Podgoricë – Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi organizoi në Podgoricë aktivitetin me temë “Gruaja shqiptare në Malin e Zi: Fuqi, sfida dhe perspektiva për një të ardhme më të barabartë”, në të cilin morën pjesë gra dhe vajza të profesioneve dhe funksioneve të ndryshme nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto u shpreh se ky aktivitet synon që të evidentojë figurën e gruas shqiptare në Malin e Zi, fuqinë e saj, sfidat me të cilat ajo përballet dhe perspektivat për një të ardhme të barabartë, si pjesë e një grupimi etnik autokton.
“8 Marsi është një moment reflektimi mbi kontributin e jashtëzakonshëm të gruas në përgjithësi, rolit të saj në familje dhe në shoqëri. Në këtë kuptim, gratë shqiptare në Malin e Zi meritojnë një vëmendje të veçantë për sa i përket kontributit që ato kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në shoqërinë malazeze, duke mos harruar kurrë misionin e ruajtjes së gjuhës, të traditave dhe kulturës shqiptare, duke mbajtur të gjallë identitetin tonë kombëtar për të cilin ne krenohemi çdo ditë”, u shpreh ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Ajo tha se në Mal të Zi, si një mjedis multietnik dhe multikulturor ku bashkëjetojnë disa grupime etnike, të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, kurse shqiptarët janë të veçantë edhe në këtë pjesë.
“Pesë për qind e shqiptarëve në këtë vend flasin një gjuhë ndryshe, gjuhën më të bukur shqipe. Ky fat ka qenë një sfidë shumë e madhe për integrimin e të gjithë juve në jetën shoqërore, ekonomike, politike të Malit të Zi”, theksoi Peto.
Ajo më tej shtoi se është shumë e qartë që në një shoqëri multietnike dhe multikulturore, sfidat e asimilimit janë të pranishme dhe janë të vazhdueshme në çdo kohë, “ndaj është shumë e rëndësishme që ju të gjitha bashkë të ruani fort identitetin kombëtar dhe në këtë kuptim, identiteti kombëtar dhe ruajtja e tij marrin një dimension të veçantë dhe shumë të rëndësishëm”.
Duke iu drejtuar zonjave të pranishme, ajo tha se gratë shqiptare me përkushtim kanë përcjellë te brezat e rinj atë që quhet ninulla e parë e gjuhës shqipe, duke shtuar se për të gjithë ne ky është dhe momenti i parë për ruajtjen e gjuhës amtare.
“Dhe njëkohësisht është moment i rëndësishëm për kultivimin e përkatësisë kombëtare”, u shpreh Peto.
Ambasadorja Peto vuri në dukje se në kuadër të globalizimit që shoqëria po kalon, nuk duhet anashkaluar për asnjë moment faktin se ruajtja e identitetit kombëtar është shumë e rëndësishme, duke përgëzuar të gjitha gratë dhe vajzat e pranishme, të cilat i inkurajoi që të kenë të njëjtin motivim për të ruajtur vlerat e tyre dhe për të mbajtur lart emrin e shqiptarëve, historinë tonë dhe identitetin kombëtar.
I ftuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë për ta pasqyruar këtë aktivitet në median që përfaqëson ishte gazetari Ardit Gjebrea.
Ai zhvilloi një sërë intervistash me gratë dhe vajzat e pranishme, të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm në Malin e Zi, në sfera të ndryshme të jetës.
Ndër ato, e intervistuar nga gazetari Gjebrea ishte Arlinda Osmani, drejtuese e Librarisë “Ulqini”, mjekja e parë shqiptare e punësuar në Malin e Zi, Zylfije Gjoni – Duraku, Dr. Sabina Osmanoviq, profesoreshë në Universitetin e Malit të Zi, piktorja Kaltrina Hoti, etj.
Të intervistuarat rrëfyen histori të jetës së tyre, mbi shkollimin, punësimin, sfidat që kanë hasur, integrimin e tyre në shoqëri, arritjet etj.
Organizimi i këtij aktiviteti kulturor është mbështetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
t. u.