
Ulqini është qytet i vjetër bregdetar, qytet i lashtë ilir, i themeluar në shekullin e pestë para erës sonë. Një ndër qytetet më të vjetra në brigjet e Adriatikut është mjaft i pasur me monumente kulturore-historike. Kalaja e Ulqinit dhe qyteti i lashtë i Shasit janë pjesa thelbësore e trashëgimisë kulturore-historike të Ulqinit. Krojet, puset e shumtë, Sahat-Kulla e qytetit, xhamitë dhe kishat, rrugët e gurta, ullishta, veshjet e larmishme kombëtare, folklori, pasuritë natyrore si lumi Buna, liqeni i Shasit, Gjiri i Valdanosit, Pylli i Pishave me burimet e ujit sulfurik me veti shëruese që buron në Plazhin e Grave, basenet e Kripores ku mbi 250 lloje shpezësh kanë vendbanimin e përhershëm, Gjiri i Gjeranave, Ura e Klleznës, Gurra dhe mullinjtë e Millës etj. janë një pasuri e pavalorizuar për turistët, në nivelin e mundshëm dhe të duhur. Pa anashkaluar gatimet dhe gjellët tradicionale, qëndismat dhe produktet artizanale vendore. Mund të konstatojmë se Ulqini ka potencial të çmuar për zhvillimin e çdo lloj turizmi.
Trashëgimia kulturore është themel i identitetit kulturor dhe nacional të një populli. Kjo pasuri është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Ruajtja e trashëgimisë kulturore ka një rëndësi të veçantë, kërkon përkujdesje institucionale të planifikuar. Ajo duhet të mirëmbahet, ruhet dhe trashëgohet te gjeneratat e ardhshme.
Për këtë qëllim duhet të ekzistojnë mjete financiare të planifikuara dhe dedikuara për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të ketë një strategji të qartë për zhvillimin e turizmit kulturor. Duhet të kemi vizion të qartë në këtë aspekt dhe pushteti vendor të ndërmarrë veprime konkrete – të ndajë mjete të mjaftueshme për mbrojtjen dhe valorizimin e pasurive kulturore-historike të Ulqinit.
Por realiteti në terren dhe faktet flasin që nuk jemi në rrugën e duhur, sepse nuk kemi strategji të qartë për mbrojtjen dhe valorizimin e vlerave kulturore, duke ua ofruar ato turistëve të shumtë që vizitojnë Ulqinin.
Kroni i Çinarit është dëshmi për lëshimet tona në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike sipas standardeve që i parasheh Ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Punimet e zhvilluara për zgjerimin e rrugës prekën dhe dëmtuan këtë trashëgimi kulturore. Nuk u kryen punime cilësore restauruese në strukturën e kroit, pusit, urës dhe ambientit përreth Çinarit.
