Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë dhe fjalës së lirë

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Po mbyllet një kapitull i artë në historinë e gazetarisë së Zërit të Amerikës dhe një tjetër po rifillon në jetën private të një gazetari shqiptaro-amerikan, i mirënjohur tashmë për botën shqiptare dhe atë amerikane. Dr. Elez Biberaj, ikona e gazetarisë amerikane dhe shqiptare, për 43 vjet në Zërin e Amerikës, njoftoi të hënën se po del në pension. Në një njoftim shpërndarë miqve të vetë, Dr. Elez Biberaj thotë se ka njoftuar kolegët e tij në Zërin e Amerikës se pas një karriere 43-vjeçare, ka vendosur të dalë në pension në fund të këtij viti, më 31 dhjetor 2023. “Ka qenë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës sime që kam pasur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar”, shkruan ndër të tjera, Dr. Biberaj në njoftimin e tij. Ja njoftimi i plotë:

Mesazh lamtumire me rastin e daljes në pension
30 tetor 2023
Të nderuar miq dhe kolegë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dal në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qenë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam pasur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.
Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standardeve më të larta të gazetarisë, kanë qenë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për t’i mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam pasur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), analist për çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), shef i shërbimit shqip (1986-2004), kryeredaktor i drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, drejtor i drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si drejtor i përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë periudhës qershor-dhjetor 2020.
Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krijoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, luftërat ballkanike, integrimin e vendeve të Evropës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.
Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cenimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qenë kurrë më jetik.
Me mirënjohje të thellë dua të falënderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misionit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qenë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.
Falënderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si drejtor i përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qenit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirint jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tonë editoriale.
Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vjetësh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por, unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurt, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të mëdha se sot. Dhe për sa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.
Me respekt të thellë,
Dr. Elez Biberaj, Drejtor
Drejtoria e Euroazisë
Zëri i Amerikës

Me rastin e emërimit të Dr. Elez Biberaj në krye të Zërit të Amerikës, si drejtor i përgjithshëm në detyrë i VOA-s, portali amerikan i lajmeve VOX është shprehur se “Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve”, thuhej në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX.
Por, përkushtimi i Elez Biberajt ndaj lirisë së fjalës shkoi përtej vendeve dhe kontinenteve ku mohohet përhapja e lirë e fjalës dhe lajmeve. Dr. Biberaj u dallua edhe këtu në Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e lirisë së fjalës, madje edhe aty mu në zemër të Zërit të Amerikës, gjatë periudhës kur ka shërbyer si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. “Ishte një nder i veçantë të qenit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirint jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tonë editorial”, shkruan Elezi në njoftimin e shpërndarë për të njoftuar daljen në pension. Ishte kjo një periudhë e vështirë për Elezin si gazetar i karrierës dhe si mbështetës i flaktë dhe i patundur i lirisë së fjalës – por edhe për Zërin e Amerikës si një ent mediatik me reputacion botëror. Krenar për Elez Biberajn që me urtësi por edhe me trimëri, qëndresë prej malësori dhe me besimin e tij të patundur në lirinë e fjalës dhe të shtypit të lirë që na garanton të gjithëve Kushtetuta amerikane — Elez Biberaj, si drejtor i përgjithëshëm i VOA-s, në vitin 2020 u përball me sfidat që kishte përball dhe ia doli. Si përfundim, Zëri i Amerikës sot, në pavarësinë e tij editoriale, është edhe më i fortë se kurrë më parë në historinë e tij krenare prej 80-vitesh ekzistencë.
Elez Biberaj ka doktoratë (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”. Ai ka doktoratë (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”. (Vijon)

Të fundit

më të lexuarat