Është mbajtur Eko kampi për të rinj ”Bjeshkët e Nemuna”

Guci/Plavë – Me rastin e 12 Gushtit – Ditës ndërkombëtare të të rinjve, e në kuadër të manifestimit “Vera guciane 2021”, gjatë vikendit të kaluar (7 dhe 8 gusht), është mbajtur Eko kampi i parë për të rinj “Prokletije” (Bjeshkët e Nëmuna), në luginën Grebaje jo larg Gucisë, të cilin e kanë organizuar organizatat turistike të Gucisë dhe Plavës, në bashkëpunim me Organizatën joqeveritare “Euromost”, me mbështetje të komunave të Gucisë dhe Plavës.
Me këtë rast, rreth 50 pjesëmarrës nga Podgorica, Bijello Pola, Rozhaja, Plava, Gucia, Prije Pola dhe Priboji, të moshës prej 15 deri në 25 vjeçare, kanë kampuar në Plavë dhe Guci, ku kanë pasur ligjërata në temën “Natyra rreth nesh”. Po ashtu, është organizuar edhe tryeza e rrumbullakët në temën “Bashkësia ime lokale, problem i imi”, ku pjesëmarrësit kanë biseduar mbi bashkësitë e veta lokale dhe problemet me të cilat përballen, kur është në pyetje mbrojtja e mjedisit jetësor, dhe si të rinjtë mund të ndihmojnë në zgjidhjen e atyre problemeve.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, me rastin e hapjes së kampit ka theksuar se përkrah zhvillimin e kapaciteteve intelektuale te të rinjtë përmes bursave të ndryshme të cilat komuna me kontinuitet (me vazhdimësi) i siguron dhe se përpiqet për përfshirjen e të rinjve në sistemin e vendimmarrjes në të gjitha nivelet.
“Do të jemi të qëndrueshëm në avancimin e pozitës së të rinjve në komunën tonë si të ndalojnë (pengojnë) shpërnguljen e të rinjve. Në këtë drejtim dhe qëllim kemi koncipuar direktiva (orientime) të rëndësishme, siç është: strategjia e punësimit 2021-2026, me çka qartë kemi definuar rrugën nëpër të cilën jemi nisur për të plotësuar qëllimin në fjalë”, ka theksuar kryetarja Çekiq.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka veçuar se qenësore është që të rinjtë të merren me temat me rëndësi dhe ata të jenë strumbullar i shoqërisë sonë, andaj ai beson se janë të vetëdijshëm fuqisë dhe potencialit të cilat i zotërojnë, sepse në ata mbështetet ardhmëria e vendit tonë.
“Bëhuni kreativ, të vetëdijshëm, të motivuar dhe të drejtuar kah zhvillimi personal, sepse në atë mënyrë do t’i kontribuoni avancimit të gjithmbarshëm. Komuna e Plavës do të përpiqet të punojë në përmirësimin e statusit të të rinjve, sepse të rinjtë janë ata të cilët në mënyrë të drejtë realizojnë potencialin e vet të gjeneratave të zhvillimit shoqëror”, është shprehur Canoviq.
Drejtoresha e Organizatës turistike të Plavës, Samira Canoviq, në fjalën e rastit ka falënderuar OJQ “Euromost” për bashkëpunim dhe ka lavdëruar komunat e Plavës dhe Gucisë për atë që kanë mirënjohur rëndësinë e rolit të të rinjve në shoqëri, si dhe pse kanë mbështetur Eko kampin. Ajo mendon se vizita edukative Plavës, do të jetë me rëndësi të madhe për vijuesit e kampit. Drejtoresha Canoviq, po ashtu ka theksuar se posaçërisht është me vlerë memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar me Organizatën turistike të Gucisë dhe Parkun nacional “Prokletije” (Bjeshkët e Nëmuna), padyshim jep frut, andaj Eko kampi i të rinjve “Prokletije”, është vetëm njëri në vazhdën e aktiviteteve që realizohet me nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje.
Lugina e vetmuar Grebaje (në zemër të Bjeshkëve të Nëmuna), ku është mbajtur Eko kampi në fjalë, është rrethinë inspirative dhe ambient ideal për kampino-aktivitete.
“Jemi shumë të kënaqur që me sukses kemi realizuar Eko kampin e parë të të rinjve “Prokletije”, në ndërlidhje të së cilit është zbatuar edhe aksioni i pastrimit të lokalitetit të Krojeve të Ali Pashës, ku të rinjtë kanë dhënë shembull me raportet dhe sjelljet e veta ndaj natyrës duke dhënë kontribut ngritjes së vetëdijes së qytetarëve mbi stivimin adekuat të hedhurinave dhe të ruajtjes së mjedisit të rrethinës. Organizata turistike e Gucisë do të vazhdojë me organizimin e aktiviteteve të ngjashme në bashkëpunim me partnerët tanë”, është shprehur drejtori i Organizatës turistike të Gucisë, Irfan Radonçiq.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat