të Malit”, që organizohet nga Shoqata “Ora”, ka filluar të dielën (2 qershor 2024) dhe ka vazhduar të hënën (3 qershor 2024) me ditën e sportit, ku janë mbajtur turnetë në volejboll për femra, në shah dhe në futboll.
Turneu i volejbollit për femra “Shasi 2024”, i organizuar nga Shoqata “Ora” dhe Klubi i Volejbollit për Femra “Barbana” për herë të parë në terrenin e sportit te Restoranti “Shasi”, u shndërrua në një festë të vërtetë sportive. Pas një lufte të fortë, fitues doli ekipi i vajzave “Mrkojeviqi” nga Tivari, vendin e dytë e fituan vajzat e KFV “Barbana”, kurse vendin e tretë ekipi i vajzave “Jukni Volley” nga Shkodra. Këtij ekipi i takoi edhe kupa për ekipin më fair play të turneut. Volejbollistja më e mirë e turneut u shpall Emina Shkrijel nga ekipi “Mrkojeviqi”, kurse volejbollistja më me perspektivë Merisa Aloshi nga KVF “Barbana”. Me këtë rast, Shoqata “Ora” dhe KVF “Barbana” ndanë mirënjohje për mësimdhënësin në pension të fiskulturës Bajram Salaj “për kontributin në zhvillimin e sportit të volejbollit në trevën e Anës së Malit”, ndërsa kjo mirënjohje do t’i ndahet edhe mësimdhënësit tjetër të fiskulturës Cano Axhemoviq.
Në turneun në shah fitues doli shahisti Florin Pali, vendin e dytë e zuri Agim Aruçi, kurse vendin e tretë Gani Bisha. Turneu u zhvillua sipas sistemit Berger (secili me secilin), ku në raundin e parë tre shahistët grumbulluan pikë të barabarta (nga 5 pikë). Prandaj u desh të zhvillohej xhiroja shtesë me lëvizje të shpejta, ku shahisti Florin Pali arriti fitore ndaj të dy shahistëve duke fituar vendin e parë.
Në turneun në futboll të vogël ndërmjet institucioneve, ndërmarrjeve dhe organizatave morën pjesë shtatë ekipe, ku fitues doli ekipi i Zjarrfikësve, i cili mundi në finale ekipin e Shoqatës “Ora” pas gjuajtjes së penalltive. Në vendin e tretë u rendit ekipi “Luksal”. Ekipi më fair play i turneut u shpall Komuna e Ulqinit, lojtari më i mirë Hysen Rama nga Shoqata “Ora”, golshënuesi më i mirë Gabriel Rudoviq nga ekipi i Zjarrfikësve, kurse portieri më i mirë Edon Kurti nga ekipi i Shoqatës “Ora”.
Manifestimi ka vazhduar me Logun e piktorëve “Shasi 2024”, që ka filluar të martën, me pjesëmarrjen e piktorëve shqiptarë në Malin e Zi. Punimet që do t’i realizojnë gjatë kolonisë ata do t’i prezantojnë në ekspozitën e cila do të hapet të premten mbrëma në mjediset e shkollës fillore në Katërkollë. Po këtë natë do të shfaqet edhe dokumentari kushtuar 20-vjetorit të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”.
Edicioni i këtij viti do të kulmojë me koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut, që do të mbahet të shtunën mbrëma (8 qershor 2024) në Hajdari Family – Public Park në Zenelaj. Me këtë aktivitet do të përfundojë manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” 2024.
Edicioni i sivjetshëm shënon 20-vjetorin e këtij manifestimi, i cili ka filluar në vitin 2004 dhe ka për qëllim shpalosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë së trevës së Anës së Malit. Përgjatë viteve në kuadër të këtij manifestimi janë shfaqur programe nga fusha të ndryshme të artit, muzikës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, etnografisë, teatrit, filmit etj. Në këtë mënyrë ai është shndërruar në një prej simboleve me të cilin identifikohet Ana e Malit. Ky manifestim ka ndikuar në gjallërimin e jetës në Anën e Malit dhe si nxitje për organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve të tjera me karaktet kulturor e turistik.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat