Dy Dritanat anamalas, në dritën e amshimit dhe lavdisë

Gjekë Gjonaj\

Para tri vitesh, në janar 2020, kur u lutëm për një vit të suksesshëm, për një botë më të mirë me më pak trazira, me më pak konflikte, me më pak dhunë, me më shumë barazi, me më shumë të drejta, me më shumë liri, një virus i panjohur filloi të përhapet me shpejtësinë e dritës në mbarë globin. Bota u kërcënua nga një virus që mbillte dhimbje e vdekje në kohën kur mjekimi dhe vaksinat mungonin, ndërsa infektimet shtoheshin dhe vdekjet bëheshin të pandalshme. Rastet e para me pneumoni misteriale virale u zbuluan në qytetin e Vuhanit në Kinë. Virusi i pagëzuar me emrin SARS-coV-2 (COVID-19) e përfshiu botën. Ekspertët mjekësorë konfirmuan me bindje se virusi transmetohej nga njeriu në njeri. Edhe përkundër të gjitha përpjekjeve, masave dhe mënyrave që ndërmori Kina për frenimin e përhapjes, rastet me koronavirusin e ri u përhapën me ritme gjithnjë e më të shpejta në Korenë e Jugut, Japoni, Tajlandë, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Iran, Evropë e kontinente të tjera. Ky “armik i padukshëm”, siç e cilësuan rëndom, përfshiu gjithë globin dhe e çoi botën drejt një mbyllje të paprecedentë. Maskat u bënë jo vetëm emblema të vitit, por edhe të një epoke të re të frikshme. Shtrëngimi i duarve u bë i ndaluar. Po ashtu edhe përqafimet në momentin kur na duheshin më shumë. Dashuria filloi të barazohej me distancimin. Ky realitet i ri i frikshëm i cili ndryshoi gjithë planetin e papërgatitur për përballimin e kësaj sfide përfshiu edhe çdo cep të vendit tonë.
Edhe Komuna e Ulqinit, sidomos zona e Anës së Malit, shënoi ditë të zeza që prej shpërthimit të pandemisë me dhjetëra e dhjetëra jetë të humbura. Shtëpia e Shëndetit të Ulqinit do të ishte mirë dhe me interes të publikojë bilancin (listën ) e saktë të personave të vdekur nga kjo trevë si pasojë e këtij virusi. Jemi të mendimit se (qofsha i gabuar) Ana e Malit në krahasim me numrin e popullatës do të ketë bilancin më negativ të humbjeve të jetëve njerëzish nga koronavirusi në Mal të Zi po se po, ndoshta edhe më gjerë. Këtë dhimbje tragjike të shkaktuar nga virusi korona, ndër shumë familje të tjera anamalase e përjetuan me pikëllim të thellë e me zemër të thyer edhe familjarët e Dritan Alajt (38 vjeç) dhe Dritan Kurtit (42 vjeç). Fluturuan drejt amshimit dy shokët dhe miqtë e mi me të njëjtin emër, dy shpirtra nga më të mirët të kësaj krahine gjeografike dhe etnografike shqiptare.

Dritan Kurti (1978-2020)
Humbja e parë dhe më e dhimbshme e cila ka prekur dhe ka tronditur jashtëzakonisht shumë të gjithë banorët e Anës së Malit, padyshim ishte largimi i papritur nga kjo jetë i birit të tyre të dashur, 42-vjeçarit Dritan Kurtit nga fshati Sukubinë, më 24 tetor 2020 nga Covid-19. Ikja e tij e parakohshme preku thellë shpirtin e familjarëve, farefisit, shokëve, kolegëve, miqve dhe bashkëkombasve të tij që e njohën. Kisha kënaqësinë dhe privilegjin që e njoha Dritan Kurtin, me të cilin nga bashkëpunimi i mirë shumëvjeçar krijuam një miqësi të sinqertë. Çdoherë mu përgjigjte në kohë kur e thërrisja në telefon për të marrë ndonjë informacion nga aktivitetet e tij të shumta në fushën e arsimit në shkollë ku punonte si mësimdhënës, nga veprimtaritë e Shoqatës “Ora” dhe të Bashkësisë Lokale – Sukubinë, të cilat i drejtonte me sukses, apo për aktivitetin kulturor-artistik të Ansamblit “Tradita”, në të cilën si valltar i shkathtë , me trupin e tij të hijshëm, i veshur me petkun kombëtar që i rrinte aq bukur, ka dhënë një kontribut të paçmuar që kjo trevë të ruajë vlerat e trashëgimisë kulturore, veçmas folklorit të saj. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike në ansambël, ka interpretuar valle në shumë treva shqiptare ku ka shkuar Ansambli “Tradita” si brenda vendit, ashtu edhe në turne jashtë shtetit. Lëvizjet e këtij kërcimtari u cilësuan nga ekspertët e folklorit si shumë dinamike me një ritëm të admirueshëm, ku kishte një harmoni të spikatur në kostumin e zonës ku u lind dhe ku sot prehet trupi i tij i pajetë.
Dritan Kurti ishte informatori im i besueshëm, i cili në çdo kohë dhe moment pa përtesë më jepte informata të sakta nga veprimtaria e tij e gjithanshme, e madhe dhe e frytshme. Ai ndau kohën e tij për mua, sepse ishte i ndërgjegjshëm, i vëmendshëm, i kujdesshëm, i papërtueshëm, i gatshëm dhe i vullnetshëm për të bërë gjëra me vlerë në të mirën e përgjithshme. Në gjykimin tonë Dritan Kurtit duhet t’ia pranojmë këto dhe cilësi si njeri shumë ambicioz për të bërë një punë, dhe shumë i përkushtuar për të demonstruar sukseset dhe arritjet. Kjo është një aftësi. Për këto dhe shumëçka tjetër, Dritan Kurti do të na mungojë shumë dhe do ta kujtojmë përherë deri në fund të jetës.
Në 1-vjetorin e vdekjes së kryetarit të saj, mësimdhënësit dhe veprimtarit Dritan Kurti, në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, Shoqata “Ora” ka organizuar mbrëmjen përkujtimore “Një vit pa Dritanin”. Me këtë rast kjo Shoqatë ka ndarë mirënjohje për kryetarin e saj Dritan Kurti, me motivacionin “Për kontributin në themelimin, organizimin e aktiviteteve, drejtimin me sukses të Shoqatës ‘Ora’ dhe veprimtarinë e gjithanshme në të mirë të shoqërisë”. Po ashtu Shoqata “Ora” ka shfaqur dokumentarin kushtuar këtij aktivisti, punonjësi të arsimit dhe intelektuali të veçantë të kulturës sonë kombëtare, Dritan Kurti.

Dritan Alaj (1982-2020)
Dy javë pas humbjes së betejës nga koronavirusi të Dritan Kurtit, më 15 nëntor 2020 , në Qendrën Klinike të Malit të Zi, në moshën 38-vjeçare u nda nga jeta njeriu me zemër të madhe, punëtori e veprimtari i dalluar, atdhetari, aktivisti, politikani – sekretar i përgjithshëm i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, njëherë edhe këshilltar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Dritan Alaj, nga fshati Katërkollë. Shkak u bë virusi korona me të cilin qe diagnostikuar disa javë më parë. Lajmi i hidhur për vdekjen e tij të parakohshme shqetësoi dhe shkaktoi dhimbje të madhe në Anë të Malit në të dyja anët e kufirit, Mal të Zi e Shqipëri, Ulqin, Tivar, Krajë dhe diasporë. Aq më tepër kur ai la pas vetes babain, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij jetimë, Dorianin dhe Erionën.
Dritan Kurti , siç e vlerësonin bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me punën e tij të përkushtuar në Njësinë zonale të Fondit Pensionisto Invalidor ishte gjithmonë në shërbimin e të gjithë qytetarëve. Kishte virtyte të larta njerëzore, ishte i respektueshëm, i kujdesshëm dhe i sjellshëm për shoqëri dhe i dashur për familje. Njeri me plot pozitivitet që të mbushte me besim dhe shpresë për një jetë më të mirë. Ai si këshilltar dhe funksionar i lartë i Unionit Demokratik të Shqiptarëve kontribuoi në zhvillimin e proceseve demokratike në vend.
Me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së këshilltarit tashmë të ndjerë Dritan Alajt, më 19 dhjetor 2021 në sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit u mbajt seanca përkujtimore, në të cilën për vlerat e njerëzore dhe kontributin e tij shoqëror folën kryetari i Kuvendit, Haxhi Sulejmani, kryetari i UDSH-së Mehmet Zenka, kolegët Agron Mehmedi dhe Halil Truma, ndërsa në emër të familjes falënderoi të pranishmit babai i Dritanit, Myzafer Alaj.
Kjo është shkurtimisht historia e dhimbshme e dy intelektualëve të shquar anamalas, tek të cilët vlerat qytetëruese, kulturore dhe atdhetare ishin pjesë e jetës dhe veprimtarisë së tyre. Të dy kishin një emër – Dritan, që ndriçonin kurdo e kudo dhe ishin dy anëtarë nga familjet shumë fisnike dhe të ndershme, Kurti e Alaj.
Këta të dy Dritana – dritat e Anës së Malit janë shëmbëlltyrë të qytetarëve të denjë e fisnikë. Të tillë do të mbeten për shumë kohë, jo vetëm për familjarët e tyre, por edhe për gjeneratat që do të vijnë. Popullata e kësaj treve do të jetojë me kujtimin për dy Dritanat në dritën e amshimit dhe lavdisë.

Të fundit

më të lexuarat