Dy autobusë në shërbim

Tuz – Komuna e Tuzit nga data 2 shtator 2024, ka rikthyer linjën e transportit publik me autobus, Tuz- Podgoricë, ndërsa udhëtarët do të mund ta shfrytëzojnë këtë mjet transporti në gjashtë orare të ndryshme nga mëngjesi deri në mbrëmje, në gjashtë lokacione si: Dushiq, Vllanë, Tuz, Shipshanik, Dheu i Zi dhe Rakiq.
Përveç linjës Tuz- Podgoricë, Komuna e Tuzit ka vendosur në qarkullim edhe linjën tjetër e cila do të jetë funksionale për vendbanimet: Omerbozhaj- Dinoshë- Milesh-Tuz- Sukruq- Kodërbudan- Nënhelm- Dreshaj- Vuksanlekaj- Tuz.
Në lidhje me jetësimin e këtyre dy linjave të sipërpërmendura, biseduam me drejtorin e SHPK “Komunale” e cila operon me këto dy linja, Admir Biorac, i cili për gazetën “Koha Javore” shprehet se për vënien në funksion të këtyre dy linjave të qarkullimit me autobus, më së shumti kanë pasur nevojë nxënësit dhe punëtorët.
“Nga viti 2019 nuk ka pasur linjë të autobusit Tuz- Podgoricë, pasi që nuk është bërë ndarja territoriale në mes dy komunave, të Tuzit dhe asaj të Podgoricës, mirëpo u desh që ne ta marrim përsipër dhe të vazhdojmë punën, derisa të bëhet ndarja territoriale mes dy komunave. Ne kemi dy autobusë dhe ata do të vazhdojnë të qarkullojnë siç ka qenë më parë,” u shpreh Biorac.
Ndërkaq, i pyetur se sa do të jetë çmimi i biletave të udhëtimit, i asaj ditore dhe mujore, Biorac tha se në lidhje me këtë do t’i dërgojnë propozim Kuvendit të Komunës së Tuzit i cili do të vendos mbi këtë çështje. “Ndërsa përgjatë muajit shtator, deri më 1 tetor, udhëtimi do të jetë pa pagesë” u shpreh Biorac.
Në të njëjtën kohë, drejtori i SHPK “Komunale” thotë se planifikojnë që të blejnë edhe një fugon elektrik i cili do të shërbente për transport falas. Gjithashtu, ai tha se planifikojnë që të vendosin edhe stacionet e autobusit për nxënësit nëpër fshatra.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat