
(vijon nga numri i kaluar)
Ilmi Nika nga Rashtisha e Sipërme rrëfen se pak ditë pas protestës së qytetarëve në Sukubinë, të organizuar më 17.09.1993, ishte kontrolluar për leje kufiri nga patrulla ushtarake e postës kufitare Kravar Poshtë, në brendi të kufirit, ku nuk parashihej që të posedohej leja e kufirit. Kjo patrullë e kishte ndaluar dhe pasi që si dokument identifikimi kishte vetëm letërnjoftimin, ishte urdhëruar që të shkonte me forcë në Sukubinë. Ai kishte refuzuar dhe komandanti Glenxha, shoqërues i patrullës, kishte qëlluar nga afërsia me automatik. Pastaj me dhunë e kanë çuar në postën kufitare të Sukubinës dhe atje e kanë keqtrajtuar. Përveç tjerash, ai kujton se komandanti Glenxha i ishte drejtuar me këtë fjalor: “Më thuaj kush ka qenë organizator i protestës së qytetarëve në Sukubinë…? Më trego se fëmijët e kujt janë të strehuar në Shqipëri dhe kush i ka çuar atje (duke aluduar për të rinjtë shqiptarë që studionin “ilegalisht në Shqipëri” në bazë të marrëveshjes që kishte nënshkruar Këshilli për Arsim i LD në MZ-së dhe Qeveria e Shqipërisë)? Trego se çfarë do të kishe bërë ti sikur të isha plagosur nga patrulla ushtarake e Shqipërisë? A do të më kishe ndihmuar…? Po, hamamin… Fikni dritat të mos shohë se kush e rreh! Po të mos pranosh se ke dashur të shkosh në kufi, do të vjerr për sendesh në shtyllë të elektrikut!”
Ilmiu për këtë keqtrajtim i ishte ankuar Kuvendit të Malit të Zi, mirëpo trupi përkatës i Kuvendit i kishte dhënë përgjigje Ilmiut se gjoja ai më parë kishte qenë i ndaluar për tregti me benzinë nga Shqipëria. Një konstatim i tillë nuk qëndron, sepse në organet përkatëse të Ulqinit nuk ka dëshmi që Ilmiu të jetë ndaluar apo dënuar për tregti të paligjshme në kufirin shtetëror me Shqipërinë.
Po shtojmë se në këtë kohë, policia dhe ushtria lejonte që kontrabandistët shqiptarë të tregtonin benzinë dhe naftë nga Shqipëria për në Jugosllavi me “cisterna” të cilat fare nuk pengoheshin!
Çfarë përjetoi Moikom Zeqo në Sukubinë?!
Me rastin e kalimit të kufirit shtetëror Mali i Zi – Shqipëri në Sukubinë, u privua nga liria Moikom Zeqo, deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Ai kishte qëndruar dhjetë ditë në burgun hetues të Spuzhës, kurse pastaj ishte deportuar në Shqipëri. Menjëherë pas kthimit, ai shkroi një mori letrash në adresa të ndryshme, si: Parlamentit të Shqipërisë, presidentit Sali Berisha, Parlamentit Evropian, kryetarit të SHBA-së Klinton dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Në letër rrëfen për keqtrajtimet që kishte pësuar nga UDB-ja jugosllave.
Në një intervistë botuar në gazetën “Koha jonë” të datës 16 mars 1994, përveç tjerash shkruan:
Koha jonë: Si e përjetuat burgun?
Moikom Zeqo: Si padrejtësi të tmerrshme. Ideja e zhdukjes pa nam e pa nishan nuk është fantazi, po subjekt i alibive, që mund të fabrikohen fare lehtë. Po për këtë nuk e çava kokën fare, s’më hynte në sy asgjë. Isha i revoltuar dhe jam i revoltuar. Mbas “dënimit” nga gjykata, na futën në një makinë të policisë për të na çuar në burgun e Spuzhës, afër Podgoricës. Makina ecte me shpejtësi, pësuam një aksident. U përplasëm në një udhëkryq. Pastaj kemi udhëtuar në rrugën malore, mes një mjegulle jashtëzakonisht të dendur, sa nuk shikohej as dy metra tej.
Në burg na mbyllën në qelinë nr. 7. Ndonëse kisha katër net pa gjumë, nuk fjeta as të pestën. Dëgjoja ulërimën e qenve ujqër, që ruanin burgun, uturimën e avionëve luftarakë, që kalonin pa pushim në qiell. Për fat, takuam në burg edhe shqiptarë të tjerë, djem të rinj që kishin bërë kontrabandë me sende ushqimore, cigare, karburant, kaq të domosdoshme për Malin e Zi. Milicia ua rrëmbente markat që fitonin, i dënonte me katër-pesë ditë e i linte të lirë. Unë vetë pashë me sytë e mi se sa e madhe qe “kontrabanda” e naftës, në kundërshtim me embargon ndërkombëtare, se si nga të dy anët e kufirit kishte njerëz me licenca, që merreshin me këtë biznes, që natyrisht nuk burgoseshin. Për të “vegjlit” veprohej siç thashë më sipër. Bëra një llogari të përafërt; çdo ditë burgoseshin nga pesë-shtatë shqiptarë në Spuzhë: për 365 ditët e vitit, afro 2500 shtetas shqiptarë – shifër kjo alarmante. O Zot, ç’po ndodh kështu me shqiptarët?! Kufiri thyhej në mënyrë masive, shqiptarët e Ulqinit dhe të Shkodrës kishin vendosur kontaktet e mohuara për një kohë të gjatë, martoheshin, ripërtërinin lidhjet familjare. Në një Ballkan pa kufi, kombi shqiptar do të merrte frymë lirisht…” (vijon)