
“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë. Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre, por ndërmjet të mirës dhe të keqes, e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen, i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja”.
Ja edhe sivjet për herë të dytë, Juri Kim nga Ambasada Amerikane në Tiranë uron “Ditën e Çlirimit të Shqipërisë (1944-2022). I bie 78-vjet Shqipëri e “çliruar”, e lirë, sipas saj, përfshirë periudhën prej pothuaj 50-vitesh nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Të lumtë zonja Kim, po e tregon lëkurën e vërtetë se kush je.
Dua ta bëj të qartë që në fillim se nuk kam ndër mend të kapem me Juri Kim dhe interpretimin e saj të historisë së Shqipërisë, as me “diplomatët”, majtisto-liberalo-bolshevikët evropianë, që e shoqëruan atë para disa ditësh në Varrezat e Kombit në Tiranë. Dëshiroj të theksoj edhe njëherë ashtu siç kam reaguar edhe vitin që kaloi me këtë rast ndaj deklaratës së saj dhe misionit të saj diplomatik në Tiranë, për të paraqitur regjimin barbar komunist të Enver Hoxhës në një dritë më të pranueshme se si e njeh historia. ‘Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! | Gazeta Telegraf – “Më duhet të sqaroj që në fillim se këtu nuk bëhet fjalë për ata që luftuan për katër vjetë dhe që vdiqën në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi, por për “çlirimin”, siç e quan përfaqësuesja Kim, që solli në pushtet një regjim komunist gjakatar, me në krye qoftëlargun Enver Hoxhën. Regjim i cili, përveç mijëra kundërshtarëve të tij ideologjikë, përfshirë familje të tëra, gra, fëmijë e pleq — zhduku pa mëshirë edhe bashkëpuntorët e vet më të ngushtë, për pothuaj një gjysëm shekulli. Ky “çlirim”, në të vërtetë e ktheu Shqipërinë, për pothuaj 50-vite në një skenë krimi. E gjithë Shqipëria ishte një burg telash me gjemba. Respekt për të rënët e luftës! Ata luftuan për lirinë e atdheut, por jo për robërimin e shqiptarëve nga komunizmi ndërkombëtar sllavo-aziatik” për pothuaj 50-vite.
Më thënë të drejtën, unë kisha menduar se deklarata e Juri Kim vitin që kaloi mund të kishte qenë një gafë diplomatike nga ana e saj dhe se nuk do e përsëriste më “përfaqësuesja e vlerave amerikane” në Shqipëri. Edhe mund t’i falej se edhe diplomatët gabojnë. Gabojnë rëndë, madje, si në këtë rast. Por kjo nuk ka të ndalur. Sivjet siç mund të shikohet nga fotot më poshtë – zonja Kim, përveç urimit në fejsbuk, ajo i prinë një delegacioni “diplomatësh” të huaj të paidentifikuar për ata që nuk i njohin, tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ja deklarata e Juri Kim:
“US Embassy 5h ·
| 1944-2022 | Shqipëria feston 78-vjetorin e çlirimit nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky rast shërben si kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare. Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri!
| 1944-2022 | Albania celebrates 78 years of liberation from the Nazi occupation during World War II. This occasion is a reminder of the sacrifices of the Albanian people and an opportunity to celebrate a glorious moment in Albanian history. Happy Liberation, Albania! “
Deklarata e botuar në fejsbukun e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Me thënë të drejtën edhe vajtja e këtyre “diplomatëve” tek Varrezat e “Nëna Shqipëri”, me Juri Kim në krye të paradës – përballë e krah për krah me nostalgjikët e Enver Hoxhës aty pranë, nuk do më shqetësonte aq shumë sikur “diplomatët e çlirimit” të Shqipërisë ta kishin balancuar atë vizitë duke shpjeguar për publikun të pakën me një deklaratë të shkurtër se pas vitit 1944, Shqipëria e çliruar” dhe nën regjimin komunist për pothuaj një gjysëm shekulli, nuk kishte as liri as demokraci, as të drejta të njeriut, por ishte kthyer për pothuaj 50-vjet në një mjedis krimesh të para në Evropë dhe në botë. Dhe të thonin, mos tjetër se ne po nderojmë dëshmorët e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi dhe jo regjimin e Envver Hoxhës që erdhi më pas dhe që robëroi Shqipërinë.
Kjo histori duket se nuk u intereson diplomatëve të “vlerave perëndimore” në Tiranë. Megjithëse Presidenti i Sheateve të Bashkuara, Xho Bajden dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Entony Blinken, uruan Shqipërinë dhe shqiptarët për 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë, ashtu siç kanë bërë udhëheqësit më të lartë amerikanë për pothuaj një shekull tani, pa iu referuar “çlirimit”. Ambasada Amerikane për të dytin vit uron atë që ajo quan “çlirim” të Shqipërisë (1944-2022). Në emër të kujt e bën kjo këtë deklaratë, unë nuk e di!
Fatkeqësisht në Shqipëri po triumfon e keqja, e mbështetur nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore, të cilat do duhej të denonconin krimet e komunizmit barbar në Shqipëri dhe të mos e cilësonin vendosjen e komunizmit në atë vend si një “çlirim”, sepse i tillë nuk ishte për shqiptarët, sido që ta cilësojnë sot diplomatët, përfshirë Juri Kim.
“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë. Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre, por ndërmjet të mirës dhe të keqes, e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen, i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja”.
Ambasada Amerikane në Tiranë përfaqëson vendin më të dashur që kemi për zemër ne shqiptarët kudo që jemi, sidomos ne shqiptaro-amerikanët, vendin e bekuar tonin – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kemi gjetur lirinë, demokracinë, paqen dhe të drejtat tona të mohuara nga regjimi “çlirimtar” që ju glorifikoni në këtë ditë. Asnjë interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara as i Evropës Perëndimore, sado i rëndësishëm të jetë përkohësisht, nuk justifikon glorifikimin e një regjimi barbar anti-njerëzor dhe mbështetësit e tij, një ish-regjimi ndër më të egrit në botë. Edhe njëherë, turp për ju!
Ju jeni diplomatë perëndimorë, gjoja përfaqësues dhe mbrojtës të vlerave perëndimore dhe jo të anti-vlerave shtypëse të një regjimi të vdekur: mbrojtës të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut pa dallim dhe përjetësisht, të pakën me sa dimë deri më sot. Na njoftoni ju lutemi, në qoftë se bota perëndimore ka vendosur të heqë dorë nga këto vlera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Me sjelljet tuaja, vizita dhe deklarata në këtë ditë të “çlirimit” sipas jush, doni a s’doni, po mbështetni historinë dhe krimet e një tiranie ç’njerëzore sllavo-komunisto-aziatike 50-vjeçare që iu imponua një populli të vogël –kombit shqiptar dikur krenar. Ju po përkujtoni dhe nderoni qoftë edhe përfaqësisht, një tirani që për 50-vjet iu imponua shqiptarëve me dhunë e gënjeshtra. Kjo tirani vazhdon të sillet rrugëve të Tiranës me mbështetjen tuaj! Diçka diktohet në ajër!
Ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shqiptarët kurrë nuk kanë dashur të jenë të ndarë nga bota perëndimore, as nuk pranuan kurrë vullnetarisht komunizmin. A e dinë diplomatët perëndimorë në Tiranë se Shqipëria menjëherë pas atij që ata e quajnë “çlirim” (1944-2022) në krahasim me vendet e tjera evropiane – per capita, ka patur numrin më të madh të martirëve të tri feve të shqiptarëve, sidomos në radhët e Kishës Katolike, por edhe më shumë martirë të demokracisë së vërtetë perëndimore, asaj demokracie, sidomos asaj amerikane që ju do duhej të glorifikonit dhe të përhapnit ndër shqiptarë, në vend të historiografisë komuniste. I kini kujtuar ndonjëherë këta martirë e dëshmorë anti-komunistë që dhanë jetën në mbrotje të demokracisë së vërtetë perëndimore në Shqipëri?!
Me këto sjellje tuaja, pa ndjenja balance e bashkimi për shqiptarët nga ana juaj, vazhdoni të turbulloni mendjen dhe ndërgjegjën e këtij populli shumë të vuajtur nga një regjim barbar, që ju sikur e cilësoni si “çlirimtar”. Fatkeqësisht jeni bërë palë me interpretimin e njëanshëm të pseudo-historianëve shqiptarë, të gënjeshtrave dhe të dhunës për një histori të tmershme masakrash nga viti 1944 e deri në prill të vitit 1991, që as vetë shqiptarët ende nuk e kanë zgjidhur midis veti. Ju po i mshoni një teze që shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë.
Jeni bërë palë e së keqës. Fatkeqësisht e keqja po fiton në Shqipëri edhe me mbështetjen ose të pakën me heshtjen e diplomatëve perëndimorë, sot dhe 30-vite më parë, që nga fillimi i të ashtuquajturit tranzicion “demokratik” që nuk ndodhi kurrë. Kjo shpjegon edhe aktualitetin politik të Shqipërisë “pjesërisht të lirë” si anëtare e NATO-s. Merreni me mendë!
Fatkeqësisht e keqja nganjiherë fiton, qoftë edhe përkohësisht, sidomos kur mbështetet nga të fortit! Kjo po ndodh edhe në Shqipëri sot. Por unë besoj se me kohë e mira ringjallet dhe përtërihet mbi të keqën. Besoj në thënjen latine: “Victi, vincimus!” Edhe të mundur (nga e keqja) tani për tani, atë e kemi mundur edhe pa ndihmën e ambasadorëve!