Ahmet Kurmemaj është i lindur në vitin 1965 në Tivar. Rrënjët i ka nga Krytha e Anës së Malit (babain krythacak, kurse nënën krajane). Qysh në vitin 1970 jeton përfundimisht në SHBA, ku ka themeluar një kompani e cila merret me transport në nivel ndërkombëtar. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Dinën (e lindur në SHBA, prindërit nga Mërkoti – komuna e Tivarit) deri më tash kanë ndihmuar në forma të ndryshme në Malin e Zi, me rreth 500 mijë dollarë.
Ahmet Kurmemaj qysh fëmi ka pasur probleme shëndetësore, me përkuljen e gjunjëve, për ç’arsye është bërë operacion shumë herë, por kjo nuk e ka penguar që me dedikim e punë të shkollohet dhe të bëhet afarist i suksesshëm. Ai në vitin 2006, në Nju Jork ka krijuar firmën Kayla Logistics Corps.
Duke u shprehur për arsyen se pse ndihmon, ai thekson: “Disa do të thoshin, sepse jam budalla”.
Ai sqaron se një pjesë e komunitetit tonë mendon kështu, sepse te ne ende nuk është në nivelin e duhur kultura për të dhuruar.
Sipas Ahmetit, ndihmë humanitare nuk është të ndihmosh të afërmit, por të ndihmosh ata njerëz që nuk i njeh, e që janë në nevojë dhe kanë më pak fat.
Në të kaluarën e afërt, Dina dhe Ahmet Kurmemaj kanë kontribuar me rreth 200 mijë dollarë në Nikshiq, Bijello Polje, Youth Center dhe Qendrën e pacientëve me nevoja të veçanta në Komanski Most, në Podgoricë, pastaj shkollat me nevoja të veçanta në Ulqin dhe Katërkollë, kanë sponsorizuar seminarë për diabetikët, si dhe aparatet për matjen e glukozës e insulinës. Ndihma e këtij çifti lidhet me këto zona dhe me këto kategori të popullatës e të institucioneve, sepse Ahmeti një pjesë të jetës së tij si fëmi dhe i ri e ka kaluar në Tivar e Nikshiq.
Ahmet Kurmemaj prej kohësh ka pasur dëshirë që të ndihmojë edhe Ulqinin dhe Anën e Malit (vendlindjen e të parëve të tij), por nuk ka gjetur mënyrën e duhur. Ai rastësisht ka dëgjuar për punën dhe kontributin e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet tona”. Kontakti i parë i Ahmetit me “Trojet tona” është bërë në fund të vitit të kaluar.
Në këtë fond pohojnë se ky ishte një rast i pashembullt, pasi pa u takuar fare, vetëm pas një bisede telefonike, Dina dhe Ahmeti kanë paguar 5 mijë dollarë për të ndihmuar fëmijët jetimë, për të vazhduar pastaj me donimin e 15 mijë dollarëve dedikuar për rinovimin e shkollës fillore në Krythë. Kurse kulmi ka qenë pagesa e 100 mijë dollarëve (ende pa u takuar me përfaqësuesit e Fondit) nga Dina e Ahmeti të dedikuara për pacientët me sëmundjen e sheqerit në komunat: Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë e Guci. Ndërkaq, në maj të këtij viti ata dhuruan edhe 7 mijë dollarë për edukim, sport e kulturë. Kështu vetëm në gjysmën e parë të këtij viti Dina dhe Ahmet Kurmemaj dhuruan 127 mijë dollarë.
Por, sipas pohimeve të tyre, dhurimi nuk mbaron me kaq: deri në mbarim të vitit do të dhurojnë 150 mijë dollarë për Spitalin e Tivarit, për të blerë një autoambulancë dhe një tavolinë operacioni dhe mjete të tjera të nevojshme.
Për këto donacione në Fondin “Trojet tona” shprehen shumë të kënaqur. Të njëjtën konsideratë e shprehin edhe donatorët Dina dhe Ahmet Kurmemaj për punën dhe angazhimin vullnetar në kuadër të Fondit Humanitar “Trojet tona” për të ndihmuar në vendlindje.
H. Sh.