Në solemnitetin e mbajtur të shtunën, më 2. 11. 2024, në Ambasadën e Paqes në Tiranë, në prezencën e të ftuarve të shumtë nga rajoni, Federata e Paqes Universale, ka shpallur politologun, mr. Kristjan Dukaj, ambasador të paqes, si mirënjohje për angazhimet e tija në profesion por edhe në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore. Mirënjohja e fituar dëshmon kontributin e tij në promovimin e paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzish.
Mr. Kristjan Dukaj, studimet themelore për Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, i ka mbaruar në Podgoricë, për të vazhduar më pas studimet e magjistraturës në Universitetin e Sarajevës. Që nga shkolla e mesme i është përkushtuar shkrimeve dhe publikimit të përmbajtjeve të ndryshme duke filluar me poezi dhe punime gazetareske kurse opinionit të gjerë i është prezantuar edhe me tekste të ndryshme autoriale në gjuhën shqipe dhe atë malazeze. Pas përfundimit me sukses të studimeve ka punuar si Këshilltar për media në Komunën e Tuzit, ku ka arritur përvojë të konsiderueshme profesionale për punë të mëtejme në profesion. Po ashtu, ai është bërë i njohur edhe si analist politik në medie të ndryshme duke shpalosur qasjet e veta në rrjedhat politike e shoqërore në Mal të Zi dhe në rajon. Përveç kësaj, Dukaj, është autor i disa librave, siç janë përmbledhja me punime publicistike “Dora e parë”, pastaj “Pakicat në Mal të Zi dhe mekanizmat ekzistues në mbrojtjen e tyre”, “Besa – përjetësisht”, të cilat trajtojnë tema të rëndësishme në ruajtjen e identitetit të popujve dhe bashkësive pakicë.
Ai, po ashtu, është fitues i mirënjohjeve dhe shpërblimeve të ndryshme për poezi dhe punime publicistike kurse, me punën e vet, Dukaj, në vazhdimësi inspiron të rinjtë duke promovuar vlerat e paqes dhe tolerancës. Aktualisht, është i punësuar si këshilltar në Ministrinë e për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, duke vazhduar në të kontribuojë në avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë dhe në promovimin e dialogut ndërkulturor.
Shpallja e tij Ambasador i Paqes, është dëshmi shtesë në përkushtimin dhe vendosmërinë në zgjerimin e vlerave universale të cilat tejkalojnë kufijtë dhe dallimet kulturore dhe, si e tillë, mirënjohja e fitua është nderim dhe përgjegjësi të cilët ai do t mbajë me krenari.
Kohapress