Plavë – Nën patronazhin e Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave në Qeverinë e Malit të Zi, në organizim të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” të Plavës, dhe në mbështetje të Komunës së Plavës, të shtunën, më 16 korrik 2022, filloi manifestimi tradicional gjithëpërfshirës, bujqësor, kulturor, letrar, artistik, teatral, muzikor dhe sportiv “Ditët e Boronicës” (i 22 me radhë), i cili do të zgjasë deri më 29 korrik 2022.
Gjatë 14 ditëve me radhë, sa do të zgjasë manifestimi në fjalë, në ambientet e Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së kulturës në Murinë, sheshit të qytetit të Plavës, si dhe të hapësirave të parapara të natyrës, në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete gjithëpërfshirëse: vjelja e boronicës në malin Kofilaça, ekspozita të pikturave dhe vizatimeve, shfaqje teatrale për fëmijë dhe të rritur, përurime librash, programe të larmishme të muzikës popullore dhe asaj zbavitëse, revista të folklorit dhe valleve burimore autoktone, prezantimit të lahutarëve, garave simultane në shah, turneut në futboll të vogël, prezantimit të kuzhinës me specialitete vendore, etj.
Në ditën e fundit të manifestimin, të premten më 29 korrik, Këshilli organizativ në mënyrë solemne do të shpallë misin (bukuroshen) e boronicës, vjelësen më të re dhe atë më të shpejtë të boronicës, me ç’rast do të ndahen edhe fletëfalënderime dhe plaketa për pjesëmarrësit e suksesshëm, nën përcjelljen e programit të larmishëm argëtues muzikor, në platoun e Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”.
Sh. Hasangjekaj