Ëndrra në Paris

Gani Karamanaga

Plazhi i Valdanosit
Ishte verë, gusht 2022, ditë e nxehtë. Plazhi ishte plot me njerëz të rinj dhe të moshuar, por më shumë të rinj. Djaloshi i ri qëndronte në breg të detit me syza dielli, në mendimet e veta. Meditimin e tij “e prishi” dalja nga deti i vajzës së re të gjatë, flokët i binin në shpinë, kurse pikëzat e ujit ndriçonin nën rrezet e diellit.
Ecte ngadalë, duke u afruar vendit ku qëndronte djaloshi i ri. Ky i hoqi syzat. Mbeti i fascinuar nga pamja e vajzës. Duke sjellë kokën, në një moment iu kryqëzuan shikimet. Vajza vazhdoi deri te pishat në dalje të plazhit. Djaloshi hyri në det, por uji nuk e freskoi. Doli prej detit dhe u ul në kafene për të pirë kafe. Në afërsi ishte e ulur edhe vajza e cila doli prej detit, e shoqëruar me dy vajza ulqinake të cilat djaloshi i kishte të njohura.
Pasi u informua, e mori vesh se kush ishte dhe kështu filloi komunikimi në mes tyre.

Kafeneja “Higo” në Pyllin e Pishave
Pylli i Pishave filloi të formohet pas aneksimit të Ulqinit nga Mali i Zi në vitin 1880. Sot paraqet vegjetacion të mrekullueshëm prej vendit ku dikur ishte Hotel “Galebi” dhe në vazhdimësi, përafërsisht dy kilometra mbi pjesën shkëmbore bregdetare të Ulqinit. Kafeneja “Higo” gjendet në cep ku mbaron Plazhi i Grave.
Aroma e detit, era bregdetare e maestralit i lëmonte fytyrat e tyre. Për herë të parë u gjetën dora në dorë.

Fejesa
Pasi i njoftuan edhe prindërit për dashurinë e tyre, u organizua fejesa në restorantin “Safari” në Plazhin e Madh.
Pas një kohe, konkretisht në prill të vitit të ardhshëm, ishte kurorëzimi fetar në Xhaminë e Detarëve në Ranë.
Kurorëzimi në Paris
Para tre muajve, vajza Naimja erdhi te ne dhe na njoftoi se Elssa dhe Learti do të kurorëzohen në Paris, më 19 prill të këtij viti.
Na tregoi një surprizë: “Ju kam blerë letrat edhe për ju dy. Do të shkojmë në Paris familjarisht të gjithë, edhe me ju”.
Disa ditë para kurorëzimit, udhëtuam në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Aeroporti i Tiranës është i pari për nga numri i pasagjerëve në Ballkan.
Një ditë, djali im Skenderi më tha: “Dje ka pasur prej aeroportit të Tivatit 5 fluturime, prej aeroportit të Podgoricës 15 fluturime, kurse prej aeroportit të Tiranës 150 fluturime”.

Shëtitje nëpër Paris
Në Paris avioni u ul në aeroportin Beauvais-Tille. Ky është aeroport i vogël në krahasim me dy aeroportet tjerë të Parisit – Charles de Gaulle dhe Orly. Në dalje na pritën Elssa dhe babai i saj Mirsadi.
Isha nxënës i shkollës fillore në Ulqin, mësonim gjuhën frange. Në një artikull flitej për vendet më të bukura dhe monumentet e Parisit.
Ishim në afërsi të Kullës së Eifelit, kaluam nën Portën Triumfale, gjithashtu u fotografuam në oborrin e muzeut Louvre, lundruam me anije nëpër lumin Sena.
Naimja ia dërgoi fotografinë tonë (Fitnetja dhe unë) para Kullës së Eifelit vëllait tim Ismet Karamanagës. Ai i habitur, i shkroi mesazh: “A isht kjo fotomontazh a me të vërtetë janë Ganoja me Neten në Pariz?”

Festimi i kurorës
U zgjova në mëngjes në ditën e kurorëzimit. Apartamenti ynë ishte në periferi të Parisit. Prej dritares dëgjohej këndimi i zogjve. Ceremonia e kurorëzimit ishte në Komunën e afërt. Përveç familjarëve të Elssës dhe Leartit, ishin dhe disa ulqinakë të cilët jetojnë dhe punojnë në Paris.
Festimi i kurorëzimit ishte në restorantin e djalit të kushëririt tim, Maliq Karamanaga. Atmosferë e bukur, e veçantë, me këngë popullore të vjetra ulqinake, ushqimi me gjellë tradicionale të vendit tonë. Kishim bindjen se gjendemi në vendlindje në Ulqin.

Kthimi në vendlindje
Elssa do të vijë të jetojë me Leartin në Ulqin, ku është edhe prejardhja dhe vendlindja e prindërve të saj. Apartamenti i posandërtuar sipër shtëpisë ekzistuese të familjes Gorana gjendet te Sahat Kulla treqindvjeçare.

Të fundit

më të lexuarat