
(vijon nga numri i kaluar)
Torturës së rëndë policore i është nënshtruar edhe i riu Shaban (Ahmet) Pali nga fshati Gjonza. Aktakuza e ngritur kundër tij, e fajëson atë, sepse më 21.7.1996, në orën 21, në fshatin Brajshë, para shtëpisë së Sadik Lleshit, në dasmë kishte qëlluar me revole për të cilën nuk kishte poseduar leje. Shabanit iu shqiptua dënimi me kohëzgjatje prej dhjetë ditësh nga Gjykata për Kundërvajtje – Ulqin. Këtë e dëshmon akti i këtij organi P.K. nr. 525/96, datë 22.7.1996.
Ndër arsyet që përmend në ankesën e vet mbrojtësi i tij, avokati Gzim Kalabrezi, në ankesën e vet ndaj aktit të përmendur për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, shohim se Shabani në polici kishte qenë i rrahur dhe i keqtrajtuar deri në çmendi edhe pse e kishte pranuar veprën. Në ankesë, përveç tjerash thuhet: “Menjëherë pas përfundimit të procedurës për kundërvajtje, që kishte mbaruar me shqiptim të dënimit prej 10 ditësh, Shabani ishte sëmurë rëndë nga sëmundja psikike sipas diagnozës PSYCHOSIS DEPRESIVA dhe kishte qëndruar dy herë në spital për t’u shëruar, por pa sukses, sepse gjendja e tij shëndetësore ishte bërë shumë e keqe. Një gjendje e tille është shumë e rëndë për të dhe nga analizat e datës 5.5.1997 rezulton se ka rrezik të madh për vetëvrasje, të cilën e kishte paralajmëruar dhe kishte tentuar ta bëjë menjëherë pas procedurës, me vetëvrasje në litar.
E gjithë kjo situatë të çon në përfundimin që fjala është për sëmundje akute, andaj dërgimi i tij në vuajtje të dënimit do të ishte fatale për të, sepse do të krijonte pasoja të paparashikuara për arsyen e tij dhe njëherësh do të shtonte edhe më tej motivin për vetëvrasje… Shabani para fillimit të hetimeve ka qenë person normal, nëse kemi parasysh sjelljen shembullore të tij të mëparshme, mirëpo procedura që nis me rastin e qëndrimit në mjediset e Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Ulqin pati ndikim të kobshëm për të, duke krijuar pasoja shumë të rënda. Ai ishte i punësuar, mirëpo pas procedurës në hetuesi duket se nuk është i aftë më për kurrfarë pune. Kjo rezulton nga dëshmitë mjekësore, andaj edhe është pensionuar si invalid i përhershëm. Kështu, ai nuk është në gjendje të kontrollojë veprimet e veta, nuk di të vlerësojë rëndësinë e veprimeve, prandaj edhe familja nuk ia ka treguar thirrjen për vuajtjen e dënimit, sepse ka frikë që mund të ndodhë më e keqja”.
Është interesant që histeria e organeve policore të Ulqinit ndaj Shabanit nuk njeh fund. Këtë e dëshmon vendimi i Kolegjit për Kundërvajtje i Malit të Zi, akti P.K. nr. 3619/96, më 12.5.1997, ku lexojmë se ky kolegj nuk e kishte marrë parasysh ankesën e Policisë së Ulqinit ndaj vendimit të shkallës së parë në Ulqin, ku sipas policisë i ishte shqiptuar dënim i lehtë. Si motivacion shërbente shkalla e rrezikshmërisë së veprës së kryer.
Vlerësimi i aktit si “veprimtari tepër e rrezikshme” nga policia duhet kërkuar në prishjen e “marrëveshjes” së arritur në Malësi për ndalimin e të shtënave me armë në gazmende familjare.
Marrëveshja nga mekanizmat stereotipe shqiptare të shekullit të kaluar ishte bërë në vitin 1994 dhe prej atëherë në Anë të Malit nuk kemi pasur raste që të qitej me pushkë në dasma. Është pikërisht ky akt pas tri vjetëve që kishte provokuar rëndë policinë, andaj ajo me sjelljen e vet shumë poshtëruese kishte kërkuar të pengojë “kthimin” e kësaj “dukurie margjinale shqiptare” përsëri në jetë.
(vijon)