Është në vazhdëmanifestimi tradicional shumëdimensional“Ditët e Boronicës”

Shaban Hasangjekaj

Në Komunën Plavës është në vazhdë manifestimi tradicional shumëdimensional: bujqësor, kulturor, letrar, artistik, teatral, muzikor dhe sportiv “Ditët e Boronicës”, i 24-ti me radhë, i cili ka filluar më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2024. Evenimenti manifestues edhe këtë vit mbahet në organizim të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” dhe në mbështetje e përkrahje të Komunës së Plavës, Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” dhe të organizatës Turistike të Plavës.
Gjatë 16 ditëve sa do të zgjasë manifestimi në fjalë, në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së Kulturës në Murinë, Sheshit të qytetit të Plavës dhe hapësirave të parapara të natyrës në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete shumëdimensionale me rëndësi, peshë dhe vlerë të lartë si: vjelja e frutës së boronicës në malin Kofilaça në afërsi të Plavës, përurime të veprave zhanreve të ndryshme letrare, ekspozita të pikturave dhe vizatimeve të artit të bukur e pamor, shfaqje teatrale për fëmijë dhe të rritur, programe të larmishme të muzikës popullore dhe zbavitëse, rivista të folklorit dhe valleve burimore autoktone, garë simultane në shah, shfaqje filmike, panairi i prodhimeve bujqësore dhe i punimeve artizanale, prezantimi i kuzhinës me specialitete ushqimore e ëmbëlsira vendore etj..
Në ditën e fundit të manifestimit në fjalë, të mërkurën më 31 korrik 2024, këshilli organizativ në mënyrë solemne do të shpallë Misin (bukuroshen) e boronicës, vjelësen më të re dhe atë më të shpejtë të frutës së boronicës, me ç’rast do të ndahen edhe fletëfalenderime dhe plaketa për pjesëmarrësit e suksesshëm nën përcjelljen e programit të larmishëm argëtues muzikor në ambientin e hapësirës së sheshit të qytetit të Plavës.
Drejtori i Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Vlladimir Vllado Knezheviq, i cili më 15 korrik e shpalli të hapur manifestimin në fjalë, u shpreh: “Manifestimi i 24-të me radhë tradicional “Ditët e Boronicës”, paraqesin jo vetëm kremtimin e kësaj frute të çmuar, por edhe shënimin kremtues të kulturës, traditës dhe të përbashkësisë sonë. Kjo ngjarje është rast që të tubohen njerëzit nga viset e ndryshme dhe diasporës, që të ndajnë përjetimet e veta dhe të kënaqen e dëfrehen në bukuritë e trevës sonë. Plava me liqenin e vet të mahnitshëm, Bjeshkët e Nemuna madhështore dhe me thesarin e pasur kulturor, bëhet qendër e kujdesit dhe vend ku lindin idetë e reja dhe miqësitë. Jemi krenarë që mund të gostitim numër vërtetë të madh vizitorësh dhe t’u ofrojmë përvoja të paharruara përmes manifestimit tonë dhe programeve të shumënumërta. Ditët e boronicës janë mbi festival, ato janë dëshmi e dashurisë sonë ndaj natyrës, vendit tonë dhe njërit ndaj tjetrit. Ditët e boronicës janë rast që të gjithë së bashku të gëzohen, mësojnë dhe të krijojnë kujtime të cilat do mbeten të paharruara gjatë tërë jetës. Plava gjatë këtyre ditëve do të jetë kaleidoskop i gjallë i ngjyrave, tingujve dhe aromave, vend i drejtë për të gjithë ata që dëshirojnë të ndiejnë shpirtin (frymën) e përbashkët dhe ngrohtësinë e trevës sonë”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e rastit në hapjen e manifestimit në fjalë ndër të tjera ka deklaruar: “Ndiej kënaqësi që manifestimi tradicional i 24 me radhë ‘Ditët e Boronicës’ hapet përmes lojës magjike në 64 gusha bardh-zi – lojës së shahut. Plava në ditët e ardhme do të tubojë mysafirë, miq, diasporën e çmuar të shumënumërt dhe do të jetë epiqendër e shumë ngjarjeve kulturore. Kjo ngjarje është simbol i përbashkësisë dhe traditës e cila të gjithë neve na lidhë, duke na ofruar rastin që sërish të tubohemi dhe kremtojmë begatinë e kulturës sonë. “Ditët e boronicës” janë më se festivali, ato janë pasqyrim i historisë sonë, krenarisë dhe mikpritjes. Përmes manifestimeve të shumëllojshme kulturore, shpresojmë se do të avancojmë ofertat kulturore e turistike të qytetit tonë duke krijuar kujtime të paharruara për të gjithë vizitorët. Me krenari theksojmë bukurinë tonë natyrore dhe mikpritjen, po ashtu u dëshirojmë të gjithë pjesëmarrësve dhe mysafirëve qëndrim të këndshëm në Plavë, me dëshirë që kjo ngjarje në mbetet në kujtesë të këndshme dhe me dëshirë të kthehen në qytetin tonë”.

Të fundit

më të lexuarat