Rrahjet dhe plagosjet në brezin kufitar me Shqipërinë

“Unë i njoh se si sillen në mënyrë çnjerëzore me ne shqiptarët, vetëm e vetëm sepse jemi shqiptarë. Rasti e deshi që unë të shpëtoj dhe nëna të më ketë gjallë”, tha në deklaratën e tij i riu Xhemal Nika nga Rashtisha e Sipërme, të cilin ushtarët e kishin plagosur në kraharor në kufirin shtetëror me Shqipërinë, më 6.01.1992

Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Në deklaratën e tij, Mustafë Asllani tha se nuk e dinte përafërsisht se kur i ndodhi rasti, pra datën e saktë, por siç u shpreh “para një muaji erdhi në shtëpinë time, pra në Çapraj (fshat kufitar) një njeri vetë i dyti nga Milla që të blejë rreth 30 tonë bostan dhe pasi që u ujdisëm dhe pasi që nuk kishte naftë të mjaftueshme, më luti që t’ia shes 10 litra naftë. Kuptohet që për t’ì dalë në ndihmë, ia shita naftën. Atëherë si të binte nga qielli, në oborr të shtëpisë hyri policia. U nisën kah kamioni me bostan dhe filluan që të shikojnë brenda rezervuarit të benzinës dhe pasi e panë që kishte benzinë brenda, edhe pse kamioni ishte i ngarkuar me bostan, u lëshuan në shoferin dhe filluan ta rrahin para meje në oborrin tim. Pastaj na morën të dyve, na i vunë prangat dhe na çuan në Katërkollë, në polici. Para se të na çonin në Katërkollë, më bënë bastisjen e shtëpisë, me ç’rast më gjetën 18 litra naftë dhe 10 litra benzinë. Kuptohet që ma grabitën benzinën dhe naftën, pa kurrfarë arsyetimi.
Ditën e nesërme, edhe pse isha i sëmurë, sepse jam edhe i moshuar, shkova të lajmërohem në polici në Ulqin te komandanti i policisë. Por, dëshiroj të them se nuk më pranoi në pyetje deri në orën 14. Diku pas tetë orëve që qëndrova pas dere, më pyeti: – A je ti ai që dje ke qitur benzinë me bidonë tek ura?

  • Jo! – i kam thënë – nuk jam ai, sepse po atë ditë kishin rrahur edhe dy vetë të tjerë tek ura. Pastaj më pyeti: – Sa herë ke qenë në Shqipëri dhe ku i merr triskat? Ndërsa unë u përgjigja: Kam qenë një mijë herë, kurse triskat i marr te ju.
    Pastaj e pyeti për mua policin Stojanoviq, i cili me sa duket ishte ai që i kishte rrahur dy personat tek ura dhe pastaj në mënyrë arrogante më tha: – Dil jashtë! Nuk guxoni të mbani asnjë litër benzinë në shtëpi, përveç asaj që e keni në rezervuar.
    Dëshiroj të shtoj se në raportin që pati bërë Hafizi për mua në Katërkollë, figuronte se gjoja unë e paskam mbushur rezervuarin e kamionit me naftë, por që nuk është e vërtetë”.
    Në fund, ky person shtoi se i kanë sharë edhe anëtarët e tjerë të familjes, e sidomos nusen e djalit gjatë bastisjes, sepse ajo kishte thënë se nuk kanë shitur naftë, por kanë shitur bostan.
    Në deklaratën e tij, Rasim Gjenashi nga Kraja, përveç tjerash, ceku se policia e kishte ndaluar në Katërkollë dhe i kishte grabitur një bidon me benzinë pa kurrfarë arsyetimi. Edhe pse i kishte pasur letrat, komandant Hafizi ishte sjellë në mënyrë arrogante ndaj tij, duke i thënë se është një matrapaz, se është një “diler” etj.. Ndërsa Rasimi i kishte thënë: Mos më rrah se deklaratën do ta nënshkruaj ashtu siç i duhet atij.
    “Në stacion të policisë komandant Hafizi vazhdoi të më rrihte, ndërsa unë i thashë se do të ankohem dhe se benzinën duhet të ma kthejë, sepse e kam fituar në mënyrë të rregullt në Tivar, se kam vërtetimin nga Tivari të cilin ma kanë lëshuar policët Mirsat Likoviq dhe njëfarë Filipoviqi. Pasi që u vërtetua se kjo ishte e vërtetë, mua më lëshoj ndërsa benzinën nuk ma ktheu. Edhe pse jam ankuar, nuk kam kurrfarë përgjigje nga gjyqi”.
    Deklarata e Ismet Shaptafës: “Unë kam shumë që të them, por mendoj që rasti më drastik është rasti që ndodhi më 26.8.1992 në Vlladimir, me ç’rast njësitë speciale të policisë kishin bllokuar tregun e bagëtive në Katërkollë duke bastisur qytetarët. Këtë ditë kishin rrahur katër qytetarë nga Bashkësia Lokale e Kravarit, me pretekst se gjoja kishin bërë tregti të paligjshme në Shqipëri.
    Rasti tjetër më ka ndodhur te Kroi i Shtegvashës, mbi dy kilometra larg kufirit, me ç’rast nga drejtimi i panjohur dikush qëlloi në mua me armë zjarri. Për fatin tim, plumbi qëlloi degën mbi kokën time. Kjo ka ndodhur më 1.11.1992. Që nga ajo ditë asnjëherë nuk kam shkuar më pranë kufirit edhe pse atje i kam kullosat. Kur jam kthyer në shtëpi, kam takuar në rrugë ushtarët të cilët në pyetjen time se a është e vërtetë që keni qëlluar në mal, ata nuk e mohuan veprën e tillë. Po këtë ditë një ushtar nga Karakolli i Shtegvashës i kishte thënë kushëririt tim se në qoftë se Ismeti do të shkojë përsëri në kufi, ka për të kaluar keq”.
    Brahim Muça nga fshati Kravar e filloi diskutimin e tij me këto fjalë: “Qytetarë të nderuar, siç e dini djali im është martuar në Shqipëri. Kuptohet në mënyrë të rregullt, por edhe përkundrejt kësaj, komandanti i policisë në Katërkollë më ka dërguar policin në shtëpi dhe më ka thënë që bashkë me nuse të lajmërohem tek ai në Katërkollë, sepse nusen e kemi qitur ne Jugosllavi ilegalisht. Për këtë rast kam kërkuar nga gjyqi që të shqyrtojë situatën, por as sot e kësaj dite nuk kam kurrfarë përgjigjeje”.
    Deklarata e dytë e Safet Hoxhës: “Kur jam shtruar në Spital të Tivarit, mjekët janë sjellë shumë mirë me mua, më kanë dhënë nga tre injeksione në ditë, por pasi e hetuan se nga kush jam i lënduar, nuk më ofruan më kujdes mjekësor. Ditën e katërt më vizitoi njëfarë mjeku, i cili u shpreh që lëndimet e marra trupore nuk janë si pasojë e shkopit të gomës (pendrekut), por që me siguri dikush më ka shtyrë me këmbë”. Tjetër, Safeti tregoi raportin që i është lëshuar nga spitali, në të cilin pothuajse nuk shkruan asgjë për lëndimet e tij trupore.
    Deklarata e të riut Xhemal Nika nga Rashtisha e Sipërme: Ai ceku, mes tjerash, që gëzohet për faktin që Safet Hoxha është sot këtu në mesin tonë, që është mirë, që është gjallë dhe nuk ka dyshim që ky është një rast tepër i rëndë, por shtoi se edhe vetë kishte përjetuar një rast edhe më të rëndë. Ai tregoi se si e kanë plagosur në kraharor ushtarët në kufirin shtetëror me Shqipërinë, më 6.01.1992. Ai shtoi se nuk e befason një sjellje kaq mizore e forcave të policisë, sepse në mënyrë të ngjashme kishin vepruar edhe me të edhe organet ushtarake. “Unë i njoh”, tha ai, “se si sillen në mënyrë çnjerëzore me ne shqiptarët, vetëm e vetëm sepse jemi shqiptarë. Rasti e deshi që unë të shpëtoj dhe nëna të më ketë gjallë”.
    Ai ceku që me rastin e plagosjes nuk i kishin ofruar ndihmë mjekësore edhe pse kishte kërkuar. Gjithashtu ceku që gjatë rrugës për në Katërkollë kishte humbur mbi një litër gjak.
    “Ata qëlluan në mua pa paralajmërim, menjëherë në komandën ‘stoj’ – ‘ndalu’. Kuptohet, para se kam dëgjuar komandën ‘stoj’, jam ndaluar dhe në mënyrë instinktive jam kthyer që të shikoj se kush ishte pas, sepse isha krejtësisht i bindur që aty nuk kishte ushtarë. Për këtë isha vërtetuar nga kushëriri im, i cili ishte me mua dhe veç e kishte kaluar kufirin me Shqipërinë dhe i cili më dha sinjal që të nisem për të kaluar në Shqipëri. Pasi isha në linjën kaluese, ata me siguri do të më kishin qëlluar aty ku kanë marrë nishan, do të thotë në shpinë, pra në zemër”.
    (vijon)

Të fundit

më të lexuarat