Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” së bashku me Shoqatën “Kraja” nga Nju Jorku kanë organizuar më 7-9 maj të këtij viti një ekskursion me nxënësit e klasave të teta dhe të nënta të shkollave fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë dhe “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros.
Fëmijët pjesëmarrës në ekskursion kanë vizituar disa prej vendeve dhe monumenteve më të rëndësishme historike-kulturore të popullit shqiptar, si Kalanë e Rozafës në Shkodër, Memorialin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Lezhë, Kalanë e Krujës, Amfiteatrin e Durrësit, Muzeun Historik Arkeologjik të Vlorës, Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë, Qytetin Antik të Apolonisë në Fier, Gjirokastrën dhe shtëpinë e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, qytetin antik të Butrinit etj.
Në ekskursion kanë marrë pjesë gjithsej 123 nxënës, të shoqëruar nga 12 mësimdhënësit e tyre, ciceronët të cilët kanë ofruar informacione në aspektin historik dhe kulturor për vendet dhe monumentet e vizituara si dhe përfaqësuesit e Fondit Humanitar “Trojet tona”.
Shpenzimet e ekskursionit për nxënësit pjesëmarrës janë mbuluar tërësisht nga Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona” dhe Shoqata “Kraja”.
Në deklaratën për shtyp të Fondit Humanitar “Trojet tona” thuhet se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me aktivitete të këtilla, me qëllim të njohjes dhe ruajtjes së identitetit, kulturës, historisë dhe traditës sonë kombëtare.
(Kohapress)