Familja Çekiq ndërton sheshin e lojërave për fëmijë në Guci

Guci – Ndërtimi i sheshit të lojërave për fëmijë në Guci, me sipërfaqe 550 metra katror, investitor i të cilit është familja e gucianit Began Çekiq, i cili jeton dhe punon në Nju Jork, ka filluar javën e kaluar.
Familja Çekiq, Gucisë do t’ia dhurojë sheshin e lojërave për fëmijë në shenjë përkujtimi në bijën Sanihën, e cila humbi jetën tragjikisht më 13 tetor 2019 në Nju Jork.
Pas vdekjes së saj, vëllazëria Çekiq ka themeluar Fondin “Saniha Çekiq”, ndërsa të hollat e dhuruara dëshirojnë t’i shpenzojnë në ndërtimin e sheshit të lojërave për fëmijë.
“Sheshi i lojërave për fëmijë në Guci do të ketë patinat, kolovajzat, lodrat, etj., pra të gjitha pajisjet që nevojiten. Ai do të mbajë emrin ‘Saniha Playground’ ”, ka konfirmuar babai i të ndjerës Saniha, Began Çekiq, në deklaratën për media. Ai në vazhdim ka shtuar se rastësisht nuk e ka zgjedhur Gucinë si vend të cilit do t’ia dhurojë sheshin e lojërave për fëmijë.
“Bija ime nga Nju Jorku çdo verë ka ardhur në Guci. Ka ardhur si të gjithë fëmijët nga vendi i huaj të cilët vijnë me prindër për t’i kaluar pushimet në këtë qytet. Në poligonin sportiv të të cilit ka luajtur basket… Së tepërmi e ka dashur qytetin tim të lindjes dhe në të ka dëshiruar të jetojë. Në perëndim fëmijët e moshës 14-15 vjeç, prindërit detyrohen t’i çojnë në shkollë dhe t’i kthejnë në shtëpi. Këtu është ndryshe. Në Guci ka ndjerë liri si të gjithë fëmijët tjerë nga Diaspora”, ka thënë Began Çekiq, dhe ka shtuar se janë në kërkim të inventarit.
“Dëshiroj që inventari të jetë nga plastika dhe goma, që fëmijët të mos lëndohen. Sheshin e lojërave dua që ta punoj sipas standardeve botërore dhe nuk do të lejoj që fëmija i ndokujt të lëndohet. Të gjitha do t’i bëjmë ashtu që askush nuk do të mund të tjetërsojë inventarin”, ka deklaruar Çekiq.
Dëshira e tij është që sheshi i lojërave për fëmijë në Guci të kryhet deri në muajin tetor, para fillimit të dimrit. “Terreni gjendet pranë poligonit sportiv, të cilin e ka ndërtuar ish-Ministria e Arsimit. Tokën ndërtimore e kemi fituar nga Komuna e Gucisë, të cilës atë ia ka dhuruar, po ashtu, ish-Ministria e Arsimit. Do të dëshiroja që sheshi i lojërave për fëmijë në fjalë të jetë nën mbikëqyrjen e Komunës së Gucisë, ose të ndonjë institucioni të saj, sepse nuk kam mundësi që të përkujdesem për këtë”, ka përfunduar deklaratën Çekiq.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat