Shpallja publike efushatës antishqiptare

Hapja e fushatës antishqiptare dhe shpallja publike e saj u bë me rastin e inaugurimit të Përmendores së Luftëtarëve në Dushkakuq, në Pistull të Ulqinit, nga kryetari i luftëtarëve Andrija Vojvodiq. Sipas luftëtarëve, problem ishin të rinjtë shqiptarë që ishin të indoktrinuar nga irredentizmi shqiptar, arsimtarët dhe profesorët në shkollat fillore e sidomos të Qendrës Shkollore të Mesme në Ulqin, të cilët duhej të largoheshin menjëherë nga procesi mësimor

Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Në saje të fushatës kundërshqiptare në këtë kohë, u pezullua aktiviteti i SHKA “Zgjimi” në Anë të Malit, kurse nga Biblioteka e Qytetit të Ulqinit u ndalua përdorimi i 365 titujve, me afër 2 500 ekzemplarë.
Po të pyesësh qytetarin e zakonshëm mbi dhunën dhe torturën policore që ushtrohej pas viteve ‘80 se çfarë mendon për të, do të shohim se opinioni i tij nuk ndryshon nga ai i qytetarëve grekë që përjetuan huntën ushtarake.
Kur hulumtuesit e Këshillit Evropian, pas huntës ushtarake në Greqi, i pyetën qytetarët e atjeshëm:
– A ka këtu torturë policore?
– Jo, nuk ka! – u përgjigjën ata.
– Po, a ju rreh policia?
– Po, na rreh.
– Po, a nuk është kjo torturë policore?
– Jo, nuk është! Policia ka të drejtë të na rrahë!
Si duket, ngjarjet e vitit 1981 ishin një rast i mirë për strukturat shoviniste malazeze, të cilat në emër të diferencimit politik filluan një fushatë kundërshqiptare. Në ballë të kësaj fushate ishte vënë Lidhja Komuniste Jugosllave (LKJ), e cila përmes Platformës Politike në vitin 1981 filloi goditjet kundër inteligjencës shqiptare në Komunën e Ulqinit.
Po të shikojmë kronologjinë e marrjes në biseda informative dhe rënies në burg, rezulton se në fillim u goditën emisarët nga Kosova të vitit 1981, që ishin kryesisht studentë dhe nxënës të shkollave të mesme që studionin në Universitetin e Kosovës. Marrja në biseda informative nuk ka qenë fare “e këndshme”. Pothuajse janë marrë në biseda informative të gjithë studentët nga Ulqini (Ana e Malit) që studionin në Prishtinë.
Pastaj filluan diferencimet e kuadrit arsimor. Instruksionet nga pala serbe, pasi arrinin në Mal të Zi, përfundonin në zyrën e kryetarit të Komunës së Ulqinit për të gjetur zbatim praktik. Kryetari i komunës ishte me funksion edhe kryetar i Këshillit të Sigurimit, ku hynin udhëheqësit më të lartë të institucioneve shoqërore-politike dhe ekonomike – njerëzit më të besueshëm të pushtetit, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë. Mbledhjet e Këshillit ishin të karakterit të fshehtë dhe vendimet e tyre kishin karakter të vlerësimit të gjendjes së sigurisë në Komunë. Si pararojë e Këshillit të Sigurimit për hapjen e fushatës shërbente Shoqata e Luftëtarëve të Komunës së Ulqinit. Ajo në rolin e pararojës jepte bekimin dhe fjala e saj ishte e pacenueshme nga të gjitha instancat.
Hapja e fushatës antishqiptare dhe shpallja publike e saj u bë me rastin e inaugurimit të Përmendores së Luftëtarëve në Dushkakuq, në Pistull të Ulqinit, nga kryetari i luftëtarëve Andrija Vojvodiq. Sipas luftëtarëve, problem ishin të rinjtë shqiptarë që ishin të indoktrinuar nga irredentizmi shqiptar, arsimtarët dhe profesorët në shkollat fillore e sidomos të Qendrës Shkollore të Mesme në Ulqin, të cilët duhej të largoheshin menjëherë nga procesi mësimor. Turrit të atëhershëm të ish-kryetarëve të Komunës, Marko Kallugjeroviq dhe Mishko Miroviq, për të realizuar qëllimet e zeza të planit serbofil, që fshihej nën petkun e ruajtjes së ideologjisë komuniste, i kanë kontribuar edhe funksionarët shqiptarë që ishin në përbërje të Këshillit. Nuk kemi të dhëna se këta shqiptarë të këtyre niveleve të kenë reaguar ndaj veprimeve të tilla diskriminuese. Por përkundrazi, me qëndrimet e veta duke “heshtur si peshqit” kanë aprovuar çdo gjë që u është thënë, madje disa kanë qenë shumë të ulët në sulmet ndaj kolegëve dhe bashkëkombësve të vet. Ata shpeshherë “lariteshin” para “padronëve” të tyre për të fituar “paleta” në dëm të fatkeqësisë së të tjerëve. Ata për gjeneratat që do të vijnë kanë për të mbetur si shembull i konturave të shpirtit rrënues. Mjerisht, pasojat e lisë komuniste te këto kuadro kanë qenë shumë të mëdha. Ata asnjëherë s’u “poqën” dhe s’gjetën guxim të ktheheshin nga “Kibla”, bile së paku as me daljen e pranverës së madhe pluraliste nuk u radhitën në subjektet nacionale shqiptare. Për atë çfarë kanë bërë dhe si po veprojnë, Jezusi do të thoshte: Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë! (vijon)

Të fundit

më të lexuarat