Dritare e informimit shqip në Mal të Zi

Sot 17e vite më parë, në Tuz, të Malësisë u themelua portali i parë në gjuhën shqipe në MZ, ideator dhe themelues i të cilit ishte Robert Gj Ivezaj. Padyshim se në vitet e hershme, kur pothuajse nuk kishte komunikime virtuale, portali Malësia.Org luajti rol të rëndësishëm në informimin në gjuhën shqipe dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare posaçërisht tek shqiptarët në Mal të Zi
Në fillim ky portal kishte edhe komunikimin e vetëm përmes internetit, malësia chat, ku shumë të rinj dhe të reja u shoqëruan dhe u bashkuan përmes këtij komunikimi.
Portali Malesia.Org ndoqi me një interesim të jashtëzakonshëm ngjarjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi siç është rasti i procesit të montuar politik Fluturimi i Shqiponjës, ku padrejtësisht u arrestuan disa persona të komunitetit shqiptar nga Malësia.
Stafi i këtij portali, i vogël por me punë të madhe, arriti që të bëjë intervista me figura të rëndësishme, si kulturore, politike etj. Një nder intervistat e shumta që realizoi ishte edhe intervista me Kryeministrin shqiptar nga Kosova dhe ish Komandantin e UÇK-së, z.Ramush Haradinaj.
Ky portal, për kontributin e vet informativ, u nderua me çmime të larta edhe nga Bashkia Malësi e Madhe, konkretisht nga ish-nënprefekti i Malësisë, së Madhe, Sytki Ndrecaj, nga Komuna e Istogut, me kryetar Haki Rugova, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe Martin Dreshaj, Muzeu Etnografik i Malësisë, nga shoqatat e shumta kulturore-artistike etj. Vlen të ceket se stafi i portalit Malesia.Org, secilin vit, kishte ftese nga ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij z.Bujar Nishani, në kuadër të takimit të tij vjetor, që organizonte me rastin e pritjes tradicionale vjetore me Përfaqësuesit e Medias. Padyshim se kur punohet vullnetarisht, është edhe më vështirë të veprohet dhe të jepen lajme dhe informata të shumta, por megjithatë portali Malesi.Org, për 17 vite të ekzistencës së vet luajti rol të rëndësishëm në informimin shqip të kësaj treve dhe padyshim ishte një dritare e vërtet për informimin shqip si në Malesi, e po ashtu edhe në Diasporë. Prandaj urime 17 vjetori i Portalit Malesi.Org, duke uruar që edhe shumë vite të vazhdon si deri tani në informimin shqip, për shqiptarët anekënd botës.
A. Camaj

Të fundit

më të lexuarat