Ulqin – Mjeku epidemiolog Dr. Kreshnik Mustafa është emëruar drejtor i ri i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin.
Ai zëvendëson në këtë post Dr. Sadije Hollajn, e cila e ka drejtuar për katër vjet këtë institucion të vetëm shëndetësor në Komunën e Ulqinit.
Kreshnik Mustafa është specialist i epidemiologjisë. Ai ka lindur në Tivar, më 13 korrik 1986. Shkollën fillore e ka kryer në Katërkollë, të mesmen në Ulqin, kurse studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, në vitin 2013.
Pas kryerjes së stazhit të përgjithshëm dhe provimit shtetëror, ka filluar të punojë në Repartin e Ndihmës së Shpejtë në Ulqin, duke qenë për një kohë edhe shef i këtij reparti. Në vitin 2023, në Fakultetin e Mjekësisë në Nish ka mbaruar specializimin për epidemiologji. Në Shtëpinë e Shëndetit – Ulqin ka ushtruar detyrën e shefit të Shërbimit Higjienik-Epidemiologjik, të cilin edhe e ka themeluar pas kryerjes së specializimit. Ka marrë pjesë dhe ka organizuar vaksinimin e pacientëve gjatë pandemisë Covid-19. Po ashtu është pjesëmarrës në seminare dhe kongrese të ndryshme të mjekësisë, brenda dhe jashtë Malit të Zi.
Mësohet se për postin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin kanë aplikuar disa persona, por pas tërheqjes kanë mbetur tre kandidatë, prej të cilëve ministri i Shëndetësisë, Dr. Vojisllav Shimun, ka vendosur të emërojë Dr. Kreshnik Mustafën.
(Kohapress)