Emërime të reja në pushtetin lokal

Guci – Në seancën e tretë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur të premten e kaluar në sallën e Qendrës për Kulturë, pas miratimit “njëzëri” të procesverbalit nga seanca e fundit e Kuvendit, këshilltari i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Mal të Zi, Asdren Çelaj, ka kërkuar që në rendin e propozuar të ditës prej 19 pikash të radhitet pika mbi dhënien e pëlqimit për emërimin e nënkryetarit të Komunës së Gucisë nga radhët e popullatës shqiptare.
“Me emërimin e nënkryetarit në fjalë do të respektohej dëshira e popullatës shqiptare, jo vetëm që do të mbroheshin interesat shqiptare, por me kualitet më të madh do të veprohet në përmirësimin dhe avancimin e tërë situatës në Komunën e Gucisë. Gjithashtu, përmes nënkryetarit do të vendoseshin edhe marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën që do të përmirësoheshin edhe interesat e ndërsjella”, ka thënë këshilltari Çelaj.
Mbi propozimin e tij ka pasuar debati prej rreth dy orë e gjysmë, dhe atë sipas çështjeve teknike, për t’u gjetur në fund modusi që ai të nxirret në votim. Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat