Fermerët paraqitën 35 kërkesa për vlerësimin e dëmeve

Ngricat në tokë të cilat kanë filluar nga rënia drastike e temperaturave në muajin janar të këtij viti kanë shkaktuar dëme kolosale në sektorin bujqësor në trevën e Malësisë.
Në sektorin për Bujqësi të Komunës Urbane të Tuzit, para pak ditësh kanë arritur tridhjetepesë kërkesa nga fermerët, për vlerësimin e dëmeve të cilat do t’i shqyrtojë Komisioni Shtetëror për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore pranë Qeverisë së Malit të Zi.
Këshilltarja për Bujqësi dhe Mbrojtje të Mjedisit jetësor në Komunën Urbane të Tuzit, Ismeta Gjoka, për Koha Javore u shpreh se nëpunës të Komisionit për Vlerësimin e Dëmëve kanë evidentuar çdo ditë dëmet në terren duke i regjistruar ato në regjistrat përkatës (raportet) të cilat më pas do t’i adresohen dikasterit përkatës.
“Kërkesat për vlerësim dhe kompensim eventual të dëmeve janë paraqitur zakonisht për prodhimtarinë në ambiente të hapura, duke dominuar kultura e lakrës e cila ka pësuar më së shumti nga ngricat e kësaj periudhe, kurse kemi pasur dhe tre kërkesa për prodhimtari në ambient të mbyllur (sera). Ne jemi në pritje të vendimeve që Komisioni Shtetëror për Vlerësimin e Dëmëve nga Fatkeqësitë Natyrore do t’i sjellë në zyrën tonë, ku më pas do të jemi në kontakt me fermerët të cilët kanë pësuar nga kushtet klimaterike të këtij viti”, u shpreh Gjoka.
Rikujtojmë se ngricat ekstreme me temperaturë disa gradë nën zero të cilat në vendin tonë kanë qenë të pazakonta prej shumë vitesh, kanë pamundësuar që fermerët të kultivojnë të mbjellat e tyre pranverore dhe në këtë mënyrë pa dyshim që edhe pasojat do të jenë të dukshme.t.u.

Të fundit

më të lexuarat