
Ai ka doktoratë (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.
Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radiotelevizive ndërkombëtare, gazetar i shquar, autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë në median e shkruar amerikane, ndër të tjera fushë edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë. Si njëri prej “vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si ekspert i njohur gjatë karrierës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti për situatat në zonën e Euroazisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë, qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, joqeveritare dhe akademike. Përveç posteve të tjera me rëndësi, me emërimin e tij në postin e drejtorit të përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur kulmin e karrierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij janë krenarë, por edhe të gjithë ne që e njohim dhe punuam me të, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave modestë, si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkëpunëtor i pandarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysmë shekulli në përpjekjet për liri e
demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anembanë botës. Kur Zotit Biberaj i qe besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në vitin 2020, duke e njohur shumë mirë Elez Biberajn, aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, kushtimit të tij ndaj së vërtetës, respektit të tij për dëgjuesit, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës. Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi Amerikan, për të raportuar të vërtetën anembanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira. Qofshin lajme të mira ose të këqija, do t’jua themi të vërtetën, ishte dhe mbetet motoja e VOA-s, nga fillimi. Një moto të cilën z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane. Me atë rast, isha shprehur në një shkrim se, “Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që ia kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë, se Dr. Elez Biberaj”.
Nëpërmjet misionit të Zërit të Amerikës ndaj të së vërtetës, lirisë, demokracisë dhe të drejtave bazë të njeriut, Dr. Elez Biberaj ia kushtoi 43 vjet të jetës së tij në shërbim të lirisë së shtypit. Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë në strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Amerikën tonë të dashur, ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushëveprimet e preferuara tona si shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë.
Për veprimtarinë e tij shembullore pranë Zërit të Amerikës gjatë dekadave, Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, e sidomos për përpjekjet e tij historike për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, përpjekje të cilat më në fund çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Dr. Biberaj ka luajtur një rol të veçantë ndër vite dhe është dalluar për punën e tij të palodhshme në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëri shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve, duke falënderuar gjithmonë bashkëpunëtorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve. Mbi të gjitha, ai është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të këtij enti mediatik me famë botërore, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Elezin, ish-drejtori i përgjithshëm i VOA-s, Z. David Ensor. Elezit, kolegut dhe mikut tim të ngushtë prej 5 dekadash, me të cilin kam pasur nderin dhe privilegjin të punoja dhe të bashkëpunoja gjatë viteve, në kohë të mira e në periudha të vështira, i uroj pensionim të mbarë. Vetëm mbaje mend mik e koleg i dashur: Në këtë jetë nuk ka as fillime as mbarime, por ka tranzicione, nga një kapitull i jetës në tjetrin, nga një mision të jetës në tjetrin. Misioni nuk ka mbaruar. REMEMBER: THE MISSION GOES ON, MY FRIEND!