Fushatë e keqtrajtimit dhe ndalimit të qytetarëve në Anën e Malit

Përfundim i njëzëshëm i protestës publike ishte se punonjësit e policisë dhe të ushtrisë, edhe pse e kanë detyrim ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e njerëzve, ata po i rrahin dhe po i keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore, ashtu siç i ngjau Safet Hoxhës

Muhamet Nika

(vijon nga numri i kaluar)
Deklarata Kadri Sinanit, profesor nga Shtodri (Ana e Malit):
“Nga shtëpia jam nisur me veturë bashkë me gruan dhe kunatën për në fshatin Brajshë. Në udhëkryq të Sukubinës ndeshëm në patrullën e policisë (policin Branko Toshiq). Menjëherë pasi më treguan shenjën për ndalim, e kam ndaluar veturën dy metra larg tyre. Duke u kthyer nga unë, polici Toshiq më tha: ‘Hej ti mangup, kthehu pas, sepse kam uzdajë që tash po të mësoj mend se si duhet të sillesh’. Normalisht, kuptohet që jam kthyer dhe pasi më tërhoqi vërejtjen, kam dalë nga makina. Pastaj ka vazhduar me sharje dhe me kërcënime të tipit: ‘mangup’, bandit, i dehur, i çmendur etj.. Me kërkesën e tij dolën nga automjeti edhe gruaja me kunatën. Derisa po bënte bastisjen e veturës, na drejtonte fyerje dhe kërcënime, por me sa duket këto nuk i mjaftonin, prandaj më shoqëruan me makinën e tyre në stacionin e policisë në Katërkollë. Derisa isha në veturë, Toshiqi më kishte kapur rreptë për flokësh dhe filloi të m’i shkulte. Flokët e shkulura edhe sot e kësaj dite i ruaj. Në stacionin e policisë filluan të më rrahin duke m’u drejtuar me fjalët se si ne anamalasit jemi njerëz të fëlliqur dhe të egjër dhe se ata kanë ardhur këtu për të na mësuar që të sillemi si qytetarët e tjerë në Ulqin.
Pas kësaj hyri shefi i policisë Hafizi, i cili pyeti se si ka ndodhur, e pastaj i kam treguar të gjitha dhe kam insistuar para tij që për këtë rast të mbahet procesverbal. Edhe pse u ankuan që nuk kishin letër dhe laps, procesverbali megjithatë u hartua.
“Këtë rast ia kam dorëzuar gjyqit për procedurë të mëtutjeshme, por gjyqi ma ka hedhur poshtë kërkesën time”.

Presioni publik që u mundua të arrihej me këtë protestë të qytetarëve nuk u arrit. Ata u injoruan plotësisht nga të gjitha strukturat institucionale të nivelit republikan


Në këtë mbledhje pati edhe shumë diskutime të tjera të qytetarëve të cilët jetojnë në brezin kufitar dhe të cilët janë keqtrajtuar. U tha se vërtet edhe mund të ketë persona që merren me tregti të imët në kufi, por dihet se një gjë e tillë ndodh si rezultat i mungesës së artikujve ushqimorë dhe i situatës së vështirë ekonomike.
Përfundim i njëzëshëm i protestës publike ishte se punonjësit e policisë dhe të ushtrisë, edhe pse e kanë detyrim ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e njerëzve, ata po i rrahin dhe po i keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore, ashtu siç i ngjau Safet Hoxhës.
Në këtë mbledhje u morën edhe këto qëndrime:

  1. Qytetarët porosisin që raste të tilla të mos përsëriten;
  2. Kërkohet që të bëhet identifikimi (edhe pse dihet) i fajtorit dhe emrat e keqbërësve të shpallen publikisht;
  3. Ndaj autorëve të krimit të merren masat e duhura dhe me këtë të njoftohet opinioni;
  4. Kërkohet që ndaj shefit të policisë të merren masat e duhura, pra të largohet nga posti.
    Për rrahjen mizore të Safet Hoxhës, por edhe për të gjithë të keqtrajtuarit e përmendur askush nga policët dhe udhëheqësit e Qendrës së Sigurisë nuk ishte thirrur në përgjegjësi ose së paku nuk i është tërhequr vërejtja nga organet e ndjekjes. Presioni publik që u mundua të arrihej me këtë protestë të qytetarëve nuk u arrit. Ata u injoruan plotësisht nga të gjitha strukturat institucionale të nivelit republikan.
    Safet Hoxha vazhdoi të ishte i vendosur për një kohë të gjatë. Angazhoi edhe mbrojtës për të dëshmuar pafajësinë e tij para gjyqit se ishte rrahur pa të drejtë, por më kot. Në fund, me sa duket, vendosi të paguajë avokatin dhe të çojë dorë nga e gjithë kjo. Kjo torturë fizike dhe psikike mbi Safetin ka qenë shkak për pasoja shumë të rënda. Në mënyrë të tërthortë mësuam që Safeti kishte qëndruar për shërim në spital për sëmundje psikike dhe mendore. Arsyeja dihej dhe s’do koment. Në fletëdëshminë spitalore të lëshuar nga Qendra për Shërim nga mjeku specialist lexojmë se Safetit i shpërbëhet edhe familja.
    Dëshmi për gjendjen kritike të Xhemal Nikës në ditën e ndodhjes së aktit është edhe fletëdalja nga spitali.
    Në këtë fletëdalje të lëshuar nga qendra spitalore, më 21.01.1993 dhe të nënshkruar nga mjeku kirurg Miodrag Karanikiq, përveç tjerash thuhet: “Pacienti është pranuar për shërim për arsye të varrës së krijuar me armë zjarri nga depërtimi i plumbit 5 cm mbi bërrylin e majtë…, varra në hyrje është më e vogël, kurse në të dalë ka madhësinë 2×2 cm”.
    Mësojmë se Kadri Sinani në Gjykatën e Ulqinit vendosi të ngritë aktakuzë kundër policit Toshiq, bazuar ne deklaratat e dëshmitarëve. Duket se me qëllim të zvarritjes të këtij rasti, Gjykata e Ulqinit përdori me mjeshtëri rrugët e shmangieve ligjore për të vendosur në favor të policit. Ajo me aktvendim të saj, nr. 7/92 të datës 01.04.1992 hodhi poshtë aktpadinë me motivacion të mospëmbushjes së obligimeve që dilnin nga shkresa udhëzuese e këtij gjyqi mbi mënyrën e ngritjes së aktpadisë.
    Kadriu duke e hetuar, ose duke besuar në njëanshmërinë e organeve shtetërore, ku me siguri do ta humbiste “davanë” me “kadiun” e Ulqinit, pushoi së grahuri drejtësinë.
    Ndoshta edhe pati të drejtë, sepse batuta anamalase thotë: “Nuk paditet djali te baba!”
    Rastet e keqtrajtimeve të tjera që i përmend Ismeti (Shaptafi) janë të vërteta. Në këtë periudhë keqtrajtimet dhe ndalimet e qytetarëve në Anë të Malit, e sidomos ditëve të tregut në
    Katërkollë, patën marrë përmasat e një fushate. Policët bllokonin hyrjet e Katërkollës dhe pasi që i keqtrajtonin qytetarët, ua sekuestronin mallrat. Madje edhe viçat s’guxonin t’i shitnin pa certifikatë të lindjes që lëshohej nga ofiqari i gjendjes civile.
    Ja se çfarë i ka ngjarë Musa Heriqit, ish-pjesëtar i MPB-së së Serbisë në Ulqin (marrë nga “Nasha borba” – Beograd, 17 korrik 1995):
    “…prej spitalit më kthyen përsëri në polici. Aty më ofruan aktvendimin për arrest, por pasi refuzova ta nënshkruaj, më thanë që s’isha asgjë tjetër përveçse një palaço dhe një pleh dhe se ata e dinin fare mirë se sa ushtarë kisha në Sanxhak dhe se do të m’i jepnin turinjve një milion dollarë të cilat ia kisha dhënë ushtrisë së Sanxhakut.
    Komandanti Stojanoviq, me mospërfillje vazhdoi të më thoshte: ‘Ballist i dreqit, po të kishe hyrë në punë për diçka, nuk do të kishin shporrur qafe në policinë serbe! Më shau me nënë e babë dhe me tërë sojin e sorollopin tim. Unë jam për ty sherifi i këtij qyteti…’”
    Ditën tjetër ka dalë në Gjyqin e Ulqinit dhe pa i marrë në pyetje dëshmitarët, është dënuar për prishje të rendit dhe të qetësisë.
    Mënyra e shprehjes së këtij polici dëshmon më së miri për rrahjet dhe keqtrajtimet e kësaj kohe të cilat kryheshin në Ulqin. Ato kishin karakter selektiv me qëllim të ushtrimit të presionit policor dhe të futjes së frikës ndaj shqiptarëve shumicë, por edhe myslimanëve. Rrëfimi shërben si një argument më shumë për portretizimet e policëve për të cilët bëhet fjalë në shembujt e lartpërmendur duke dëshmuar se sjelljet e tyre ishin autentike, ashtu siç tregohen.
    (vijon)

Të fundit

më të lexuarat