
(vijon nga numri i kaluar)
Me rastin e rrahjes së Safet Hoxhës prej Rashtishës së Poshtme të Komunës së Ulqinit, nga ana e punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi – Reparti i Sigurisë – Ulqin, më 9.9.1993 në vendin e quajtur Suklinë, në rrugën Katërkollë – Ostros, dhe duke pasur parasysh se bëhej fjalë për një rast tepër të rëndë, i cili i shqetësoi qytetarët e kësaj treve dhe më gjerë, subjektet shoqërore-politike të Bashkësisë Lokale Sukubinë dhe Lidhja Demokratike – Dega e Anës se Malit, më 17.9.1993, në orën 16:00, organizuan një mbledhje të hapur proteste të qytetarëve në Sukubinë.
Mbledhja kishte vetëm një pikë të rendit të ditës dhe në të morën pjesë mbi 300 qytetarë të kësaj ane.
Në mbledhje ishin të ftuar dhe morën pjesë: kryetari i LD në MZ dhe kryetari KK të Ulqinit, Mehmet Bardhi, kryetari i LD në MZ – Dega e Anës së Malit, Ali Doda, kryetari i Bashkësisë Lokale Sukubinë, Muharrem Avdiu, si dhe këshilltari i KK të Ulqinit, Skender Hoxha. Edhe pse ishin të ftuar me shkrim, në mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e MPB-së të Repartit të Sigurisë në Ulqin.
Gjithashtu, edhe pse ishin të ftuar gazetarët e mediave shtetërore – gazetës “Pobjeda” dhe TV të Malit të Zi, ata nuk e përcollën mbledhjen – takimin protestues.
Në mbledhje u konstatua që punonjësit e MPB-së – Reparti i Sigurisë në Ulqin, më 9.9.1993 në vendin e quajtur Suklinë, rreth orës 21:30 të mbrëmjes kishin takuar qytetarin Safet Hoxha me dy bidonë të zbrazur benzine dhe me këtë rast e kishin rrahur me shkelma, grushte dhe shkopinj gome, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e lënë pa ndjenja në mes të rrugës, nga ku pastaj është dërguar në Spitalin e Tivarit dhe ku është shëruar prej datës 9 shtator deri më 16 shtator 1993. Edhe pse është lëshuar nga spitali, janë të dukshme pasojat e lëndimeve fizike dhe psikike tek ai. Në këtë mbledhje të hapur dolën në shesh edhe raste të natyrës së ngjashme që të shqetësojnë.
Po sjellim pjesë nga procesverbali i hartuar për këtë rast dhe për disa raste të tjera që dolën sheshazi në këtë protestë si edhe konkluzionet e dala nga kjo mbledhje.
Deklarata e Safet Hoxhës (fliste i ulur, sepse nuk mund të qëndronte në këmbë):
“Ka qenë e enjte, rreth orës 9 të mbrëmjes, kur policia po vinte prej Ostrosit dhe u ndalua para meje. Në fillim kryepolici Hafiz Muriq, menjëherë porsa doli nga automjeti, m’u drejtua me pyetjen: Safet, më trego se të kujt janë bidonët se përndryshe do të rrahë ky tjetri?! Pas kësaj, polici tjetër të cilin e njoh si fytyrë, u nis të kapë bidonët e benzinës dhe pasi hetoi që bidonët ishin të zbrazët, m’u drejtua me nervozë se kujt ia kam shitur benzinën. U lëshua në mua duke më kapur për këmishe dhe duke më gjuajtur në çubë të ferrave. Nga ana tjetër, kërkonte prej Hafizit shkopin e gomës, por ai nuk ia dha. Pas kësaj e mori shkopin e gomës dhe filloi të shtjerë në mua kudo që arrinte në trup, derisa më hodhi pa ndjenja në asfalt. Pastaj e pyeti Hafizin se kush isha unë. Ai pohoi, pra Hafizi, se unë isha një ‘shvercer’ dhe se më kishte kapur me 600 kg fiq.
Babai kishte arritur në vendin e ngjarjes pas një ore. Kjo do të ishte e tërë ngjarja, ndërsa pas kësaj më çuan në spital. Atje erdhën të më vizitojnë ai që më kishte rrahur bashkë me dy inspektorë. Menjëherë, porsa e pashë, pyeta: A keni ardhur përsëri të më rrihni?! Ndërsa ai më tha që s’të ka rrahur askush, por je rrëzuar vetë nga gomari”.
Deklarata e Musa Hoxhës (babait të Safetit):
“Atë natë, kur djali doli prej shpie dhe e rrahën, kam qenë në Tivar. Menjëherë kur jam kthyer nga Tivari, kam pyetur në shtëpi se a është kthyer Safeti dhe menjëherë pasi që e mora vesh që nuk ishte kthyer, dola që ta kërkoj. E gjeta të rrahur e të sakatuar midis rrugës së madhe. Menjëherë kam vrapuar në shtëpi, kam marrë kerrin dhe bashkë me një komshi kemi shkuar në stacionin e policisë në Katërkollë. Menjëherë si hyra brenda, kam takuar katër policë. I pyeta, ku është kryepolici Hafiz dhe a e dini se ma keni mbytur djalin dhe e keni lënë pa ndjenja në mes të rrugës?! Njëri më është përgjigjur se nuk e di ku është Hafizi dhe se kush e ka rrahur djalin! Kam kërkuar nga ata që djalin të ma çojnë urgjent në spital, kurse njëri më është përgjigjur me hidhërim me këto fjalë: Bëj çfarë të duash, nuk kemi benzinë!
Atëherë jemi nisur për në Ulqin te mjeku, kurse mjeku kujdestar menjëherë pasi konstatoi gjendjen më pajisi me udhëzim për në spital. Në Spitalin e Tivarit më thanë që raportin për gjendjen shëndetësore të Safetit do të ma japin të nesërmen. Të nesërmen kam shkuar në Ulqin tek inspektori Dragan. Atij i kam thënë: A e dini se ma keni mbytur djalin?! Ai më është përgjigjur se kjo nuk është e vërtetë dhe se për këtë rast ai nuk është në dijeni. Pastaj kam vazhduar duke i thënë se babanë ma kanë vrarë pushtuesit italianë, ndërsa ju më vratë djalin. Djali im qëndron tash 15 vite në Byronë e Punës. Nuk ka kurrfarë të ardhurash, askush nuk i ndihmon, ndërsa duhet të mbajë familjen. Sikur të kishte tregtuar drogë, nuk do të më kishte ardhur keq, por ky nuk ka bërë një punë të tillë. Tjetër, i kam thënë se për këtë krim do të padis në gjyq në qoftë se ekziston ligji. Në qoftë se jo, atëherë nëna e atij që ma ka rrahur djalin do të qajë si nëna e djalit tim.
Dëshiroj të them se inspektori nuk ka pasur vërejtje për mua dhe ndaj meje është sjellë në mënyrë të hijshme. Pastaj, pas një gjysmë ore arriti komandiri i policisë, i cili m’u drejtua me këto fjalë: A është djali yt?
Po, i thashë unë.
Ai m’u përgjigj se djali im është matrapaz që s’e ka shoqin! Sa herë ka qenë deri tash në Shqipëri?! Sa benzinë ka shitur?! Sa cigare e sa punë tjera ka bërë?! Kuptohet, duke më bërtitur.
Pastaj i tha inspektor Draganit: Përgatitu të shkojmë të bastisim shtëpinë e tij dhe menjëherë të bëjmë fletëpadi për përndjekje penale.
Siç u hetua, ky ishte krimineli.
Pas kësaj, dolën të dy së bashku dhe menjëherë u kthye komandiri i policisë, i cili më tha këto fjalë: Mirë Musë, nuk duhet të shkoni në Shqipëri, ndërsa kur të kthehet djali juaj nga spitali, le të më lajmërohet.
Ndërsa unë e pyeta: Pse, mos dëshironi që ta çoni në burg edhe përkundrejt kësaj që e keni bërë invalid?!
Ai më tha se jo.
Me këtë edhe mbaroi”.
(vijon)